Kreu i Opozitës, Basha: Çdo tentativë për zgjedhje vendore të imponuara nga krimi do të përballet me qëndresë lagje më lagje

112

Deputeti i ri nuk bën betimin: Mandati i takon popullit, jo kriminelëve

 

Basha: Në 30 qershor nuk ka zgjedhje, përballje në çdo lagje e qytet

Indrit Hoxha, kandidat i PD, ka refuzuar të marrë mandatin e deputetit sot në Kuvend, ndërsa, kreu i Parlamentit, Gramoz Ruçi i dha fjalën për të bërë betimin. Ndërsa të gjithë prisnin që Indrit Hoxha të bënte betimin, kandidati i Tiranës tha se ndjen neveri për këtë parlament dhe se e ndërmori këtë akt në emër: “të babait të ndjerë, Fatmir Hoxha, i burgosur politik i regjimit kriminal, që nuk reshti deri në frymën e fundit luftën për liri dhe demokraci”. Hoxha tha se refuzon të marrë mandatin në një parlament që drejtohet nga Edi Rama. “Refuzoj të marr mandatin në një parlament ilegjitim ku në karrigen e Kryeministrit ulet i biri i njeriut që firmosi për varjen e poetit Havzi Nela”, tha ai. “Neveri për këtë parlament ilegjitim!

Basha: Do pengojmë zgjedhjet me përplasje në çdo lagje

Kryetari i Opozitës nga qyteti i Korçës bëri edhe njëherë të qartë se zgjedhje vendore pa opozitën nuk do të lejojnë, duke i ndaluar ato me përballje lagje më lagje. Lulzim Basha: Data e zgjedhjeve të parakohshme nuk është e parëndësishme por zgjedhje me Edi Ramën Shqipëria nuk do të ketë më, një përdhunues serial i zgjedhjeve, koka e sistemit me krimin duhet të shkojë para drejtës. Ai nuk meriton të marrë pjesë në zgjedhje por të paktën ne duhet të kërkojmë se ai nuk mund të jetë kryeministër as i zgjedhjeve lokale, as i zgjedhjeve të përgjithshme. Ndaj kjo është betejë jetike dhe vendimtare për çdo shqiptar. Është e qartë se me 30 qershor nuk do të ketë zgjedhje lokale. Çdo tentativë për një proces fals, një proces të imponuar nga krimi do të përballet me qëndresë madhështore lagje më lagje, qytet më qytet, zgjedhje farsë në Shqipëri më 30 qershor nuk do të ketë. Nga Korça dua ta deklaroj prerë për ata që s’e kuptojnë: Po, do të ketë një ndryshim të thellë të sistemit politik, do ketë rikthim tek vlerat evropiane të kontrollit e balancës. Parlamenti nuk do të jetë kukull, por kontrollor i qeverisë, prandaj na duhet një parlament që buron drejtpërdrejt nga qytetari. Për këtë arsye kemi nisur një debat që do të shtrihet kudo në Shqipëri. 100 deputetë me një senat, apo kombëtar proporcional me lista të hapura, apo sisteme të tjera që bëjnë të mundura primaret apo një president të zgjedhur nga populli, ne nuk kemi paragjykime. Me një ligj për referendumet, qytetarët do të pyeten për gjithçka që ka të bëjë me shëndetin e tyre. Gjithçka do të marrë formë të prerë vetëm pasi të vendoset me referendum kombëtar nga vetë qytetarët shqiptarë.

Si i futi në kurth Indrit Hoxha, Rilindjen dhe demokratët e zemëruar

Indrit Hoxha para disa ditëve dorëzoi në KQZ formularin e dekriminalizimit, por i habiti të gjithë dje në Kuvend, kur e refuzoi atë. Hoxha u kthye në një “hero” për të gjithë mbështetësit e opozitës, të cilët deri para pak ditësh e kishin masakruar me komente negative në rrjetet sociale. Kishte njerëz që e mallkonin apo i thoshin “thefsh qafën”, të shumtë i vinin gishtin për burracakëri. Madje, kishte edhe nga ata që i thoshin që ishte turp për një njeri që vjen nga familje të persekutuarish të bëjë një veprim të tillë. Pasi u përball me gjithë atë vrer dhe lumë kritikash, Hoxha mbase kuptoi se vendimi për të pranuar mandatin nuk ishte më i miri. Pasi u sulmua vazhdimisht, Hoxha bëri një postim në rrjetet sociale ku shprehej i habitur për reagimet. Ai nis e flet gjerë e gjatë për familjen e tij të persekutuar nga komunizmi. Dje, përmes një deklarate para Kuvendit, ku ishte paraqitur pikërisht për pranimin e mandatit, ai u tërhoq dhe deklaroi se s’mund të ishte pjesë e një Parlamenti ilegjitim. Me këtë veprim, Hoxha vrau “dy zogj me një gur”, la pa fjalë Rilindjen që iu fut në Kuvend për t’i quajtur kriminelë, doli dhe si “hero” para demokratëve të zemëruar me të. Hoxha rifitoi simpatinë e tyre, madje kishte edhe nga ata që i kërkonin falje nëpër komente që e kishin paragjykuar. Nuk dihet, nëse Hoxha e kishte të gjithë këtë të planifikuar që nga fillimi, ose thjesht ishte i dyzuar në vendimin e tij për të pranuar mandatin. Disa syve të mprehtë, nuk i kishin shpëtuar komentet e pak ditëve më parë, duke nënkuptuar se mbase ishte kjo e dyta. “Të paktën fshij ato postimet e pak ditëve më parë, kur bëje si trim e na jepje “leksion demokracie”, do ishte burrëri, e pakta”, – shkruhet në një koment.