Denoncimi i Av. Altin Goxhaj: Avokatja e Popullit ka zhdukur videon e arrestimit të kuksianëve nga raporti
Sot në Shkodër, në gjykatën e këtij qyteti do të shqyrtohet kërkesa e 11 të burgosurve kuksianë për masën e sigurisë së tyre. Edhe pse kryeministri Rama pranoi publikisht se qeveria u nxitua në vendosjen e tarifës në Rrugën e Kombit, (pra, qytetarët kuksianë protestuan me të drejtë për të drejtën e tyre), edhe pse qytetarët kuksianë nuk kanë pushuar së protestuari ndaj masës së sigurisë që u mor nga gjykatësja për t’i mbajtur në burg 11 protestues, edhe pse Opozita ka kërkuar vazhdimisht të lirohen menjëherë, edhe pse u publikua video ku policia e Shtetit i arrestoi në mesnatë dhe falsifikoi orën e ndalimit të tyre, ata vazhdojnë padrejtësisht të mbahen në burg.
“Lironi vëllezërit tanë!”, qytetarët e Kukësit në protestë për 11 të arrestuarit
Paraditen e së enjtes rreth 300 banorë të Kukësit dhe përfaqësues të shoqërisë civile kërkuan lirimin e 11 qytetarëve që mbahen në paraburgim pas protestës së 31 marsit në Kalimash. Kanë qenë anëtarët e Këshillit Bashkiak të Kukësit ata që kanë organizuar protestën para gjykatës së këtij qyteti. Tubimit i janë bashkuar banorë të Kukësit, Hasit dhe Tropojës. Deputeti i Qarkut të Shkodrës Bardh Spahia ka ftuar qytetarët shkodranë të solidarizohen në protesta me qytetarët kuksianë të burgosur.
Babai i njërit prej kuksianëve të arrestuar: Kujtova se ishte Serbia, por ishte policia shqiptare
Xhevahir Gashi, babai i njërit prej të arrestuarve, kërkon lirimin e tij. Xhevahir Gashi: Me gra me fëmijë, i madh dhe i vogël, në orët e vona të mesnatës i nxjerrin me forcë jashtë. Kujtova se është Serbia dhe hyri brenda, por ishte policia shqiptare. Kërkesa ime është zero taksa, e dyta, të lirohen djemtë nga qelia, se janë të pafajshëm.
Denoncimi nga Av. Altin Goxhaj: Avokatja e Popullit ka fshehur videon e orës së arrestimit
Avokat Altin Goxhaj, ka denoncuar publikisht, se Avokatja e Popullit ka fshehur nga raporti i saj për 11 qytetarët kuksianë të arrestuar, videon e orës së arrestimit të tyre. Avokat Altin Goxhaj shkruan se është e turpshme. ‘Avokatja e Popullit të Lulit ka zhdukur nga raporti për kuksianët videon e orës së arrestimit të qytetarëve kuksianë nga policia e Shtetit, si provë e falsifikimit të orës së arrestimit nga Policia e Shtetit dhe prokuroria.’ Avokat Altin Goxhaj deklaron, se këtë video do ta paraqesë sot në gjykatë në gjykimin e masës së sigurisë që gjykata do rigjykojë për 11 qytetarët protestues kuksianë.