Kryemadhi dhe Basha: Të gjithë shqiptarët ditën e shtunë të bashkohen kundër krimit dhe varfërisë

277

Pa largimin e ministrit Xhafajt, nuk ka as parlament

Zbardhet skenari i protestës së Opozitës të shtunën, më 26 maj 2018

Protesta e Opozitës, të shtunën në 26 maj, ka si motiv largimin e Fatmir Xhafës nga posti i ministrit të Brendshëm. PD-ja ka përcaktuar tashmë edhe vendin ku do të mblidhen protestuesit që do t’i bashkohen thirrjes për të protestuar kundër qeverisë. Opozita do të protestojë të shtunën para zyrës se Ramës. Nëse kryeministri Rama nuk do të shkarkojë Fatmir Xhafën nga posti i ministrit të Brendshëm, atëherë Opozita mendon që të ringrejë sërish çadrën, aty, para kryeministrisë, pikërisht, pas 1 viti, kur e shkuli, pas marrëveshjes së 18 majit. Opozita është e përgatitur edhe për zgjedhje të parakohshme, të cilat mund të jenë edhe më të mundshme, nëse Bashkimi Evropian nuk hap negociatat me Shqipërinë për anëtarësim, pasi kjo do të konsiderohet dështim i qeverisë në kryerjen e reformave të integrimit.

Basha: Të bashkohemi të shtunën, të na frymëzojë Revolta e Qafë Barit

Kryetari i PD-së Lulzim Basha, duke kujtuar dje Revoltën e Qafë Barit gjatë regjimit komunist shprehu vlerësime për të dënuarit politikë që ngritën krye në atë kohë të vështirë, Basha risolli në vëmendje protestën e së shtunës. “Në shembullin e guximit të tyre të pashoq, do të bashkohen të shtunën shumica e shqiptarëve, që e duan vendin pa krim, pa drogë, pa ministra të lidhur drejtpërdrejt me bandat, pa një kryeministër, që mbron hapur të keqen”, shkruan Basha. Kujtojmë se protesta e opozitës do të mbahet ditën e shtunë, në orën 11:00, në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Me këto shembuj të heroizmit dhe atdhedashurisë, ju ftoj të bashkohemi të shtunën më 26 maj, në orën 11 në Tiranë, të gjithë bashkë në protestën kombëtare të ngrihemi kundër padrejtësisë, kundër qeverisë së lidhur me krimin, për Shqipërinë, si gjithë Evropa.”

Kryemadhi: U bëj thirrje të gjithë shqiptarëve që të shtunën t’i bashkohen protestës së opozitës

Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, në një takim me krerët e LSI të rretheve i bëri thirrje qytetarëve shqiptarë të marrin pjesën në protestën e së shtunës. Sipas Kryemadhit, kryeministri Edi Rama është modeli më i shëmtuar që i ofrohet të rinjve sot. “Përfshirja e kësaj qeverisje dhe të gjithë strukturave të rëndësishme të shtetit siç është Ministria e Brendshme në përfshirjen e trafikut të drogës. Personazhi kryesor i të gjithë kësaj dhe aktori kryesor është kryeministri, një kryeministër i cili kanabizoi Shqipërinë dhe nuk mban tashmë asnjë lloj përgjegjësie për bashkëpunëtorët e tij, të cilët janë të zhytur në trafiqet e drogës dhe është padyshim fundi i një qeverisje demokratike, për të cilën ne kemi aspiruar të gjithë në këto 27 vite. Beteja jonë do të finalizohet me protestën e së shtunës. Ky kryeministër është modeli më i shëmtuar që ne i ofrojmë sot të rinjve shqiptarë. Të rinj e të reja po provojnë qeverisjen e keqe që ka përfshirë të gjithë Shqipërinë. Ju bëj thirrje të gjithë shqiptarëve t’u bashkohemi protestës së opozitës, për të protestuar kundër arrogancës së këtij kryeministri të bërë njësh me krimin. Opozita është për një Shqipëri sa më afër Bashkimit Evropian, por Rama dhe bashkëpunëtorët e tij të krimit nuk duan të ndodhë. Se po ndodhi hyrja në BE, aq më shumë do kontrollohet nga ndërkombëtarët. Ai do që të zgjasë akoma më shumë agoninë e grabitjes së vendit. Rama nuk është Zot as i Shqipërisë as i shqiptarëve, me prokurorë që i lëpihen për Vetingun e tyre, të protestojmë ndaj kësaj qeveri të kapur. Nuk ka më Zot ta mbrojë Ramën,” tha Kryemadhi.

Dashamir Shehi: Duhet të protestojmë jo për Bashën kryeministër, nuk ka për t’u bërë…

Kreu i LZHK-së, Dashamir Shehi, u ka bërë thirrje të gjithë shqiptarëve të bashkohen në protestën e të shtunës, për largimin e Ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj. Sipas Shehit, Xhafaj nuk ka përgjegjësi për t’u futur vetë në burg, por nuk mund të ushtrojë më funksione publike pas kësaj që ndodhi. Gjithashtu kreu i LZHK-së, sqaron se protesta nuk ka qëllim që të sjellë PD në pushtet, ndërsa ka shtuar se po shqyrtohet edhe mundësia e bojkotit të parlamentit. “Nëse Xhafaj largohet do të fillojmë ta moralizojmë pak qeverisjen, të heqim një të implikuar. Duhet të heqim dy ‘Tahirë’, duhet një tjetër që të luftojë krimin dhe drogën. Por nëse do të vijojë kështu ne do të heqim edhe ministrin e tretë që do të vendosë ky. Ky ra i pari në rrjetë, kjo është një histori për të qeshur. Rama urdhëroi Xhafajn, i ka thënë ‘ma hiq atë horrin e vogël’, dhe ai iku në Itali. Pa largimin e Xhafajt nuk ka as parlament. Nuk kam dëgjuar nga Basha kështu skenarë tragjikë. Nëse protesta do të jetë e madhe do të bojkotojmë parlamentin. Do të mendojmë edhe për zgjedhjet e parakohshme”,theksoi Shehi.