DASH: Shqipëria, parajsa e pastrimit të parave

534
Në raportin e dytë brenda pak javësh, Uashingtoni jep alarmin për përhapjen e krimit, korrupsionit dhe institucionet e dobëta
Departamenti Amerikan i Shtetit e ka klasifikuar Shqipërinë në listën e vendeve më të mëdha të pastrimit të parave për vitin 2017. Në raportin e fundit mbi Strategjinë e Kontrollit të Narkotikëve, DASH thotë se Shqipëria mbetet në rrezik domethënës për pastrim parash për shkak të korrupsionit të gjerë dhe institucioneve të dobëta. “Shqipëria ka një ekonomi të madhe cash dhe informale, me flukse domethënëse parash që hyjnë nga jashtë në formën e remitancave. Burimet kryesore të parasë kriminale vijnë nga trafiku i drogës, evazioni fiskal, kontrabanda dhe trafiku i qënieve njerëzore”, thuhet në raport. Por çfarë do të thotë klasifikimi në listën e vendeve kryesore të pastrimit të parave? Sipas Departamentit të Shtetit, në vendet që bëjnë pjesë në këtë listë, institucionet financiare kryejnë transaksione, të cilat përfshijnë shuma domethënëse parash që burojnë nga trafiku i drogës. “Ndërtimi, veçanërisht në zonat bregdetare, projektet e biznesit dhe kumari janë metodat më më popullore të pastrimit të parave në Shqipëri”, thuhet në raport. Sipas Departamentit të Shtetit, institucionet shqiptare janë inefektive në luftën kundër pastrimit të parave. Si rezultat paratë e pista në vend pastrohen lehtësisht. Shqipëria u rikthye në listën e zezë të pastrimit të parave vitin e kaluar për shkak të rritjes masive të trafikut të drogës dhe parasë kriminale në ekonomi. Edhe këtë vit Departamenti i Shtetit e ka mbajtur Shqipërinë në të njëjtën listë, duke i kërkuar qeverisë të forcojë luftën ndaj pastrimit të parave, dhe të konfiskojë pasuritë e vëna në mënyrë të paligjshme.

Vetëm pak javë më parë, një tjetër raport i Departamentit amerikan të Shtetit shprehej se problemet më të konsiderueshme të të drejtave të njeriut në vitin 2017 në Shqipëri, ishin “kufizimet në lirinë e shprehjes dhe të shtypit, përfshirë autocensurën dhe frikësimin e gazetarëve shkaktuar nga interesat financiare dhe politike; dhe korrupsioni i përhapur në të gjitha degët e qeverisë”. Për sa u takon zgjedhjeve, raporti i referohej OSBE-së, kur thotë se zgjedhjet respektuan liritë themelore, por u ndikuan negativisht nga akuzat për blerje votash dhe presion ndaj votuesve. Në raportin e përvitshëm për të Drejtat e Njeriut thuhej se mosndëshkueshmëria mbeti një problem serioz. “Ndjekja penale dhe veçanërisht gjetja fajtorë e zyrtarëve që kanë kryer shkelje ishte sporadike. Zyrtarët, politikanët, gjykatësit dhe persona me interesa të fuqishme biznesi ishin shpesh në gjendje të shmangnin ndjekjen penale”, nënvizohej në raportin që doli dje. Departamenti i Shtetit thotë se gjatë vitit 2017, “korrupsioni ishte i përhapur në të gjitha degët e qeverisjes” në Shqipëri. “Mes janarit dhe gushtit, zyra e Prokurorit të Përgjithshëm regjistroi 185 hetime të reja korrupsioni. Gjatë së njëjtës periudhë, 122 persona dolën në gjyq për shkelje të lidhura me korrupsionin dhe 99 u shpallën fajtorë”, thuhej në raport. “Ndërsa prokurorët shënuan përparim të konsiderueshëm në ndjekjen e rasteve të korrupsionit në nivele të ulëta, përfshirë prokurorë dhe gjykatës të korruptuar, ndjekja penale e krimeve të niveleve më të larta nuk po ndodh, për shkak të frikës së hetuesve për hakmarrje, një mungese të përgjithshme burimesh dhe korrupsionit brenda vetë gjyqësorit”, shprehej raporti. Probleme të ngjashme përmenden edhe për gjyqësorin. “Presioni politik, frikësimi, korrupsioni i përhapur dhe burimet e kufizuara disa herë nuk e lejuar gjyqësorin të funksiononte në mënyrë të pavarur dhe efektive”, thuhet në raport. Po ashtu thuhet se politizimi i emërimeve në Gjykatën e Lartë dhe atë Kushtetuese vunë në rrezik pavarësinë dhe integritetin e këtyre institucioneve dhe se Ministria e Drejtësisë nuk mori masa të duhura disiplinore ndaj gjykatësve.
Sigal