Dorëzohet Rilindja: Tahiri, kurban në tepsinë e integrimit

460
Petraq Barjami

Opozita: Dorëzohet kryeministri Rama, bën kurban ministrin e vet
Ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri dorëzon mandatin e deputetit, duke akuzuar të gjithë, edhe kryeministrin, edhe pasuesin e vet
6 muaj kishte Opozita që kërkonte domosdoshmërish nxjerrjen jashtë parlamentit dhe arrestimin e ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahirit, i akuzuar nga Prokuroria e Katanias në Itali për trafikimin ndërkombëtar të drogës. Në 19 tetor 2017 Prokuroria e Krimeve të Rënda kërkoi nga parlamenti autorizim për heqjen e imunitetit të deputetit Saimir Tahiri, ish ministër i Brendshëm, si dhe autorizimin për “arrestimin, heqjen e lirisë dhe kontrollin personal e të banesës”. Sipas Prokurorisë kërkesa bazohet në të dhënat e përftuara nga hetimet që ajo vetë ka kryer së bashku me autoritetet italiane, lidhur me organizatën italo-shqiptare që kryente trafik të lëndëve narkotike, ku janë të përfshirë dhe dy vëllezërit Habilaj, të afërm të zotit Tahiri, emri i të cilit përmendet disa herë në përgjimet e bisedave të tyre. Kryeministri Rama është shprehur se uron që “që Saimiri të provojë deri në fund që s’ka lidhje me këtë histori kriminelësh”, duke shtuar se këtë kërkon ta mësojë “nga drita e së vërtetës” që nuk e ka as ai vetë, as qeveria dhe as partia. Parlamenti i Shqipërisë më 25 tetor 2017 vendosi t’i thotë JO kërkesës së Prokurorisë për heqjen e imunitetit dhe arrestimin e Saimir Tahirit. Kundër arrestimit të Tahirit votuan 75 deputetë, ndërsa pro arrestimit 60 deputetë. 

Kurbani i Ramës i kërkuar nga Gjermani
Gjermania e bëri të qartë, në takimin që kryeministri Edi Rama bëri në Berlin javën e shkuar. Pa luftuar krimin e korrupsionin, nuk ka hapje të negociatave. Kryefjala e kërkesës gjermane ishte që mazhoranca t’i heqë mbrojtjen politike ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahirit, sepse Gjermania ka fakte që ai është bashkëpunëtor në trafikimin e drogës. Kryeministri Rama, u kthye duarbosh, e kuptoi që nuk ka zgjidhje dhe zgjedhje tjetër, përveçse të bëjë kurban ish-ministrin e vet. Në të kundërt, dominoja politike do të rrëzonte që tani pushtetin e vet. Para një jave, Tahiri, që e kishte kuptuar fundin e lojës politike, u mundua të përcjellë mesazhin te kryeministri, që ai nuk mund të jetë kurbani i pushtetit të tij, ndaj deklaroi frazën “ Nuk ka bij k…vet të më ndalë”.
Dorëheqja dhe akuzat e bëra nga Tahiri
Dje, në një konferencë shtypi nga Kryesia e Kuvendit ish-ministri i Brendshëm dhe deputeti Saimir Tahiri dha një konferencë të gjatë shtypi, pikërisht në orën kur Grupi Parlamentar i PS-së bënte mbledhje. “Hajduti flet për ndershmëri. Maskarai flet për moral. Injoranti flet për shkollat. Tenderaxhiu për të varfrit. Të gjithë bashkë për drejtësinë…do thotë ndonjëri edhe mua për trafikant më akuzojnë”, tha ndër të tjera, Tahiri, duke akuzuar drejtpërdrejtë qeverinë e Ramës për korrupsion të koncesioneve dhe tenderëve, teksa thotë “Tenderaxhiu për të varfrit”. Tahiri pranoi që 4 vjet si ministër edhe mund të ketë gabuar, por luftoi kultivimin e hashashit, që sot nuk tremben të flasin, kryeministri, kolegët e tij deputetët socialistë, por edhe ministri Xhafa, por harroi të thotë për emërimet e tij të drejtorëve të policisë, të cilët bashkëpunuan me trafikantët e kultivimit dhe trafikimit ndërkombëtar të hashashit. Tahiri nuk foli pse Shqipëria e tërë u kanabizua, pse nga Shqipëria “eksportohen” me qindra tonë drogë, pse trafikantët e drogës trafikojnë drogë me makinën e tij. Tahiri nuk dha asnjë përgjigje pse në përgjimet e trafikantëve të drogës lakohet emri i tij si garanti dhe bashkëpunëtor? Tahiri akuzoi drejtpërdrejt kryeministrin Rama që emëroi ambasador edhe Vishon e SHISH, i cili kurrë nuk bashkëpunoi kundër krimit. Gjithashtu, Tahiri akuzoi edhe qeverinë e Ramës, që së bashku me deputetë të opozitës mbajnë 4 vite në sirtar ligjin për lojërat e fatit. Tahiri drejtpërdrejt akuzoi edhe për mediat e blera dhe ndoshta nënkupton kryeministrin Rama, kryebashkiakun Veliaj. Tahiri pohoi që qeveritarët kanë shitur ujërat, lumenjtë, pasuritë e Shqipërisë dhe mbase e ka fjalën për koncesionet e qeverisë së Ramës. Tahiri kritikoi hapur edhe 2 ambasadorët që edhe pse i rrinin qeverisë dhe parlamentit mbi kokë, ata i duartrokitnin, dhe Tahiri fotografon ambasadorin e SHBA Lu, i cili e ka denoncuar publikisht disa herë, por edhe zonjën Vllahutin. Së fundi, Tahiri denoncoi pse vetingu nuk fillon edhe për politikanët, sepse ata tremben, ngaqë kanë përvetësuar pasuri marramendëse. 

Më akuzon Sali Berisha e gjithë lukunia që e kanë bërë gojën çorape me shpifje pafund për mua, ndërkohë që vetë kanë qenë e janë akoma pas murit të paprekshmërisë të pa hetuar e të pagjykuar për vrasje, vjedhje, plaçkitje të Shqipërisë, me keq se çdo pushtues.

Më akuzon Monika dhe Ilir Meta, që zoti e di se ngado t’i kapësh e rrotullosh, nuk ka ujë të shenjtë që mund tua lajë ç’kanë bërë.

Edi Rama i falënderoi për kontributin opozitar. Ndërsa pasardhësi im në detyrë, me akuzat për policinë e kriminalizuar, ia kaloi edhe Saliut edhe Lulit.

Por pyes, pas drejtësisë përse nuk e filluam nga vetja ne me vettingun? Deputetë, ministra, zv/ministra, politika në tërësi, pas gjyqtarëve dhe prokurorëve pse nuk e vazhduam vetingun me veten? Rri e dëgjoj garën se kush e gjen e kush e kap peshkun e madh. Ca thonë banda është në pushtet, ca në parlament, ambasadorë lart e poshtë flasin për mafiozë dhe banda shqiptare, edhe ministri brendshëm numëron në televizor bandat, një tmerr për të marrë valixhet e për të ikur.

Deklaratat e politikanëve për dorëheqjen e Tahirit
Kryeministri Rama: Dorëheqje dinjitoze e Saimir Tahirit 
Kryeministri Edi Rama ka vlerësuar dorëzimin e mandatit të deputetit nga Saimir Tahiri, duke e konsideruar akt dinjitoz. Në një intervistë për Tv Klan Kryeministri Rama ka mohuar që t’i ketë sugjeruar Tahirit të dorëzojë mandatin e deputetit. Ai thotë se nuk ka pasur dijeni paraprakisht për dorëheqjen e Tahirit, duke arsyetuar se prej 6 muaj ish-ministri i Brendshëm nuk është pjesë e grupit parlamentar të PS. Edi Rama: Një akt dinjitoz, në kujtesën time, i pari i këtij lloji në historinë e parlamentit shqiptar, i respektueshëm plotësisht. Unë gjykoj asgjë nga ato që thuhen në këtë rast, sepse ky është një rast për të cilin jam shprehur qartë këtu e 6 muaj më parë, se i takon Saimir Tahirit dhe drejtësisë. Saimir Tahiri ka qenë ministër i Brendshëm pothuajse një mandat të plotë me mua dhe unë nuk i heq asnjë presje të gjithë atyre që kam thënë në kohën kur ai ishte ministër i Brendshëm, sepse kam mbështetur dhe vlerësuar punën e tij. Ashtu sikundër mbështes dhe vlerësoj punën e ministrit aktual të Brendshëm. Janë natyra të ndryshme, janë qasje të ndryshme, janë stile të ndryshme. Përfytyroni se në ç’mjerim do të ishte Evropa nëse do të fliste për shqiptarët nëpërmjet Sali Berishës dhe Monika Kryemadhit. Por, ata nuk kanë asnjë lidhje me Evropën në kuptimin e zëdhënies në emër të Evropës dhe fatkeqësisht janë sot kundërshtarë të vendosur të rrugës sonë për të ecur më shpejt drejt Evropës për të çelur negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Unë në Gjermani nuk kam pasur asnjë presion. Në Gjermani në komisionin çështjeve evropiane, unë thjesht i jam përgjigjur interesimit të një deputeti për këtë çështje duke dhënë edhe shpjegime bazuar në qëndrimin tonë që është publik këtu. Hapja e negociatave nuk ka lidhje fare me këtë rast dhe lëre më pastaj me këtë gjest. Hapja e negociatave është tani më një çështje politike.
Kreu i PD-së Lulzim Basha: Dorëzimi i mandatit të Saimir Tahirit është manovër politike e Edi Ramës
Dorëzimi i mandatit nga Saimir Tahiri është vazhdim i paktit Rama-Tahiri. Është fakt se dorëheqja nga mandati erdhi pas presionit direkt që iu bë Edi Ramës në Berlin, ku iu tha se është e pa tolerueshme mbrojtja politike që i bëhet Saimir Tahirit me imunitet parlamentar kundër veprimeve të drejtësisë. Ky është akt hileqar për të mashtruar partnerët, se gjoja Saimir Tahiri nuk ka imunitet politik dhe se gjithçka është në dorën e prokurorisë. Nëse Tahiri del para drejtësisë, Edi Rama del para drejtësisë. Nëse Saimir Tahiri është i lirë, Rama është i lirë. Dorëzimi i mandatit të Saimir Tahirit është manovër politike, pasi Edi Rama ka futur nën kontroll të plotë Prokurorinë, të cilën e përdor si dhe sa herë t’i duhet për të mbrojtur pushtetin e vet kriminal. Dorëzimi i mandatit të Tahirit nuk e shpëton Edi Ramën.
Monika Kryemadhi: Saimir Tahiri ishte një ushtar i vogël i perandorisë së Ramës
“Dorëzimi i mandatit nga Saimir Tahiri është shumë qesharak se më 19 prill vrapoi për në seancë për të mos humbur mandatin. Tahiri një nga ushtarët e vegjël të perandorisë së drogës së Edi Ramës dhe kërkon vetëm sa të mundet që t’i japë oksigjen Edi Ramës dhe grupeve të tyre kriminale por kjo është thjesht një teatër fëmijëror, i cili nuk mund t’i hedhë hi syve shqiptarëve dhe aq më tepër opozitës. Saimir Tahiri ishte një ushtar i vogël i perandorisë së tij, të cilët janë bërë shumë qesharak me kodet e tyre mafioze që vetëm mafiozët mund t’i deshifrojnë duke i dhënë njeri-tjetrit në distancë. Për sa i përket akuzave të Saimir Tahirit mos u shqetësoni, për opozitën është fat i madh të akuzohet nga një njeri i cili e di gjithë komuniteti ndërkombëtar, e dinë gjithë shqiptarët që ishte një nga nga njerëzit kryesorë që zbatoi planin famëkeq të Edi Ramës për kanabizimin. Bërja kurban vetëm për 2 orë të Saimir Tahirit tregon dhe do të jeni ju prezentë akoma dhe më shumë që sistemi i drejtësisë, prokuroria shqiptare janë jo vetëm të kapura por edhe instrumente në duart e Edi Ramës. Dorëzimi i mandatit është një kompromis i radhës Edi Ramës i cili për të shpëtuar, ju e keni parë se një njeri që është në presion si Edi Rama thotë ‘jo mor burrë’, ‘jo mor burrë’. Drejtësia është në duart e Edi Ramës që është koka e krimit të organizuar”. 
Berisha: Dorëzimi i mandatit nga Tahiri, fitore për qytetarët, por duhet të ikë Rama
Edvin Kristaq Rama është arkitekti i zi i politikës së kanabizimit, kokaizimit dhe heroinizimit të Shqipërisë. Asgjë nuk sjell flakja e Saimir Tahirit jashtë parlamentit deri sa Edi Rama qëndron në parlament. Dorëzimi i mandatit të tij sot është dëshmi e forcës së krimit. Atë që nuk e bëri dot parlamenti e bëri Saimir trafiku. Në vend se një parlament të ketë forcën për t’i hequr mandatin nuk ia hoqi dot. Një takim i fshehtë është paralajmëruar se është bërë në një spital privat të Tiranës. Edvin Kristaq Rama përpiqet me çdo kusht të mbijetojë, ai nuk e kupton se bota nuk po kërkonte dorëheqjen e Saimir Tahiri po të tij”.
Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj: “Nuk iu heq asnjë presje atyre që kam thënë më parë”
Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj ka komentuar akuzat e Saimir Tahirit pas dorëheqjes së këtij të fundit nga mandati i deputetit. Teksa i kthehu përgjigje Tahirit për akuzat, Xhafaj theksoi se ‘Nuk iu heq asnjë presje atyre që kam thënë më parë’. Kujtojmë se sot Tahiri pohoi se Xhafa sulmon policinë më keq se Sali Berisha.
Pas dorëheqjes së mandatit nga Tahiri, duket se një nga politikanët më të vjetër, Spartak Braho ka mundësinë të hyjë në parlament. Braho ishte i 19-ti në listën e PS-së për Tiranën. Nëse Braho nuk e pranon mandatin, ai i kalon kreut të Forumit Rinor Eurosocialist Eljo Hysko, i cili renditej pas tij.
Sigal