David Phillips: Afrimi me Turqinë e mban Shqipërinë larg BE-së. Afera korruptive në investimet e mëdha

543
David Phillips i përgjigjet Ramës: Afrimi me Turqinë e mban Shqipërinë larg BE
David Phillips, ekspert i politikës së jashtme në SHBA, drejtor i Programit për Ndërtimin e Paqes dhe të Drejtat e Njeriut, i është përgjigjur kryeministrit Edi Rama, i cili tha se Brukseli nuk ka shqetësime për marrëdhëniet e ngushta të Shqipërisë me Erdoganin. Në një lidhje me skype nga SHBA për “Ora News”, Phillips tha se afrimiteti me Turqinë e mban Shqipërinë larg BE.
Besoj se e keni dëgjuar përgjigjen që i dha kryeministri shqetësimit të shprehur nga ana juaj në një intervistë për “Zërin e Amerikës” në lidhje me orientimin e Shqipërisë apo mesazhet e dyfishta që dërgonte drejt Perëndimit, por edhe drejt Turqisë apo vendeve të tjera që mund të përbënin rrezik për stabilitetin e Shqipërisë. Keni një koment për përgjigjen që ktheu zoti Rama?
“Në intervistën time për ‘Zërin e Amerikës’ kryeministri Rama ka interpretuar diçka që kam thënë, që ishte diçka shumë pranë të vërtetës. Ajo ka të bëjë me një përgjigje jo shumë të qartë. Ne duhet të kemi një qëndrim të qartë për qëndrimin e Shqipërisë në lidhje me Turqinë dhe vendet e tjera perëndimore”.
Rama tha se në Bruksel nuk ka shqetësim për marrëdhënien e Shqipërisë me Erdoganin, po në SHBA?
“Le ta qartësojmë fillimisht marrëdhënien e BE me Turqinë. PE ka votuar për të pezulluar procesin e anëtarësimit dhe Junker ka deklaruar se Turqia nuk do të anëtarësohet në një kohë të shpejtë dhe Shqipëria nuk duhet të mbajë një shoqëri të afërt me Turqinë, pasi e sjell Shqipërinë më larg me BE. SHBA-të janë të shqetësuara, kanë vetëm një pikëpamje. SHBA nuk kanë një mik më të mirë se Shqipëria në këtë rajon. Ne duam të mbajmë këtë bashkëpunim të ngushtë e, sidomos, kur ka çështje shumë shqetësuese për atë që Turqia po luan si rol në rajon, duke blerë edhe raketa nga Rusia, duke mbështetur grupime të tjera në Rusi. Ne duam ta mbajmë Shqipërinë afër me Perëndimin, pasi Shqipëria dhe SHBA kanë vlerësim të ndërsjellë dhe këto marrëdhënie të ngushta me Turqinë nuk janë në interes të Shqipërisë dhe nuk janë diçka që e duan BE dhe SHBA”.
Kryeministri Rama është shprehur se ai është i interesuar për çdo investim që mund të kryejnë kompanitë e ligjshme, sa i takon vendit të origjinës, përfshi edhe ato turke, pasi Turqia dhe investimet e tyre në Shqipëri nuk përbëjnë asnjë rrezik për sovranitetin apo kërcënim për Shqipërinë.
“Do të doja të dija se nga vijnë paratë. Ka shumë akuza për asete publike, përfshirë Telekomin dhe teknologji të tjera, e sigurisht është një situatë e sikletshme për të ndërtuar një aeroport në Vlorë. Këto asete të mëdha infrastrukturore dhe të telekomunikacionit janë të konsiderueshme dhe ndoshta mund të jenë praktika korruptive dhe për to duhet një monitorim më i madh. Duhet të jetë një qartësim që nuk ka mënyra të jashtëligjshme dhe duhet parë ,që politikanët shqiptarë nuk përfitojnë nga kjo marrëdhënie me Turqinë”.
Sa të rrezikshëm e shihni realisht shqetësimin për një ndikim rus apo turk në Shqipëri në kushtet kur sondazhet flasin për një qasje të fortë perëndimore të Shqipërisë, 90% e shqiptarëve janë pro anëtarësimit në BE. A është shqetësimi juaj, siç u shpreh Rama jashtë realitetit, apo ka të vërtetë në të?
“Ata kanë qenë përgjegjës për krime shumë të mëdha, pra Turqia. Dua të shoh që Shqipëria të ruajë sovranitetin e saj, të bëhet më e hapur dhe një aleat më i besueshëm në NATO. Zoti Rama nuk duhet t’i bashkohet të tilla frymave ndërkombëtare. Shqipëria duhet të mbetet një vend sovran dhe sa më shumë ta zhvillojë këtë marrëdhënie me Turqinë, aq më shumë dëmtohet kjo gjë. Kjo është mundësia më e mirë që Shqipëria të përfitojë nga të gjitha marrëdhëniet, jo vetëm nga BE, por edhe nga partnerë të tjerë”.
Patët një ftesë indirekte nga kryeministri për t’u takuar për të pirë një kafe, për të sqaruar qëndrimet dhe për të dhënë argumentet tuaja në lidhje me shqetësimin që keni shprehur. Nuk e di si do t’i përgjigjeshit kësaj ftese?
“Unë e kam pritur kryeministrin në Universitetin Colombia, ai është takuar me liderë të tjerë, ne kemi biseduar atje. Interesi im është vetëm në një Shqipëri të mirë, një të mirë të përbashkët në rajon dhe kjo përputhet me interesat. Do të pija një kafe me kryeministrin Edi Rama në çdo kohë, por kur ne flasim nuk ka asnjë biznes që kryhet për të kompromentuar asetet e qytetarëve shqiptarë apo që minon prosperitetin e tyre. Prosperiteti i një qytetari nuk duhet të marrë prosperitetin e një kombi të gjithë dhe territori shqiptar me lidershipin e tij janë në rrezik. Jo vetëm sovraniteti i Shqipërisë, por edhe i Kosovës. Sovraniteti i këtyre vendeve duhet të mbetet një, duhet të ketë zhvillim ekonomik, duhet të ketë mbajtje të territorit të përbashkët që të diskutohet më pas për interesa. Kjo është diçka që SHBA-të duhet ta shohin dhe për këtë të shpresojmë”.
Sigal