Alfred Moisiu: “Tendenca dhe pulsi i qeverisë së re, në gjykimin tim, janë pozitive”

450
Sigal

Ish-Presidenti i Shqipërisë, Alfred Moisiu, në pjesën e dytë të intervistës ekskluzive për “Telegraf”, pohon se qeveria e re, në 100- ditëshin e saj, punon ndryshe për të gjetur zgjidhje ndryshe të çështjeve dhe tendenca e saj është pozitive. Përsa i përket drejtësisë, zoti Moisiu, thotë se drejtësia duhet të gjejë mundësinë që të respektojë vetveten, sepse ka edhe korrupsion ekonomik, por edhe korrupsion politik. Zoti Moisiu, është i atij mendimi që Presidenti duhet të zgjidhet nga populli dhe duhet të gjejë mënyrën sesi duhet të ndërhyjë kurdoherë në zgjidhjen e krizave politike, e jo të qëndrojë indiferent, sikurse qëndroi presidenti në çështjen e KQZ-së, e cila mbeti me 4 anëtarë. Sipas zotit Moisiu, e Djathta sot është e çoroditur, nuk ka bërë ende analizën përse është në këtë gjendje, por ky shqetësim  duhet të na interesojë të gjithëve, sepse partitë politike janë asete kombëtare. Duke qenë se aktualiteti i sotëm ka të bëjë me paketën fiskale, zoti Moisiu mbron taksën progresive, pasi taksa progresive është më e përshtatshme në shpërndarjen dhe në kontributin e secilit, sipas fitimit.

Duke qenë se vetë qeveria bëri një bilanc të arritjeve të saj në këtë 100 ditësh të qeverisjes së vet, a ka Rilindje kjo qeveri e Majtë?

Unë dëgjova edhe Kryeministrin, edhe ministrat dhe dua të them këtë, se punë është bërë dhe puna e bërë është premtuese. Sigurisht, që mund të ishte bërë më shumë, kjo është tjetër çështje. Gjithmonë, gjërat janë relative, por fryma është ajo që vërtet është: “Të bëhet një qeverisje ndryshe”. Të bëhet një ndërtim ndryshe, i vendit dhe i problemeve. Po punohet për të gjetur një zgjidhje ndryshe të çështjeve. Kjo është e dukshme. Dhe 100 -ditëshi dihet, merret si një ballafaqim me zotimet dhe realizimet, por periudha e qeverisjes nuk është 100 ditë. Është gati 1.500 ditë, janë 4 vjet. Por, 100-ditëshi mat pulsin, mat tendencën. Tendenca dhe pulsi i qeverisë së re, në gjykimin tim janë pozitive.

Po reforma që ka ndërmarrë qeveria për të ndërtuar një Administratë Publike, a synon  një administratë profesionale, e mbështetur mbi meritokracinë, apolitike?

– Në fakt, te ne, në të kaluarën ka ndodhur kështu. Vinte një krah politik dhe hiqte pothuajse tërë administratën, për të vënë njerëzit e saj, e kështu me radhë. Unë them që kjo duhet të marrë fund. Njerëzit e aftë e të përgatitur duhet të vazhdojnë punën, pavarësisht nga bindjet e tyre. Por, ama, kjo duhet përcaktuar drejt. Sepse, e  dimë që maxhoranca e mëparshme, sidomos muajt e fundit, e ka mbushur administratën, duke punësuar militantë,  për qëllime elektorale. E kemi para syve tonë, plus edhe media në vazhdimësi e ka dëftuar këtë. Vetëm te ne ndodh, që ndërrohen pushtetet, ndërrohet edhe administratat. Kam folur në 2005-n, kur isha Kryetar i Shtetit, në një mesazh para parlamentit shqiptar, kur maxhoranca e Djathtë erdhi në pushtet. Deklarova që ndërrimi i pushtetit nuk është ndryshimi i shtetit. Kisha parasysh që institucionet e pavarura, administratat, sepse baza e shtetit këto janë, duhen të ruhen, sepse kanë përvojën, kanë përgatitjen, trajnimin. Nuk mundet, që çdo 4 apo 8 vjet, të bësh revolucion në administratë. Në 1945, që pushteti lindi nga revolucioni, administrata qëndroi dhe për një kohë të gjatë, njerëzit që ishin vazhduan, deri sa dolën në pension. Pra, ai pushtet, atëherë,  nëpunësit nuk i flaku  në rrugë. Si mund të bëhet kjo punë, kur ne tani jemi një shtet demokratik, e të bëjmë këtë katrahurë në administratën publike, në çdo 4, apo 8 vjet? Kjo është shumë e dëmshme, shumë e rrezikshme, shumë e kushtueshme. Sepse ata njerëz janë shkolluar e kualifikuar me paratë e këtij vendi dhe me paratë e taksapaguesve europianë, plus që edhe ata kanë fituar përvojën e tyre. Kjo nuk do të thotë, që nuk kanë depërtuar edhe njerëz, që nuk kanë përmbajtjen e duhur, jo aftësitë e duhura profesionale. Duhet thënë se asnjë forcë politike nuk ka mundësi të punësojë në administratën shtetërore gjithë mbështetësit e saj. Ç’do parti ka anëtarë një numër të madh militantësh, ndërsa shteti ka vetëm rreth 80.000 nëpunës. Kështu, edhe sikur të gjithë t’i ndërrosh, nuk i kënaq dot të tërë militantët. Jemi në ekonominë e tregut e punësimi nuk mund të sigurohet vetëm nëpërmjet administratës së shtetit, kjo është mendësi e së kaluarës.

–  Si mund të rikthehet besimi te qytetarët që drejtësia do të japë drejtësi për të gjithë?

– Përsa i përket drejtësisë, duhet të kemi shumë kujdes, sepse kur flet drejtësia, politika duhet të heshtë. Por ama, drejtësia duhet të respektojë vetveten, sepse populli është gjykatësi më i mirë. Dhe janë qindra mijëra njerëz, që shikojnë, dëgjojnë dhe ndjejnë. Në qoftë se këta të vënë damkën që nuk je në terezi, vërtet nuk je në terezi. Për mendimin tim, drejtësia duhet të punojë shumë që të respektojë vetveten, sepse fatkeqësisht, te drejtësia tek ne, ka vërtetë korrupsion ekonomik, por ka edhe korrupsion politik. Dhe, për mendimin tim, korrupsioni politik, është më i rrezikshëm se korrupsionin ekonomik. Korrupsioni politik e josh drejtësinë për promovime të reja, që, në momente të caktuara, gjyqtarët të synojnë lëvizjet e tyre në karrierë, që varet nga politika. Mendoj se, korrupsionin ekonomik është më lehtë për ta luftuar.

– Çfarë duhet të ndryshojë te Reforma Zgjedhore, në mënyrë të tillë, që në Kuvend të përfaqësohet vullneti i elektoratit?

Në radhë të parë duhet të ndryshojë mentaliteti i politikës tonë. Nëse nuk ndryshon ky vullnet, të gjitha reformat janë gjëra të kota. Nëse ne bëjmë çdo gjë, e kam fjalën edhe për ndonjë pisllëk, vetëm e vetëm për të fituar pushtetin, atëherë, asnjë reformë nuk na shpëton dot. Mua më pëlqeu një fjalë e Kryeministrit Rama në diskutimin e tanishëm, për projektbuxhetin në Kuvend. Rama tha që: “Ne do punojmë ta meritojmë këtë mandat, por jo me qëllim të vetëm që të rizgjidhemi edhe një herë tjetër”. Domethënë, që do zbatojë çdo reformë, pavarësisht kostos politike. Kjo është e drejtë, dhe kështu duhet vepruar. Qeveria duhet të punojë që të përmirësuar jetën e  shqiptarëve, për zhvillimin e Shqipërisë. Me kosto politike, bëhet sigurisht. Tani 1 milion shqiptarë që votuan “Pro”, tani me këto sisteme fiskale mund të kenë edhe pakënaqësi, pavarësisht se shumica e shqiptarëve fitojnë, por kundërpropaganda krijon një turbullirë në mendjen e njerëzve. Sigurisht, në zbatimin e taksës progresive, një pjesë edhe do humbasin, por shumica fiton. Taksa e sheshtë nuk e ruante raportin e atij që fitonte pak me atë që fitonte shumë. Për mendimin tim, taksa progresive është më e përshtatshme.

– E Djathta, sot a ka ide?

– Mua nuk më duket normale që PD-ja deri tani, nuk kanë bërë asnjë analizë pse u humbën zgjedhjet, sidomos me një rezultat të papritur. Nuk kanë bërë asnjë vetëkontroll. Ku janë? Pse mbërritën këtu? Çfarë ndodhi? Kjo, nuk të fut në rrugë të drejtë. Të çorodit. Për mua e Djathta është e çoroditur, për fat të keq. Sepse partitë politike janë një pasuri kombëtare, qofshin këto të majta, apo të djathta. Dhe, ne, si shtet demokratik, na intereson, që të gjitha partitë të jenë sa më të qarta në rrugën e drejtimit e të zhvillimit të tyre. Dhe zgjedhjet brenda partisë, që i lanë kështu, nuk merret vesh se çdo bëhet e kur do bëhen, flas për ato që janë bërë publike, mendoj që duhen të rishikojnë shumë gjera. Sepse, siç duket, po të vazhdojnë kështu në zgjedhjet e ardhshme, humbja mund  të thellohet.

Çfarë duhet  bërë më shumë për të Drejtat e Njeriut, si një nga 5 kushtet që BE-ja i ka kushtëzuar Shqipërisë, për procesin e mëtejshëm të Integrimit?

– Kjo temë, të Drejtat e Njeriut është një temë shumë e gjerë. Se fillon, që nga marrëdhëniet burrë-grua, te romët, minoritetet, e kështu me radhë. Unë do them këtë, që përsa i përket ligjit, ne jemi në rregull. Në zbatim të ligjit, ne duhet të jemi shumë të kujdesshëm. Dhe kjo në radhë të parë, veçanërisht, i takon edhe pushtetit vendor. Në këtë mes rëndësi merr edhe gjyqësori. Atje, cilido që shkon, duhet ta marrë të drejtën, nëse ka të drejtë. Gjyqësori është edhe një çikë delikat, sepse shkojnë dy palë, të cilat mendojnë se kanë të drejtë. Por, në fakt njëri mund të ketë të drejtë. Gjykoj se ne  shqiptarët kemi dy probleme themelore, që duhet t’i zgjidhim. Ato janë kultura dhe fukarallëku. Nëse nuk shkojnë përpara këto dy gjëra, ne nuk ecim dot. Nga njeriu i pakulturuar dhe fukara mund të presësh çdo gjë. Ai që ka kulturë dhe nuk trembet për bukën e gojës, mendon çdo hap.

Qasja e re që bëri Kryeministri Rama, duke aktivizuar aktorë të rinj në qeverisje, a është një pikënisje e re për  politikëbërjen për t’u ndarë përfundimisht nga politikëbërja e tranzicionit?

– Kryeministri ka të drejtë të zgjedhë atë skuadër që mendon ai, dhe për këtë punë nuk mund të gjykosh asnjë kryeministër. Por unë mendoj, që, sa më pak të kesh ministra të përfolur, për të kaluarën, aq më mirë është.

–  Shumë Faleminderit!

Akti Normativ, për Nëpunësin Civil ishte i domosdoshëm

Duke qenë se Akti Normativ, u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese, mendoni se ky vendim është politik?

– Vetë  vendimi i marrë me raportin 5 me 4, të bën një çikë të dyshosh. Sepse, këto janë probleme parimore dhe nuk mund të konkretizohen për të krijuar deversitet mendimi. E pastaj, Akti Normativ ishte për t’i dhënë kohë qeverisë që të përgatitë nënligjet, pasi ato e duan kohën e tyre. Ligji “Për Nëpunësin Civil”, qoftë i pari, qoftë i porsahyri në fuqi, nuk mund të zbatohen dot pa ato dokumentet nënligjore, të munguara. Akti Normativ nuk ishte për të shfuqizuar ligjin e miratuar me konsensus të gjerë. Ky ishte për t’i dhënë kohë futjes së ligjit në veprim. Që ta vësh në jetë, duhet të kesh aktet nënligjore, përndryshe, nuk ke asnjë mundësi zbatimi të ligjit.

 Presidenti, me personalitetin e tij, duhet të bëhet uniteti i popullit

A duhet të shoqërohet ndryshimi i procedurës së Presidentit në Kushtetutë, edhe me  dhënien e kompetencave  më të mëdha kushtetuese?

– Sigurisht, që mund të ketë vend edhe për shtimin e kompetencave të Presidentit, por unë tani nuk mund të them diçka më shumë se kaq. Por, ju them, një gjë. Që, edhe me ato kompetenca kushtetuese që ka, nisem nga përvoja ime personale, Presidenti mund të luajë rolin e tij. Më kujtohet, në 2007-n, kur ishim në rrezik të dilnim shtet i dështuar, ose i falimentuar, sepse nuk po arrinim të bënim zgjedhjet lokale, unë atëherë mblodha gjithë përfaqësuesit e forcave politike dhe ndenja 2 ditë dhe 2 net në Presidencë. Si përfundim, u arrit që, përmes përplasjeve, të zgjidhnim ato probleme që pengonin zhvillimin normal të zgjedhjeve, Kështu, të gjithë ranë dakord të bënin një marrëveshje, e cila u firmos në orën 12 të natës. E përmenda këtë, se në Kushtetutë nuk thuhet që Presidenti mbledh krerët e forcave politike për të kapërcyer situatat, kur mosmarrëveshjet politike arrijnë të bllokojnë zhvillimin normal të punëve, por ama, edhe nuk thotë që Presidenti të mos i mbledhë ata, kur shtrohet  dhe kërkohet një zgjidhje, për një nevojë të madhe politike për vendin. Unë e bëra atëherë, atë marrëveshje politike, me të gjitha forcat politike, për të mbrojtur interesat e vendit tim. Ruajta unitetin e popullit tim. Nuk mund të lejoja, që një pjesë të shkonin dhe një pjesë të bojkotonin zgjedhjet lokale, e cila do të krijonte një imazh të keq për vendin tonë, qoftë për integrimin në BE, por edhe për anëtarësimin në NATO, sepse atëherë, ende nuk ishim pranuar anëtarë të saj. Nuk mundet që Presidenti të zgjidhet me 71 vota dhe Avokati i Popullit me 84 vota. Kushtetuta i ka dhe i krijon mundësitë, kur Presidenti e ndjen se ndodh diçka që është e pazakonshme në politikë, atëherë i duhet të gjejë mënyrën sesi të ndërhyjë, për zgjidhjen e situatave.

 Duhen ndryshime kushtetuese, por ato t’i bëjnë konstitucionalistët

–  Zoti President, edhe Kryeministri, por edhe opozita kanë pranuar që të bëhen ndryshime në Kushtetutë. Sipas jush, cilat duhet të jenë ato ndryshime kushtetuese, që do të bëjnë balancimin e tre pushteteve?

– Unë, së bashku me ish-Presidentin Meidani, bëjmë pjesë në Forumin Civil 2010 dhe ne e kemi ngritur me kohë nevojën e ndryshimeve kushtetuese. Në radhë të parë, këto ndryshime kushtetuese janë të domosdoshme për të korrigjuar ato gabime që u bënë në 2008-n. Kjo maxhorancë e Majtë, të paktën, e ka pranuar që u bënë gabime në 2008-n. E dyta, këto ndryshime kushtetuese, kësaj here, duhen të bëhen me shumë kujdes. Dhe këto ndryshime kushtetuese nuk mund t’i bëjnë politikanët, por specialistët, konstitucionalistët. Sigurisht, politikanët do të japin direktivat, por mendimet duhet t’i japin juristët më të mirë të vendit tonë, në bashkëpunim edhe me juristë të huaj, siç është Komisioni i Venecias. Pra, nuk duhen bërë gjëra të shpejtuara, sepse Kushtetuta është shumë e rëndësishme, ajo kërkon qasje shumë të matur dhe të studiuar.

– Për shembull?

– Një, që më duket mua e domosdoshme, është çështja e zgjedhjes së Presidentit. Ne e kemi shprehur këtë mendim. Presidenti duhet të zgjidhet nga populli. Për fat të keq, zgjedhja e Presidentit te ne kthehet në pazar politik. Kurse zgjedhja nga populli drejtpërdrejtë, edhe pse edhe këtu ka peshën e saj politika, kjo nuk shmanget, është një filtër më i mirë dhe eviton pazarllëqet. Si, p.sh, unë ta jap votën për t’u zgjedhur president, por ti hiq prokurorin e Përgjithshëm, hiq Kryetarin e SHISH-it e të tjera kërkesa të mundshme kushtëzuese, çka prekin seriozisht figurën e Presidentit. Nuk bëhet kështu. Mora dy gjëra që ne i njohim. Presidenti te ne, sipas Kushtetutës, është një figurë më shumë ceremoniale dhe, si i tillë përpiqet të përdoret nga politika.. Kurse unë them jo. Presidenti vërtet, është një figurë ceremoniale, por në radhë të parë, ai e përfaqëson unitetin e popullit, të cilin ai duhet ta ruajë këtë unitet me autoritetin e personalitetin e vet personal. Ka shumë raste, që vërtet, Presidenti duhet të ndërhyjë e të thotë politikës: “Stop, se nuk je në rregull me këtë punë”.  Siç, mbeti KQZ-ja me 4 veta. Për mendimin tim, Presidenti duhet të kishte ndërhyrë. Sigurisht, Presidenti nuk ka pushtet ekzekutiv, por ka pushtet moral. Një fjalë e Presidentit peshon shumë. Ne kemi shembull fqinjët tanë, Italinë, e cila kaloi një krizë të madhe politike. Ishin dy herë ndërhyrjet e Presidentit Napolitano, që u ekuilibruan raportet e situata politike në Itali dhe u mënjanua kriza politike. Kushtetuta i jep mundësi Presidentit të ndërhyjë që të ruajë unitetin e popullit.

– Çfarë ndryshimesh të tjera duhen të bëhen tani në Kushtetutë, në mënyrë të atillë, që  të jetë koherente me proceset e integrimit dhe të pasqyrojë edhe zhvillimet e së ardhmes?

– Çdo ndryshim i Kushtetutës, duhet të mendohet mirë. Bota, kur bën një ndryshim në Kushtetutë, një amendim, i duhet 1-2 vjet kohë, për ta diskutuar e pjekur mirë. E këto nuk mund të bëhen brenda një nate, sikurse u bënë në 2008-n. Kjo solli, për pasojë, ngjarje jo të pëlqyeshme, më vonë. Si rezultat, u krijua një kryeministër i blinduar dhe një president të dobësuar. Ato ndryshime prishën raportin e pushteteve. Dihet që Kushtetuta jonë është bazuar në tre shtylla kryesore. Ndarja e pushteteve është shumë e rëndësishme në një republikë parlamentare sikurse janë Legjislativi, Ekzekutivi dhe Gjyqësori. Kushtetuta jonë, nuk është e keqe. Duhet parë  zgjedhja e Presidentit, por edhe çështja e Gjyqësorit, sepse Gjyqësori ka një autonomi shumë të theksuar. Mbetet, ndonjëherë, jashtë kontrollit. Nuk merret vesh çfarë bëhet? Në këtë aspekt, është e domosdoshme që të bëhen ndryshimet e duhura kushtetuese.