Genci RAMA/ I nevojshëm dhe i domosdoshëm një program strategjik për rimëkëmbjen ekonomike

769
Sigal

*Ekspert Fiskal

Në këto 23 vjet, nga politika, shtypi, mediat, shoqëritë civile kemi dëgjuar dhe dëgjojmë analiza, komente, kritika nga më të ndryshmet vetëm për regjimin: ishte diktaturë tani jemi në demokraci, por në asnjë rast për rendin, ishte rend komunist ku ishte vetëm një pronar, Shteti, dhe tani jemi në rend kapitalist ku ka shume pronarë. Kjo ndodh sepse ne, shqiptarët, historikisht kemi pasur për bazë parimin “Politika në plan të parë’, parim që u çimentua në kohën e diktaturës, por që vazhdon edhe sot. Nuk duhet të jetë politika në plan të parë, por ekonomia, kapitali duhet të jenë në plan të parë.

Historia ekonomike ka treguar që, sistemet ekonomike më efektive sot janë sistemet ekonomike mikse ose të “Rrugës së Tretë”. Në Rrugën e Tretë, Shteti duhet të luajë një rol aktiv në ndërmjetësimin midis klasave, të inkurajojë arritjet e fitimeve private, të ofrojë shumë nxitje ndaj bizneseve, por edhe të kërkojë që i gjithë aktiviteti ekonomik t’i shërbejë interesit Kombëtar.

Pra thelbi i ‘Rrugës së Tretë’ është nevoja e ndërhyrjes së Qeverisë në nxitjen e ekonomisë kombëtare.

Instrumentet më të rëndësishëm për realizimin e këtij qëllimi ekonomik janë:

-TRURI- Bordi i Inteligjencës Ekonomike

-ZEMRA- Tregu Financiar dhe ai Bankar

-MUSKUJT- Korporatat e Mëdha dhe Politikat Fiskale.

Nëpërmjet realizimit të këtij programi ekonomik do të ndodhë edhe transformimi i ekonomisë shqiptare nga një ekonomi e dobët dhe aspak frymëzuese e deritanishme në një ekonomi të një vendi të begatë dhe të integruar në BE. Në këtë mënyrë do të realizohet ndarja një herë e përgjithmonë me atë që politika e deritanishme këto 23 vjet e quan Tranzicion.

Në këtë kontekst një rëndësi të veçantë, partia që është ne pushtet, duhet t’i kushtoj funksionimit të tregut financiar dhe bankar. Tregu Financiar, ku primar është BURSA, tek ne figuron vetëm në letër. Ky institucion, që me Ligj figuron që nga viti 1996 si Departament i Bankës së Shqipërisë, dhe që nga viti 2002 figuron si shoqëri aksionare, ku Ministria e Financave zotëron 100 % të aksioneve, nuk funksionon. Tek mosfunksionimi i këtij institucioni duhet gjetur shkaku kryesor i gjendjes së mjerueshme financiare që kemi. Bursa është tregu i kapitalit ku behet ballafaqimi kërkesë – ofertë për kapitale dhe ky ballafaqim behet me oferte publike. Pronari Shtet, duhet ta fillonte këtë aktivitet me atë që tek ne është quajtur privatizim. Por çuditërisht, i vetmi institucion që nuk është përfshirë asnjëherë këto 23 vjet në komente të ndryshme nga politika, shtypi, mediat është Agjencia Kombëtare e Privatizimit.

Në bursë duhet të ishte bërë dhe të bëhet Ankandi i Bonove të Thesarit. Por këto dy drejtime të këtij aktiviteti institucional nuk janë bërë asnjëherë në bursë. Këtu buron edhe shkaku kryesor i korrupsionit galopant dhe i moszhvillimit ekonomik.

Në programin ekonomik duhet t’i kushtohet rendësi edhe sistemit bankar, i cili nuk është mbështetës i ecurisë së bizneseve por është kthyer në një sektor pasiv për ekonominë. Rritja e kredive të pashlyeshme dhe pagesat e shumta që bëhen për komisione të ndryshme shërbimi e faktojnë më së miri këtë pozicion të sistemit bankar. Në këtë drejtim, konform ‘Rrugës së Tretë’, Shteti duhet të krijoje një bankë ku të zotëroj jo më pak se 51% të aksioneve.

Ristrukturimi i këtyre dy drejtimeve në Tregun Financiar, duhet të jetë një nga prioritetet e programit ekonomik të partisë në pushtet sepse do të jenë faktorët kryesor për zhvillimin, përballimin dhe minimizimin e efekteve të krizës ekonomike në ekonominë tonë.

Prioritet ndryshimi duhet të ketë edhe sektori shëndetësor, i cili fatkeqësisht deri më sot është sektori më i prapambetur dhe më i korruptuar, në një kohë që është sektori më i nevojshëm dhe i domosdoshëm për të gjitha shtresat e popullsisë. Për ristrukturimin e këtij sektori duhet, së pari, që ky sektor të shndërrohet në sektor me aktivitet edhe ekonomik. Sipas vlerësimeve të Bankës Botërore sektori më fitimprurës është sektori i shërbimeve, ku shërbimi mjekësor është primar. Prandaj është e nevojshme, dhe e domosdoshme, që ky sektor të shndërrohet në sektor juridik sipas Ligjit të Shoqërive Tregtare, pasi si spitalet ashtu edhe Instituti i Sigurimeve Shëndetësore akoma nuk kanë një status juridik bashkëkohor.

Në qendër të programit duhet të jetë edhe sektori i turizmit. Ne jemi një vend me resurse të shumta gjeografike, detare, fushore e malore ku ndërtimi i infrastrukturës do t’i jap një zhvillim të madh e të shkëlqyeshëm ekonomisë së vendit në këtë drejtim. Parimet kryesore të rendit kapitalist janë: Iniciativa e lirë, prona private dhe infrastruktura rrugore. Në Shqipëri është shumë i nevojshëm një përmirësim radikal dhe i gjithanshëm i infrastrukturës. Përmirësimi i infrastrukturës rrugore luan një rol kryesor në zhvillimin e vendit sepse lehtëson lëvizjen e lirë të njerëzve, të mallrave, ndihmon sipërmarrjet në realizimin e shpejtë të qëllimeve të tyre ekonomike si dhe plotëson nevojat jetësore të popullsisë. Në program duhet synuar harmonizimi i infrastrukturës për transportin rrugor, ujor, ajror, hekurudhor, ngritjen e terminaleve moderne etj. Po këtu duhet të ketë prioritet transporti detar si edhe kthimi i transportit detar në një vend transit të tregtisë së mallrave. Për infrastrukturën, projektet duhet të bëhen të gjithanshme vetëm nga Institucione Shkencore Shtetërore ndërsa ndërtimi i tyre të kryhet nëpërmjet dhënies me koncesion, ku primare të jenë kompanitë vendase.

Rruga për realizimin e këtij qëllimi duhet të kalojë nëpërmjet një ndryshimi rrënjësor të strukturës ekonomike, të zhvillimit harmonik të sektorëve të ndryshëm të ekonomisë, të shndërrimit të ekonomisë në një ekonomi të bazuar tek puna dhe rritja e  produktivitetit. Shteti, si person juridik, duhet të jetë pjesëmarrës aktiv në ekonomi.