Prof.Dr.Elmaz Sherifi: Ti jepet fund eksperimenteve me Shqipërinë

199
Prof. Dr. Elmaz Sherifi
Sigal

Reforma në Drejtësi si një model eksperimental

Nentitull: Sistemi Gjyqësor është cënuar nga procedimet e zgjatura, nga vendimet e pakta që janë dhënë dhe nga dosjet e shumta që mbeten pezull (Progres-Raporti)

Prof.Dr. Elmaz  Sherifi

Intervistoi: Mimoza Erebara

 

Eksperimenteve duhet t’u mbyllet dera dhe të respektohet Kushtetuta e cila ndryshoi me votat e 140 deputetëve katër vjet më parë

Problemi i Reformës në Drejtësi në të vërtetë është edhe “thembra e Akilit” për çdo sistem demokratik, është baza nga e cila nisemi për të gjykuar edhe shkallën e vetë kësaj demokracie. Prej mëse 30 vjetësh në Shqipëri është eksperimentuar herë pas herë në varësi edhe të gjeopolitikave ndërkombëtare, por edhe të të politikave kombëtare, që në shumicën e rasteve, sikur edhe vetë ne jemi dëshmitarë kanë shkuar  sipas interesave partiake të kahjeve të kundërta politike. Kjo ka çuar në një ngërç besimi tek qytetarët se ndonjëherë do të ketë një sistem adekuat, të përcaktuar për të zgjidhur problemet e tyre me gjyqësorin, por edhe në një ngërë institucional  për kompetencat e këtyre gjykatave dhe  dualitetet e strukturave rreth tyre.Po të lexojmë  edhe Raport Progresin e fundit për Shqipërinë, do të shohim se edhe në të ka një impenjim të madh pikërisht për sistemin gjyqësor dhe për vazhdimësinë e Reformës Gjyqësore në Shqipëri. Rreth këtyre çështjeve folëm edhe me Profesor Elmaz Sherifin:

Është folur shumë për Reformën në Drejtësi, në fakt çfarë po ndodh me të? A do të vazhdojë dhe si? Cilat mund të jenë rrugët që rekomandohen edhe nga ndërkombëtarët dhe si mund të përshtaten ato me kushtet shqiptare.

Është fakt që opozita ka qenë protagoniste e legjislacionit për dekriminalizimin, ndërsa institucionet që u krijuan për zbatimin e legjislacionit nuk po ngjallin besim

Reforma në Drejtësi ka qenë një nga sfidat e faktorit ndërkombëtar dhe maxhorancës qeverisëse. Ato u shoqëruan me ndryshime të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe shpesh janë trajtuar me pompozitet si sukses dhe udhërrëfyese për Maqedoninë e Veriut dhe Kosovën. Unë e kam konsideruar një model eksperimental dhe realiteti i zhvillimeve politike besoj se më jep të drejtë. Në Raportin e fundit të KE shprehen rezerva për mungesën e progresit në lufën ndaj korrupsionit në nivelet e larta të pushtetit. Kosova dhe Maqedonia e Veriut refuzuan që ta zbatojnë eksperimentin e Shqipërisë. Dhe tani vetë “ekspertët” ndërkombëtarë kërkojnë të ndryshohet përsëri kushtetuta që të shtyhet mandati i KPK dhe Komisionerit Publik, kur zgjidhja është parashikuar me norma kushtetuese. Mendoj se eksperimenteve duhet t’u mbyllet dera dhe të respektohet kushtetuta e cila ndryshoi me votat e 140 deputetëve katër vjet më parë.

Pse u krijuan vakuume në Gjyqësor? Çfarë risku sjellin ato për qytetarët dhe a do vazhdojë kjo në një kohë të pacaktuar, sipas jush?

Dështimi i paralajmëruar i Reformës me Pushtetin Gjyqësor, është më i dukshmi, dhe pasojat janë mbi qytetarët që janë në procese gjyqësore prej disa vitesh. Ky pushtet nuk është efektiv në të gjitha shkallët dhe Gjykata e Lartë nuk është plotësuar me anëtarët e saj. Sikur kjo të mos mjaftonte, tani kërkohet që të ulet edhe numri i Gjykatave të Apelit. O temporas o mores! Tani u kujtuan “ekspertët e Reformës në Drejtësi ta ristrukturojnë Pushtetin Gjyqësor ?

Dështimi i paralajmëruar i Reformës me Pushtetin Gjyqësor, është më i dukshmi, dhe pasojat janë mbi qytetarët që janë në procese gjyqësore prej disa vitesh

 

Sipas jush, a është e shitur kauza e drejtësisë prej Opozitës, nëse po, si? Po edhe nëse jo, cilat janë argumentet e juaja?

Unë nuk kam besuar asnjëherë në këtë tezë dhe si antitezë do të konsideroja votimin e ndryshimeve kushtetuese dhe ankesat e saj të përsëritura për deformimet e bëra. Koha iu ka dhënë të drejtë dhe Komisioni i Venecias u ka dhënë të drejtë për disa ankesa. Është fakt që opozita ka qenë protagoniste e legjislacionit për dekriminalizimin, ndërsa institucionet që u krijuan për zbatimin e legjislacionit nuk po ngjallin besim, pasi nuk po akuzojnë asnjë ministër a ish ministër për krimin e korrupsionit aktiv.

Faleminderit !