Vjedhja e votës si themel i korrupsionit

61

Më në fund dy partitë tona kryesore politike thanë se u morën vesh për reformën zgjedhore. Thanë dhe se kontrolli elektronik i kartave të identitetit do të bëhet vetëm në Qarkun e Tiranës, edhe pse pushteti na siguron se ka kohë që e ka shpurë Shqipërinë në “moshën e internetit”. Ja që dhe në “moshën e internetit”, përsëri nuk paskemi mundësi “teknike” për të vendosur aparaturat përkatëse të kontrollit të kartave elektronike në çdo qendër votimi. Do të bëjmë vetëm një provë sa për ato qendra votimi, ku do të marrë pjesë dhe ambasadori i nderuar i OSBE-së, nuni i reformës së re zgjedhore, aq i lumturuar kur takohet gjithnjë i përmalluar me pushtetarët dhe aq i vrenjtur kur takohet nga e keqja me opozitarët e këtij vendi. Tek e fundit, është asnjanës i biri i botës dhe përfaqëson një institucion ekspert të zgjedhjeve, veç ekspertizës së padeklaruar zyrtarisht për ta zgjatur jetën e misionit të OSBE-së në Tiranë deri në shekullin tjetër…

Shqiptarët morën vesh më në fund se, pas shumë muajsh vickash revolucionare, pushteti aktual u detyrua dhe nga miqtë e tij në OSBE e në institucionet e tjera euroatlantike që të pranojë një marrëveshje për një reformë të re zgjedhore e , për pasojë, edhe për një Kod gati të ri zgjedhor. Jemi mësuar tashmë me nga një Kod Zgjedhor fringo të ri për çdo palë zgjedhje. Jemi mësuar dhe me përgëzimet e OSBE-së për vargun e Kodeve të rinj zgjedhorë, siç jemi mësuar edhe me formulën e përjetshme të OSBE-ODHIR-it: “Këto zgjedhje qenë pak më të mira se ato të kaluarat, por përsëri nuk i plotësuan standardet e kërkuara për zgjedhje të lira e të ndershme”…

Ja u përfundua dhe këtë radhë teksti i Reformës Zgjedhore më të re. Ja na e bekoi dhe ambasadori i OSBE-së në Tiranë, që tërë kohën e mandatit të tij, deri më sot, duket sikur ka ngatërruar pa dashje detyrën e ambasadorit të OSBE-së në Tiranë me atë të përfaqësuesit të pushtetit aktual të Tiranës në OSBE. Po zbatimin e atij teksti të ri të marrëveshjes zgjedhore, kush na e garanton se do të zbatohet si duhet?…

A nuk ishte i shkruar e zeza mbi të bardhë edhe një nen i Kodit të kaluar zgjedhor, që thoshte se, kur e kërkojnë dy anëtarë të KQZ-së, hapen pa votim kutitë e materialeve zgjedhore të dyshuara për manipulime? A nuk u shkel ai nen faqe shqiptarëve dhe faqe ndërkombëtarëve, përfshirë edhe faqe ambasadorit të OSBE-së në Tiranë, kur kamerierët e pushtetit me detyrën e lartë të anëtarit të KQZ-së (me kryetarin e tyre aq hudutlli në krye) e hodhën në votim në kundërshtim ta hapët me ligjin? A nuk pati edhe një Rezolutë të Parlamentit Europian, që këshillonte hapjen e kutive të materialeve zgjedhore dhe ato u dogjën me benzinë tok me Rezolutën tek Ura e Farkës, për të fshehur në hi e në tym manipulimin e atyre zgjedhjeve?…

Çfarë i gjeti ata anëtarë të Komisionit Zgjedhor Qendror, që shkelën ligjin me të dyja këmbët në të dy palë zgjedhjet e kaluara? As të paraqitet në Komisionin përkatës të Kuvendit nuk denjon kryetari i KQZ-së aktuale, edhe pse bën njoftimin publik thagmatik që “KQZ-ja (e tij dhe e pushtetit të tij) paskishte “gabuar në zgjedhjet vendore të 8 majit”(!) Për një aparat të vjetër celular, gjykatat tona hijerënda e duarlidhura nga pushteti, e dënojnë me vite të tëra një adoleshent ordiner, që me shkeljen e tij ligjore dëmton pronarin e celularit dhe veten e përfunduar në burg. Kurse për kamerierët e pushtetit në KQZ e ca më keq për ata gjykatës të Kolegjit Zgjedhor, që ligjërojnë një pushtet të vjedhur dhe dëmtojnë ashtu shtetin e të drejtës dhe demokracinë funksionale për mbarë vendin, ka vetëm lëvdata dhe një perspektivë të hapur “për t’u hedhur (me pash) në politikë”(!)…

 Për të zbatuar ligjin e ri zgjedhor tek ne nuk na garanton dot as OSBE-ja e as ODHIR-i, as policia e politizuar në shërbim të pushtetit dhe as gjykatat e trembura e të korruptuara në atë masë të frikshme, sa të shkelin ligjin edhe në emër të ligjit… Për zbatimin e drejtë të Reformës së re zgjedhore në këtë tranzicionin tonë të pambaruar, nuk japin siguri as ushtria e trajnuar nga pushteti për të vjedhur votat dhe as ushtria e thirrur nga opozita për të mbrojtur votat, kur votat tanimë kanë avulluar atje ku i dëshiron pushteti…

Se jo vetëm shqiptarët, por e tërë bota e pa me sytë e vet sesi u vodhën votat ditën për diell në zgjedhjet e fundit për Bashkinë e Tiranës dhe ambasadorët e nderuar të akredituar në Tiranë, më në krye ambasadorin e OSBE-së, atë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe atë të BE-së, morën pjesë dhe vetë në numërim, nxorën dhe fituesin e pastaj doli që pushteti i Tiranës kishte shpikur një sistem tjetër numërimi, që u mbushi mendjen dhe ambasadorëve të nderuar, aq shumë të lodhur me ndihmën që na dhanë për të realizuar zgjedhje te lira e të drejta…

Atëherë pse u dashkan Reformat e reja, kur në zbatimin e tyre pushteti mund të shpikë një sistem tjetër numërimi, ca më të paparë se ai që zbatoi në zgjedhjet e 8 majit për Bashkinë e Tiranës? Kur miqtë tanë të OSBE-së e të ODHIR-it, jo vetëm që nuk na mbrojnë dot zgjedhjet nga vjedhësit tanë të votave, por nuk dallojnë dot as atë që humbet lopën nga ai që i vjedh lopën, pse nuk na dërgojnë një Komision ekspertësh të tyre që të zbatojnë për herë të parë si duhet ligjin zgjedhor në Shqipëri e t’i japim fund dhe ne vjedhjes së votave e të nisim epokën e zgjedhjeve të lira sipas të gjithë standardeve të botës demokratike, ku duam të vemi?

 Vërtet nuk e dinë, apo bëjnë sikur nuk e dine, miqtë tanë përfaqësues të nderuar të demokracive të zhvilluara, se kush nuk i lejon zgjedhjet e lira në Shqipëri? Apo presin që vjedhësit e votave të qytetarëve shqiptarë t’ua tregojnë miqtë e thekur të pushtetit aktual të Tiranës, si zonja tifoze Doris Pak, z. Grosruk e z Dol me co.?…

  Vërtet nuk e dinë miqtë tanë të mëdhenj të demokracive liberale se trashëgimtarët e pushtetit të diktaturës sonë të djeshme, kanë trashëguar tok me pushtetin edhe alergjinë e rëndë të diktaturës nga zgjedhjet e lira? Vërtet nuk e dinë miqtë tanë të demokracive të zhvilluara se manipulimi i rëndë i zgjedhjeve të tranzicionit tonë është një nga “trimëritë e Herkulit” për pushtetarët tanë aktualë? Nuk e dinë vërtet miqtë tanë të demokracive të mëdha se pushtetarët tanë aktualë rropaten për të ndryshuar e për të mbuluar të shkuarën e tyre dhe kjo rropatje, tok me turbullirat e karakterit, i shpie në gjakimin e pashuar për pushtet të pakufizuar dhe pushteti i pakufizuar nuk i pranon dot zgjedhjet e lira? Nuk e dinë miqtë tanë të mëdhenj demokratë se kjo skotë pushtetarësh të tranzicionit tonë mbështetet jo në zgjedhjet e lira, por në traditat autokratike e në nivelin e pakët të zhvillimit të shqiptarëve të hutuar, që arrijnë dhe sot e këtë ditë t’i thonë “trim” kriminelit, t’i thonë “i zgjuar” dinakut e t’i thonë “i zoti” kusarit?”…

 Këtë idhujtarinë tonë primitive dinë dhe ata ambasadorët e nderuar, që na i quajnë “yje në ngjitje” ata palo pushtetarë, të cilët, kudo që kanë hedhur këmbën, kanë shkelur ligjet dhe Kushtetutën e këtij vendi? Nuk e dinë vërtet miqtë tanë të mëdhenj të demokracive të rrënjosura se pushtetarët tanë të këtij tranzicioni mundimhumbur nuk merakosen fare për demokracinë funksionale, se as e njohin e as u hyn në punë për pushtetin e tyre vetjak? Nuk e dinë vërtet miqtë tanë të nderuar se pushtetarët tanë aktualë  nuk qëndrojnë dot në pushtet, pa vjedhur votat e qytetarëve? Nuk e dinë ende miqtë tanë të nderuar, që kjo skotë pushtetarësh i vjedhin votat  dhe pastaj deklarojnë tri herë dita se kanë “tolerancë zero ndaj korrupsionit”, kur vjedhja e votave është burmimi i korrupsionit më të zi?

  Meqë u pëlqen të na flasin me shifra, se kujtojnë që me shifra gënjehet më shumë, është mirë t’u kujtojmë këtyre pushtetarëve tanë të sëmurë për pushtet të pakufizuar, se vjedhja e votës është themeli i korrupsionit dhe , kur vjedh votën, ajo deklarata ulëritëse për “zero tolerancë ndaj korrupsionit” kthehet vetiu në “zero përpjekje për të luftuar korrupsionin!” Se lufta e vërtetë ndaj korrupsionit, zotërinj pushtetarë, nis nga pranimi dhe përgatitja e zgjedhjeve të lira e të barabarta. Le të shpresojmë se dhe pushtetarët tanë të tranzicionit janë lodhur me vjedhjen e votave. Të shpresojmë që janë lodhur dhe pushtetarët tanë të tranzicionit  me darvinizmin e tyre social dhe të besojnë vërtet tek zgjedhjet e lira. si themel i demokracisë funksionale dhe i shtetit të së drejtës. Mjaft kanë besuar me zjarr dhe janë mbështetur në vjedhjen e votës si themel i korrupsionit.

Nëse dëshironi vërtet të luftoni korrupsionin, zotërinj pushtetarë, hidheni hapin e parë në udhën e duhur: MOS VIDHNI VOTAT!