Miranda Haxhia/ A ndikojnë “marrëveshjet e fshehta” në prokurimet publike?

723
Në auditimin e prokurimeve publike, Kontrolli i Lartë i Shtetit shpesh ndeshet me dilema të tilla siç është rasti i ndikimit të marrëveshjeve të fshehta mes operatorëve ekonomike për të fituar një tender të caktuar, në një procedurë prokurimi. Rëndom kjo situatë ndodh në prokurimet me vlera të mëdha si në prokurimet për punë publike. Operatorët ekonomikë duke përdorur rregulla të caktuara mundësojnë strategji të fshehta në tendera. Këto janë të bazuara në aftësinë e tyre (pra të një grupi ofertuesish) për të koordinuar dhe paraqitur ofertat në mënyrë të tillë që të çojnë në ndryshimin e rezultatit për ofertuesit e tjerë, me qëllim penalizimin në vlerësimin dhe renditjen e tyre. Legjislacioni i prokurimit publik, kërkon që përzgjedhja e fituesve në kontratat publike të bëhet mbi bazën e parimit të mosdiskriminimit, transparencës në procedurat e prokurimit, barazisë në trajtimin e kërkesave dhe detyrimeve që kanë ofertuesit, duke garantuar se tenderat janë vlerësuar në kushtet e konkurrencës efektive. Prokurimi publik, ka nevojë për të projektuar me saktësi tendera konkurrues. Në këtë drejtim, kriteret e vlerësimit të përcaktuar në rregullat e prokurimit me të cilin do të krahasohen të gjitha ofertat, duhet të sigurojnë trajtim të barabartë të të gjithë ofertuesve me qëllim nxitjen e konkurrencës së vërtetë midis tyre. Megjithatë, këto karakteristika nuk janë të mjaftueshme për të siguruar konkurrencën e lirë. Kriteret efektive të vlerësimit duhet të jenë jo për ta manipuluar, por për të shmangur rrezikun e transformimit të një tenderi konkurrues në një tender rezultat i një marrëveshjeje të fshehtë. Fenomeni i marrëveshjeve të fshehta në oferta, në prokurimet publike, i parë në këndvështrimin e auditivit të jashtëm, është më evident në prokurimin e punëve publike për projektimin apo ndërtimin e rrugëve, ku dhe vlera e fondeve publike e vënë në dispozicion nga buxheti i shtetit është në vlera relativisht të mëdha. Nga auditimi i ushtruar në Autoritetin Rrugor Shqiptar për vitin 2014, KLSH konstaton se marrëveshjet e fshehta në oferta, tashmë janë kthyer në monopol të operatorëve ekonomikë, duke krijuar kartelet e tyre dhe dominancën në treg. Konstatimi i KLSH, por jo i pari i këtij lloji, ka hedhur dritë se fenomeni i marrëveshjeve të fshehta në oferta mes operatorëve ekonomikë, ndikon negativisht në konkurrencën e lirë, duke ulur numrin e ofertuesve. Element përbërës i këtyre marrëveshjeve që është dhe pjesë e konstatimeve të KLSH-së, është pjesëmarrja shumë e vogël e operatorëve ekonomikë në një procedurë prokurimi për punë publike. Meqenëse Autoriteti Rrugor Shqiptar prokuron për vlera limit kontrate në shuma të mëdha, aplikon shpesh prokurimin në lote, ku në çdo rast vlera limit e kontratës, është shuma e vlerës së secilit lot. Në këtë aspekt, operatorët ( pjesëmarrje e kufizuar, maksimumi tre operatorë) që marrin pjesë në lote për të njëjtin objekt prokurimi, janë të njëjtët. Në bazë të marrëveshjes së heshtur mes tyre, fitues janë të gjithë, sipas lotëve respektive. Skualifikimi i operatorëve në një lot dhe njëkohësisht shpallja fitues në një lot tjetër, tregon qartë se mes tyre ekziston një marrëveshje e fshehtë. Shpesh herë skualifikimi është banal, pasi bëhet për mosparaqitje nga ana e operatorit ekonomik të një dokumenti (si kriter i përgjithshëm për kualifikim) por që njëkohësisht ky operator i skualifikuar në këtë lot, kualifikohet tek loti tjetër. Një mënyrë e tillë sjelljeje e operatorëve ekonomikë, ka çuar që këta të kontrollojnë tregun dhe të vendosin rregullat e lojës në pjesëmarrjen e procedurave të prokurimit publik duke shmangur konkurrencën e lirë. Cili ka qenë roli i KLSH-së në rastin e këtyre konstatimeve, cilat janë rezultatet e auditimit të këtij fenomeni? Duke parë efektin negativ në rrotacionin e krijuar nga operatorët ekonomikë, si rezultat i marrëveshjeve të fshehta, KLSH për përmirësimin e gjendjes ka dhënë rekomandimet e nevojshme në ato subjekte ku janë konstatuar të tilla fenomene. Autoriteti Rrugor Shqiptar, është autoriteti kontraktor për prokurimin e punëve publike ku haset më shpesh një fenomen i tillë. Në këtë aspekt, KLSH në bazë të detyrimit që rrjedh nga marrëveshja e bashkëpunimit me Autoritetin e Konkurrencës, nëshkruar nga Kryetari i KLSH z. Bujar Leskaj, i ka rekomanduar këtij institucioni, që ka tagrin ligjor në zbatim të nenit 4 të Ligjit nr.9121, datë 28.7.2003”Për mbrojtjen e konkurencës”, që të hetojë për rrezikun e ekzistencës së një marrëveshjeje të ndaluar në oferta, për prokurimet publike (konkretisht kontratat e punëve civile). Ky rekomandim ka ardhur si pasojë e konstatimit nga auditimi i prokurimeve publike në Autoritetin Rrugor Shqiptar për vitin 2013, ku gjatë ofertimeve të njëpasnjëshme, ofertuesit konkurrues kanë ndjekur parimin e ”rrotacionit” në të qenarit fitues, element ky i ekzistencës së një marrëveshjeje të ndaluar. Për pasojë në procedurat e tenderimit të zhvilluara nga ky Autoritet Kontraktor me objekt ”Ndërtim i rrugës së Unazës së Jashtme Tiranë, pjesa verilindore (seg. Kthesa e Saukut -Bregu i lumit) loti 1, loti 2, dhe loti 3, ku vlera e kontratës në total është 6,989,000,022lekë, vërehet se të njëjtët operatorë ekonomikë të cilët kanë konkurruar për lotin 1 ku janë skualifikuar, rezultojnë fitues po mbi bazë rotacioni në lotin 2 dhe 3, duke konkurruar për të njëjtat kritere të vendosura në Dokumentet Standarde te Tenderit për secilin lot. Diferenca në vlerë nga oferta në ofertë është e papërfillshme nga loti në lot. Kjo mënyrë konkurrimi sjell si pasojë, që një grup i vogël operatorësh ekonomikë të kontrollojnë një pjesë të gjerë të tregut, duke hyrë në marrëveshje të fshehtë mes tyre dhe monopolizuar tregun. Me gjithë ndjeshmërinë e KLSH-së për të sinjalizuar në kohë organet kompetente mbi rrezikun e ekzistencës së marrëveshjeve të fshehta në oferta, një fenomen i tillë vazhdon të vërehet dhe sot në procedurat e prokurimit për vitin 2014, zhvilluar nga ARRSH. Kjo jo, për faktin se Autoriteti i Konkurrencës nuk bëri në kohë hetimin e nevojshëm në sinjalizimin e dhënë nga KLSH mbi këtë fenomen, por siç dihet “korrupsioni” në fund të fundit përkufizohet si shpërdorim i pushtetit publik për përfitime personale nga nëpunësit publikë, marrëveshjet e fshehta në prokurimet publike ose përvetësimi i fondeve publike. Nëse në luftën ndaj korrupsionit përfshihen të gjithë, atëherë dhe rrethi i ndikimeve negative të fenomeve korruptive zvogëlohet pasi gjithpërfshirja e aktorëve është mbizotëruese. Duke ju referuar mendimit filozofik sipas të cilit “Bashkimi është fillimi, harmonia në bashkësi është progres, të punosh së bashku është sukses”, nuk mjafton që në fokus të jetë konstatimi dhe rekomandimi i një institucioni auditues të lartë shtetëror, siç është Kontrolli i Lartë i Shtetit, por duhet që së bashku si aleatë të një skuadre, të punojnë dhe institucionet e tjera, në mënyrë që ky fenomen me ndikim negative në prokurimet publike të luftohet në rrënjë.
Sigal