Blerina BRAHO/ Shqipëri, pritje të mbarë në korridorin e BE-së

634
Sigal

Komisioni Europian rekomandoi që, “Shqipëria të marrë Statusin e vendit kandidat duke rënë dakord që ajo të vazhdojë të ndërmarrë aksione në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit”. Ky ishte formulimi që ju paraqit dje vendeve anëtare të Bashkimit europian, nga komisionari Stefan Fyle. Ndërkohë hapja e bisedimeve kushtëzohet me përmbushjen e detyrimeve veçanërisht për reformën në administratë, shtetin ligjor dhe të drejtat themelore. Ky ishte lajmi që shumë shqiptarë prisnin deri më sot, por duhet thënë se ai shënon vetëm fillimin i një pritje pafund, që destinohet të përjetojë Shqipëria para portës së BE-së. Pra, BE-ja sapo na tha, “mirëserdhe në dhomën e pritjes e dashur Shqipëri. Ti ke bërë progres në plotësimin e kritereve politike të Kopenhagenit, që kërkojnë stabilitet të institucioneve demokratike, zbatimin e ligjit, të drejtave të njeriut dhe mbrojtje të minoriteteve, por ama ke dhe shumë punë përpara, për tu bërë anëtare”. Kjo është e vërtetë. Shqipërisë i duhen vite të tëra për tu bërë anëtare e denjë e eurozonës. Këtë e kuptojmë më qartë sikur thjesht të sjellim në mendje shembullin e Turqisë. Turqia ka kohë që është duke pritur në pragun e Bashkimit Evropian. Adenauer dhe De Gaulle folën për të ardhmen evropiane të vendit, që gjendet mes Azisë dhe Evropës, që një gjysmë shekulli më parë. Në vitin 1999, Turqia ka marrë statusin e kandidatit për anëtarësim në BE dhe që atëherë, shumë gjera kanë ndodhur, shumë vende të tjera janë pranuar në BE, por Turqia është ende duke pritur në korridor. Ajo sot është një superfuqi ekonomike (ku disa të drejta njerëzore shkelen) dhe qytetarët e saj nuk duan t’ja dinë nëse do të bëhen pjesë e kësaj BE-je të bekuar apo jo. Në këtë situatë do të jemi dhe ne mbase, pas 10 vjetësh. Do të jemi aty në korridor duke pritur me Turqinë, duke i bërë shoqëri njëri-tjetrit. Por a do të jemi superfuqi ekonomike? Kjo pritet për t’u parë në të ardhmen, por ama duket e paarritshme, për disa dekada, që të dalim nga kjo krizë borxhesh, ku tregtia vendase është përtokë (pasojë direkte e mallrave të importuar europianë kjo) dhe shumë gjëra të tjera nuk funksionojnë. Deri më sot, shqiptarët kanë përfituar, dhe do të përfitojnë, vetëm nga lëvizja e lirë në hapësirën evropiane, sa për të tjerat anëtarësimi në BE nënkupton më shumë humbje se sa fitim për Shqipërinë.

Gjithsesi duke iu rikthyer lajmit të freskët, Shqipëria ka mundësi pozitive për të marrë statusin e vendit kandidat në dhjetor, gjatë mbledhjes se Këshillit të Ministrave të vendeve anëtare në BE, mes të cilëve sigurisht nuk mungojnë skeptikët. Por deri atëherë dhe pas marrjes së statusit, Shqipëria do të jetë “duke pritur Godonë”.