Shëndetësia në dy kohë

2169
Gëzim LOKA
Ka tridhjetë vjet që vuaj nga zemra dhe spitalet kanë qenë jeta ime tjetër, një familje e dytë, një vend kontakti fizik e shpirtëror, qëndrimi dhe konsultimi permanent. E thashë këtë për të treguar se e njoh sistemin shëndetësor, njoh shumë mjekë në të gjithë Shqipërinë. Pra, kam një përvojë të çmuar në këtë drejtim, jo për shkak të ndonjë prirje të brendshme drejt mjekësisë, por për shkak të hallit që më ka çuar tek ata njerëz dhe ato dyer. Madje, njoh aq shumë mjekë me emër, mbiemër, me prirje, dhunti a defekte, sa vështirë se mund të njohë ministria e Shëndetësisë me evidencat dhe statistikat e saj të vjetruara. Gjysma e jetës më ka kaluar nëpër spitale, jo vetëm në vendin tim, por dhe në Greqi e Turqi, ku kam parë një filozofi tjetër të përkujdesit shëndetësor. Në kohën e komunizmit, ndaj të cilit vjellin vrer të gjithë, të majtë e të djathtë, sidomos politikanët që në atë kohë ishin kaluar dhe bënin “biografitë” e të tjerëve, sistemi shëndetësor ishte një makinë që funksiononte në mënyrë perfekt dhe pa asnjë lloj ndalese e pengese burokratike. Ajo që thuhej në parullat e asaj kohe, se “Njeriu është kapitali më i çmuar”, ishte një realitet, duan apo nuk duan ta pranojnë “partizanët” e “nivelit zero”. Kur njeriu sëmurej, vihej në dispozicion të tij mjeku i familjes, mjeku i fshatit, krahinës, qytetit; ambulanca, makina, helikopteri, që vinte në viset e mbuluara me dëborë, në zonat e thella malore, ku nuk kalonte makina, për të transportuar të sëmurin për në Tiranë. Gjithçka bëhej për njeriun, në shërbim të tij. Shëndeti ishte prioritet i shtetit dhe shoqërisë. Ky është një realitet që e njohin dhe e dëshmojnë të gjithë ata që kanë punuar e jetuar në atë epokë të mrekullive për sa i përket humanizmit, ku mjekësia u bë pronë e popullit dhe gjithkush, pavarësisht nga shkalla shoqërore, nga përkatësia klasore dhe politike, mund të mjekohej e kurohej në çdo kohë dhe në çdo vend që të ndodhej, në përputhje me ligjet dhe Kushtetutën e vendit të shqipeve, pa para, falas, si një e drejtë themelore e njeriut shqiptar të asaj kohe. Të vinte letra në shtëpi për t’u shtruar në spital, për të bërë vaksinën, për të bërë analizat, gjithçka punonte në mënyrë perfekt në këtë drejtim, duke bërë që uji të shkonte në mullirin e lumturisë së përgjithshme të popullit, e cila nuk fillon ndryshe, përveçse nga shëndeti, si alfa e mirëqenies së një individi dhe një shoqërie. Sot gjithçka është ndryshe dhe makina e mjekësisë është vithisur, duke u botuar në rrugët e vështira të këtij tranzicioni të pashpirt, ku një pjesë fare e vogël kanë miliarda, kurse shumica dërrmuese e popullit flasin me vete nga varfëria dramatike! Përkujdesja mjekësore është zëvendësuar me allishverishin, korrupsionin dhe hajdutërinë; ka raste kur mjekë xhahilë e kanibalë, qen të parasë, të lënë mu në mes të sallës së operacionit e nuk të prekin me dorë po s’ua mbushe duart me para! Të tjerë të çojnë “me pahir” në klinikat e tyre private ku ta rrjepin lëkurën mirë e mirë dhe pasi të kanë rrjepur ta zbutin plagën me “kozmetikën” e përkthyer në gjobëvënie të “ekonomisë së tregut”! Trazirat që shoqëruan fillim vitet 90 dhe kriza e lirisë e dëmtuan rëndë sistemin e kujdesit shëndetësor gjatë viteve 1990 e në vijim. Teoritë e nivelit zero dhe të “terapisë shok” sollën si pasojë një dëmtim të madh të infrastrukturës së kujdesit shëndetësor dhe ndërprerjen e shërbimeve themelore, duke përfshirë këtu edhe imunizimin, si edhe programet e shëndetit mjedisor si p.sh ruajtën nga ndotja e cila është në nivele katastrofike, ruajtja cilësisë së rrjetit të ujësjellës-kanalizimeve, që është përtokë ku në 70 për qind të territorit uji është i pa pijshëm etj. Pothuajse një e treta e personelit mjekësor të vendit i braktisen vendet e punës gjatë trazirave të vitit 1997, çfarë e dëmtoi edhe më shumë sistemin. Kriza shkaktoi dëme të mëtejshme, konsumoi një sasi të konsiderueshme burimesh dhe i ndaloi reformat strukturore që sapo kishin nisur në këtë sektor. Një sërë reformash sektoriale u nisen nga mesi i viteve 90-te, por mbetën në rrugë, pasi mungonte thelbi i tyre, karakteri human dhe çuarja e shërbimit shëndetësor në çdo shtëpi, sipas modelit të shoqërisë së para viteve 90. Reformat që përfshinin një ulje në kapacitetin e rrjetit tepër të gjerë të shërbimeve, decentralizimin e administrimit të kujdesit parësor në drejtoritë e shëndetit publik në rrethe dhe integrimin e atij të mëparshëm me funksionet e shëndetit publik, privatizimin e sektorit farmaceutik dhe pjesës më të madhe të atij dentar dhe ngritjen e Institutit te Sigurimit te Kujdesit Shëndetësor duke pasur parasysh një ndryshim të dëshiruar gradual te sistemit financiar shëndetësor, të gjitha këto jo vetëm që nuk e përmirësuan shëndetin, por e çuan atë në rënie dhe rrënim. Rezultatet shëndetësore të Shqipërisë lënë mjaft për të dëshiruar dhe mbeten mbrapa atyre të vendeve të trevës së Evropës Juglindore Pavarësisht nga progresi i arritur, rezultatet e shëndetësisë në Shqipëri janë prapa atyre të vendeve në Rajonin e Evropës Juglindore. Ndërkohë që të gjitha burimet tregojnë një përmirësim të elementëve kryesorë të rezultateve shëndetësore, burime të tjera të dhënash japin një tablo të ndryshme në lidhje me sa mirë po ecën Shqipëria në krahasim me vendet e tjera në rajon. Njëzet e pesë vjet, ashtu si në të gjithë sektorët dhe fushat e shoqërisë, edhe në shëndetësi, koha shqiptare eci në të kundërt të akrepave të orës! Ajo që mbetet shqetësuese është fakti se ende ky sistem nuk po humanizohet siç ishte, në kuptimin që cilësia e jetës dhe e shëndetit të jetë parësore dhe jo burokracirat, tenderët e pafund, ‘ç’kapët’ marramendës, privatizimet e bujshme, partneriteti shtet – privat etj, të cilat paraqiten nga propaganda shtetërore si mrekullia shqiptare në shëndetësi, por që në fakt fshehin probleme akute të këtij sistemi në raport me shoqërinë shqiptare dhe sidomos me shtresat në nevojë, këto shtresa të varfra dhe të rrënuara të shoqërisë, që e kanë të pamundur të përballojnë vorbullën marramendëse të këtyre “reformave”, që nuk paskan të ndalur! 
Sigal