Prof. Dr. Myslim Pasha/ Garda e Republikës së re

457
Sigal

Duken se po vijnë për ditë Risi të Republikës së Re. Po ndonjëherë të krijojnë ndjesi trazuese, ndofta, edhe për shkak se shpejtësia dhe nevoja e reformimeve krijojnë emergjenca. Kështu, dhënia e një kumti shpesh herë nuk e sjell idenë, thellimin e duhur  përfytyrimin e ri të një dukurie, për të nesërmen. Projektet do të duheshin të maturoheshin.

Garda e Republikës, jo vetëm si njësi luftarake, me bashkësinë e njerëzve brenda saj, por edhe si një përfytyrim kombëtar për popullin, si një pjesë e historisë së shtetit e mori një shtangie, e pse të mos themi që i habiti dhe befasoi një pjesë, e aq më tepër gardistët. Duket, se sqarimet nuk kanë qenë të mjafta, as edhe kryefjala e thënë prej Ministrit Tahiri nuk iu përshtat kontekstit të duhur. Kumti i “shkrirjes” nuk është kuptuar si duhet. Ngjarjet që lidhen me Gardën në dy dekadat e fundit janë ngjarje tronditëse, për gjithë popullin shqiptar.

Njësia politike mbi njësinë gardiste

Para mureve të përfytyruara të saj, përpara emrit dhe në radhë të parë para trupave njerëzorë gardistë të saj,  politika perverse antikombëtare, e ka bërë këtë simbol kombëtar që të kthehet pre e sulmit të zemërimit demonstrues popullorë.  Mbi gardistët bij, ka rënë fyerja dhe sharja, mallkimi, po edhe goditja e përdhunshme. Njësia e Politike mbi Njësinë Rojtare të Gardës nuk e ka themelin ligjor të domosdoshëm, e nuk është mbështetur në të, po e ka shndërruar një Detashment loje, për ta bërë trushpëlarë, duke e larguar nga perceptimi qytetar i Republikës. Janë dy raste, të cilat për shqiptarët vijnë të dukshëm, për të gjykuar e vetëgjykuar se ç’ndodh në këtë vend. Gardës së Republikës  i është shpërfytyruar Misioni dhe asaj i është  shkruar  drama që e lexon në sytë e gardistëve të të gjithë breznive.

Arkmorti i Azem Hajdarit

 Politika, nëpërmjet një skenari atavik Berishian, mori në krahë, në mënyrë antinjerëzore arkmortin  e Azem Hajdarit, në kundërshtim me çdo nen, e çdo gur, e çdo fije bari, çdo “ah” dhimbje e lot të akcilit kanun apo kod zakonor morti dhe të shpirtit njerëzor, e u përplas në mure të rëndë të Republikës, duke ia çrregulluar logjikën arsyetimin, argumentin dhe veprën që do të bënte një Komandant deri tek një gardist i thjeshtë.

Ishte ky një rast unik, ndofta në botë, kur komandantë dhe gardistë të thjeshtë, pa asnjë orientim të segmenteve të shtetit, morën vendim në përballje sipër. Ata nuk dhunuan arkmortin, as nuk ia lëvizën lulet dhe kurorat, nuk qëlluan mbi njerëzit e dalë prej vetvetes,  por, përkundër Komandanti i Gardës, plagoset edhe pse pushtohet ndërtesa  dhe Kryeministri ia mbath në Maqedoni. Njerëzia, në askushmërinë e turmës, rrëmben armë, merr tanke dhe autoblinda dhe reshperon në Bulevard. Garda “shkrihet”. Bashkësia ushtarake simbolike e Ruajtjes së Republikës bëhet leckë e pluhur nga politika perverse, e Sali Berishës.

Mure dhe bulevard  të përgjakur

21 janari tragjik, na solli një tablo tjetër. Garda prodhoi një masakër. Turmat e zemëruara iu sulën Kryeministrisë. Goditjen e parë, apo të gjitha goditjet i mori Policia e Shtetit, e paarmatosur, e cila ka mbajtur një nga qëndrimet e saj shembullore, sa rrallë mund të gjendet. Ndërkaq, Garda, ajo Gardë që u shpartallua para shumë vjetësh, në ekstazën e politikës perverse, i injektohet në vena prej djallit të madh politik me errësirën që zapton mendjen e me dashjen e Sali Berishës, shqiptarët panë një shfaqjen tragjike.  Hutim, armë të mbushura, çorientim rregulloreje, pozicionime të dyshimta, shkrepje armësh në ajër, e pastaj, marrje shenjë në mish, në objektiva njerëzorë ballë për ballë, kur nuk përbënin  asnjë rrezik real. Turma përgjaket, edhe pse pothuajse ishte shpërndarë. Në brendësi të mureve dhe shkallëve, dhomave të Komandës së improvizuar shkëmbehen pistoleta, karikatorë në duar oficerësh, shkelen rregulloret, instruksionet, ( mund të ketë pasur edhe moszbatim urdhri) pastaj ridhënie urdhri…që askush nuk e rrëfen…Kush tha i pari “zjarr!”. Më pas fshihen dëshmitë, personazhe të Gardës “Heroike”, me njërin sy të hematuar ( !!!) të komandantit. Bashkësia e Gardës së Republikës ka ngelur e shokuar nga ç’ndodhi, mirëpo askush prej tyre, nuk mësohet të ketë dëshmuar se ç’ka parë dhe ç’ka dëgjuar. Cili të jetë vallë ky kod i fshehtë, i  brendshëm ushtarak, që e ka mbajtur dhe po e mban të kyçur të vërtetën. Garda është e damkosur vetëm prej atavizmës. “ Frika është një lidhje që qëndron e fortë nga ndrojtja prej ndëshkimit që nuk i largohet kurrë njeriut”, na thotë Makiaveli.

Çfarë duam të shohim në sy të Gardës

I solla këto dy pamje të shpejta, me mbresë të rëndë, jo për të nxirë, apo fshirë emrin e Gardës së Republikës. Atje mund të duhet një “katharsis” i brendshëm, por kurrë për të njollosur për jetë, simbolin e kësaj Garde. Vrasësit, të verbrit politikë të Sundimtarit, që iku do t’u vijë radha e gjykimit, por Njësia e Rojes së Republikës duhet ta tejkalojë mjegullnajën e trazirës së madhe të konfliktit politik dhe të urrejtjes që e bartte Sali Berisha.

Ajo Gradë nuk është vetëm mision i Ruajtjes së personaliteteve të larta shtetërore e rezidencave etj…Ajo është më shumë se kaq në gjithë historinë e saj, pavarësisht zikzakeve të sistemeve politike dhe mbrapshtive, aty ka jetë dhe energji që s’duhen fshirë, sepse ato nuk janë vetëm muzeale, por dhe për t’u ripërtërirë në këtë Rilindje të Republikës së Re. Prandaj, s’mund ta kuptoj dot “shkrirjen” e Gardës. Atje do të duhet një reformim i thellë ligjor, ushtarak dhe estetik, përmes përvojës së ndodhive, pas eksplorimit të shëndoshë dhe të nxjerrjes së të vërtetave  të asaj ç’ka ndodhur, të identifikimit të vrasësve e urdhërdhënësve kriminelë, për t’iu shmangur shformimit që  është bërë. Mund të mos quhet Gardë, por ndofta “ROJA E REPUBLIKËS” ose “SHTETROJË E REPUBLIKËS”,  “SHTETROJË E QYTETARËVE”, po ajo kurrë nuk mund të shndërrohet në një Drejtori të Ruajtjes së Personaliteteve etj. Ajo nuk mbron vetëm këta që u thanë më sipër, por ajo simbolikisht mbron ngrehinën e vetë Kombit.

Ne do të donim sërish që të shihnim në sy të Gardës, Uniformën e bukur kombëtare të Republikës, Bukurinë e parakalimit simbolik, Truprojën e Nderit të Republikës. Ceremonialet e epërme shtetërore, që e bëjnë të dallojë nga shtete të tjerë dhe që të emeton krenari kombëtare, të cilat deri tash nuk e kanë gjetur veten e tyre.