Ja “lukunia” e OJF-ve që gllabëruan miliona

743
Në Elbasan ushtrojnë aktivitetin e tyre mbi 33 përfaqësi të OJF, dhe të gjithë kanë fushën e tyre të veprimit në jetën shoqërore dhe institucionale. Organizatat jo fitimprurëse, thuhet se “janë partnerë të rëndësishëm të Shërbimit Social Shtetëror”, dhe si të tilla, ato bashkëpunojnë në mënyrë të rregullt si me OJF të cilat mbrojnë interesat e grupeve vulnerabël, që marrin shërbime nga SHSSH, ashtu dhe me OJF-të që ofrojnë shërbime për këto grupe vulnerabël. Gjithashtu SHSSH monitoron cilësinë e shërbimeve, për të garantuar respektimin e standardeve të miratuara. Edhe pse është zgjeruar dhe rritur roli plotësues i OJF-ve në ofrimin e shërbimeve sociale, shteti nuk mbetet ende faktori kryesor për shërbimet për familjet dhe fëmijët në nevojë. Sistemi aktual “i mbrojtjes sociale”, ofron mbështetje financiare për familjet e varfra (Programi i Ndihmës Ekonomike), trajtim rezidencial për fëmijët e braktisur dhe me probleme sociale, dhe lehtësira për fëmijët me statusin e jetimit. Nga vlerësimi i shpërndarjes së shërbimeve për fëmijë, sipas shtrirjes gjeografike, konstatohet një përqendrim i madh i OJF-ve, qendrave dhe shërbimeve të ndryshme për fëmijë, kryesisht në Qarkun e Tiranës, Shkodrës dhe Elbasanit. Në qytetin e Elbasanit në 2 vitet e fundit është rritur me 3 herë numri fëmijëve që janë braktisur nga prindërit e tyre, shumica rom, dhe që sot gjenden akoma pa rrugëzgjidhje në fatin e tyre. 

OJF dhe aktiviteti tyre në Elbasan
Edhe në Elbasan kanë aktivitetin e tyre dhjetëra përfaqësi të OJF-ve, të cilët pavarësisht se deklarohen “të pavarur dhe jo fitimprurës”, kanë goxha lidhje të forta me institucionet e shtetit dhe pushtetarët, dhe thithin goxha para për aktivitetet e tyre. Mjafton të përmendim faktin se, në Elbasan nga statistikat rezulton se pjesa më e madhe e fëmijëve janë të braktisur dhe vijnë nga familje me probleme social-ekonomike, kryesisht nga qyteti dhe fshatrat. Në Shqipëri, rrjeti i Institucioneve “Rezidenciale Publike të Përkujdeset për Fëmijët”, përbëhet nga 9 institucione publike dhe 13 qendra rezidenciale jopublike. Partnerë të OJF janë ministritë, por edhe drejtoritë e Punësimit, Instituti Sigurimeve Shoqërorë, Komisariatet e Policisë por edhe Bashkitë. OJF në projektet e tyre thuhet se “kanë shumë prioritete, duke nisur nga ndihma e shtresave në nevojë, fëmijët dhe gratë e braktisura, ndihma ndaj të moshuarve, ndihma ndaj fatkeqësive natyrore, apo njohja e kompetencave të Avokatit të Popullit, njohja me kompetencat dhe detyrimet e kryetarit të Bashkisë, Prefektit dhe kryetarit të Qarkut, drejtorit të Policisë Qarkut”, si dhe aktivitetet e ndryshme për “të drejtat e njeriut”, të cilat padyshim bëhen duke siguruar vlera financiare. Çdo prezantim, çdo takim, çdo promovim, çdo sensibilizim, çdo interesim, çdo fushatë e mbledhjes së ndihmave, çdo nismë juridike për tu ardhur në ndihmë shtresave në nevojë, çdo kundërshti politike, kushtetuese, qeveritare, nuk bëhet falas, por vetëm duke e pasur “xhepin plot me para”. 

Asnjëherë nuk është bërë transparent fakti i financimeve të OJF, asnjëherë nuk dihet (ose dihet fare pak) destinacioni i parave, me të cilat ata realizojnë aktivitetet dhe sjellin apo dërgojnë ndihmat e tyre, hapin qendrat e tyre të rehabilitimit, apo vendosin bashkëpunimin ligjor me institucionet e shtetit. Burime të sigurta i thanë “Telegraf” se, “vetëm në Elbasan përfaqësues të disa OJF, kanë marrë nën pretekstin e “aktiviteteve jo politike”, apo “ndihmave për shtresat në nevojë” rreth 150 milion lekë, nga institucionet e shtetit dhe kompani private në rrugë të ndryshme. Madje nga këto të fundit, milionat janë marrë edhe me ndërhyrjen e ndonjë politikani nga Tirana. Mjafton të përmendim faktin se “nga viti 2008 deri në 2010, organizatat joqeveritare në Shqipëri kanë përfituar rreth 5 milionë euro nga donatorë të huaj vetëm për romët. Këto para duhet të shfrytëzoheshin për ri integrimin e tyre në shoqëri. Në Elbasan numërohen të paktën 800 familje, ku 500 prej tyre janë përqendruar në lagjen “5 maji”, në vendin e quajtur Rrapishtë. Ato edhe sot e kësaj dite jetojnë si në mesjetë, të grumbulluar në kope si bagëtia, pa kushte jetese. Transparenca e parave të OJF gjithmonë ka qenë “molla e sherrit” edhe për kampet politike. Sa herë ndërrohen pushtetet, aq herë premtohet edhe “transparenca e parave të OJF”, dhe ndoshta ajo që shpesh na duket si e “panevojshme”, realisht është gropa e zezë e një afere gjigande korrupsioni, që ka mbetur deri sot pa u zbuluar, pasi ka mbështetje të (pa) dukshme politike. 
Sigal