Astrit Patozi: “Opozita është vënë në litar. Akti normativ është aventurë”

565
Sigal

INTERVISTA/ Deputeti i PD-së, Astrit Patozi, në emisionin “Prizëm” të tv AS me Aleksandër Furxhi

–  Qeveria e majtë po bën ndryshimet në administratë. Ku qëndron sipas jush ndryshimi me atë që beri qeveria e mëparshme me 2005?

– Ajo që mund të priste një njeri apolitik në Shqipëri,  megjithëse të tillë janë shumë të rrallë në këtë vend, do të ishte një fotokopje e asaj që ndodhi  ne 8 vitet e shkuara. Që pala që vjen fillon e zgjedh stafin e saj. Por çfarë po ndodh? Jemi te pakrahasueshëm. Më vjen shumë keq për këtë që Shqipëria në  8 vjet të bëjë kaq shumë hapa mbrapa. Jo thjesht debati për ligjin e nëpunësit civil, që është një debat më vete dhe  është një far atentati në raportet mes maxhorancës dhe opozitës në Shqipëri. Por qoftë edhe për mënyrën se si është kompozuar kabineti i Edi Ramës, por mbi të gjitha emërimet e para, që janë më të rëndësishme, sepse japin mesazhin se çfarë qeverie do të kemi. Kur qeveria u votëbesua në parlament, unë thashë që prapa kemi një kabinet privat për herë të parë në jetën politike të këtij vendi. Ne kemi pasur shumë qeveri në këto 23 vjet, me të mirat dhe të këqijat e tyre të krahasueshme apo te pakrahasueshme me njëra- tjetrën. Por kanë pasur një pikë që i bashkonte me njëra-tjetrën. Me pak fjalë ishin qeveri politike, ku përfaqësonin atë prerje që  shoqëria shqiptare kishte në atë moment të caktuar, përfshi trillet dhe kapriçot e kryeministrit të radhës.

– Ku qëndron e keqja e një qeverie jopolitike sipas jush?

– Një qeveri private do të thotë një qeveri jopublike.

– Po qe se për këtë arsye dështon kjo qeveri, a nuk do të ishte një  kapital dhuruar opozitës?

– Qeveritë e mëparshme si e Berishës, Majkos, Metës, Nanos etj., kanë qenë qeveri që kanë përfaqësuar PS-në  apo PD-në, po dhe forcat e tjera të koalicionit në atë moment të caktuar. Ne këtë rast, kemi një qeveri private, që është e gjitha nën vullnetin e Edi Ramës, si kryeministër dhe jo si kryetari i PS-së. Kjo është e rëndë për mua. Sepse vendimmarrja  është një operacion shumë i vështirë, që kërkon një minimum kolegjialiteti dhe një minimum përgjegjësie. Pse e dua unë qeverinë politike? E dua që të ketë njerëz që të mbajnë përgjegjësinë mbi supe, siç ndodhi me partinë demokratike. Jo vetëm Sali Berisha duhet të mbaje përgjegjësi për humbjen, ashtu siç jo vetëm Sali Berisha ishte autori i fitoreve të PD-së. Kjo është a-ja e një demokracie.

 -Një nga aksionet e para të opozitës është bojkoti i parlamentit. A nuk është ky një veprim për të cilin ju kritikonit opozitën e mëparshme?

-Është krejtësisht e kundërta. Së pari ky nuk është bojkot final, por është një gjest politik i ndodhur në rrethana të caktuara dhe rrethana shumë rënduese. Të bëjmë krahasimin. PS-ja në vitin 2009 bojkotoi parlamentin për gjashtë muaj rresht dhe kishte gjasa që ta bojkotonte në mënyrë përfundimtare , në rast se nuk do të ishte shtuar presioni. Pa asnjë argument, por me pretendimin se zgjedhjet ishin të manipuluara ndërkohë që nuk kishte asnjë provë për ta dëshmuar këtë gjë. Ne pas katër vitesh, shkuam në parlament dhe pranuam rezultatin. Pranuam rolin e opozitës megjithëse kishim shumë prova se maxhoranca e sotme kishte futur duart tek kutitë e votimit dhe kishte tjetërsuar një mandat. Për më shumë mandate, unë nuk mund të them se nuk u hapën kutitë, ashtu siç Edi Rama kërkonte në vitin 2009. Pavarësisht provave që falangat e krimit kishin  dhënë para dhe kishin futur duart tek kutitë e votimit , kishin ndryshuar edhe mandate, ashtu siç ndodhi në Lezë. Ne pranuam rezultatin, shkuam në parlament dhe nuk bojkotuam. Ky është standardi që ne na diferencon ,ne të djathtët nga të majtët.

– Por nuk do të kishte qenë njësoj n.q.s diferenca do të kishte qenë e ngushtë. Ju ishit të sigurtë se kishit humbur, prandaj…

– Jo. Po pse, çfarë rëndësie ka se sa humbet? Çfarë na gjeti ne që kishim fituar me 1 votë, po themi.

– N.q.s një mandat deputeti përcaktonte qeverinë, natyrisht që ju s’kishit se si të shkonit në parlament…

-Jo, nuk është kështu. Në vitin 2009 ne dolëm me 70 deputetë dhe e kishim të pamundur që të krijonim një qeveri dhe u desh ardhja e LSI-së  që ne të qeverisnim për 4 vite. Megjithëse maxhoranca ishte shumë e brishtë, kjo s’na pengoi fare që të qeverisnim të qetë në katër vite. Sepse kishte një parimësi që na udhëhiqte. Gjë që nuk e ka kjo maxhoranc sot, për një mijë arsye. Prandaj unë them se kjo maxhorance mund të jetë edhe me e brishtë, pavarësisht se duket e fryrë në numra.

– Si e parashikoni do te ndodh ndonjë sot me Aktin Normativ, apo është histori e mbyllur?

– Unë besoj se kjo është një histori e mbyllur dhe se ishte fyese edhe pseudooferta që iu bë PD-së gjoja për te dialoguar. Sa kohë që ti ke bërë gati një akt normativ, sa kohë që ti je kujdesur të marrësh edhe deputetin e 84-të që ta kesh, opozita po trajtohet si e pa nevojshme dhe opozita në këto kushte është e detyruar të bëj disa gjeste politike për të sensibilizuar më shumë opinionin vendas dhe atë ndërkombëtar për atë qe po ndodh.