Ëngjëll Musai/ Drejtësia, mes rilindasve të dështuar dhe opozitës pa vizion

584
Nuland hedh poshtë komisionin Xhafa dhe variantin e kapjes së drejtësisë

Do të thosha që, për fat të keq, partitë tona politike nuk janë të interesuara ashtu si duhet për reformën në drejtësi, por janë të interesuara për interesat e tyre politike dhe kërkojnë që draftin, opinionin e Komisionit të Venecias ta përdorin si një mjet për të treguar se cila palë ka pasur të drejtë dhe cila palë nuk ka pasur të drejtë. Dhe secila pretendon që ka fituar betejën, që Komisioni i Venecias është me të. Në fakt, Komisioni i Venecias nuk është as me njërën palë, as me palën tjetër. Komisioni i Venecias i përmbahet disa parimeve, parimeve kryesore kushtetuese, parimeve kryesore të akteve ndërkombëtare për të drejtat e njeriut dhe parimit të ushtrimit të një pushteti gjyqësor të pavarur nga politika, të pavarur nga organet e tjera dhe një pushteti t’i japi drejtësi të vërtet. Ky është qëllimi i Komisionit të Venecias dhe pak a shumë në atë drejtim orienton. Por partitë tona politike nuk është se nuk e kuptojnë një gjë të tillë, por ato nuk heqin dorë, sepse të tilla janë edukuar, edhe ky pushteti qenkërka i keq, dhe kërkojnë që të shfrytëzojnë gjithçka, domethënë edhe reformën në drejtësi edhe reformat në të gjitha fushat e tjera, për interesa politike, se sa për realizimin e detyrave të ushtrimit të funksioneve të organeve shtetërore. Unë nuk mund të pajtohem me pikëpamjen se thjesht ne kemi frikë nga mazhorancat se ato sipas radhës në pushtet do na kapim gjyqësorin. Ne duhet të krijojmë struktura të tilla, që çdo mazhorancë që vjen (sepse mazhorancat ndryshojnë) t’i nënshtrohen Kushtetutës dhe ligjeve, dhe të mos ketë mundësi të kapë Gjyqësorin. Pikërisht edhe Venecia dhe lufta që po bëhet për këtë reformë në drejtësi, është që drejtësia të jetë e pavarur, të ushtrojë funksionet e saj si pushtet më vete dhe pushteti gjyqësor të mos ketë lidhje me politikën, në kuptimin që të ndikohet në vënien e drejtësisë. Në qoftë se politika do të ketë në dorë emërimet e kryetarëve dhe anëtarëve të tjerë të institucioneve më të lartë të gjyqësorit, a nuk është i varur Gjyqësori nga politika? Sigurisht që po dhe se karriera e tyre është në dorën e politikës e të vendimeve politike. E në rast se këto emërime i merr në dorë një mazhorancë e caktuar, sikurse është kjo e Edi Ramës atëherë demokracia do ta ketë emrin diktaturë dhe rikthimi i sajë do jetë me pasoja shkatërrimtare për kombin dhe vendin dhe investimin euroatlantik. Gjithsesi deklarata e djeshme e Ndihmës- Sekretares së Shtetit amerikan Viktoria Nuland tregojë se mes qëndrimit të Edi Ramës dhe asaj të opozitës së Bashës do gjendet një zgjidhje e ndërmjetme, e cila u është vënë mbi tavolinë të dyja palëve dhe se ato duhet të vendosin për fatin e saj më 21 korrik.

2- Drafti i Reformës në Drejtësi, politizimi dhe përgjigjja e Venecias

Opinioni i juristëve, të shoqatave të gjyqtarëve, të prokurorëve, të avokatëve dhe në përgjithësi juristët e shquar dhe të angazhuar në të Drejtën Kushtetuese ngritën shqetësimin lidhur me draftin e paraqitur të reformës në drejtësi, përpara se ky draft të shkonte për vlerësim në Komisionin e Venecias dhe parashtrimet e tyre, pothuajse dolën të njëjta me konkluzionet e Komisionit të Venecias. Kjo do të thotë që organet drejtuese, Komisioni Parlamentar për hartimin e këtij drafti, si edhe persona të pushtetshëm që lidhen me legjislacionin nuk kanë patur shumë besim te juristët tanë dhe kanë vepruar sipas disa rekomandimeve të disa ndërkombëtarëve, ose më keq, sipas mendimeve të tyre, për të bërë një reformë në drejtësi, që ata mendonin se do të merrnin atë rrugë që ata i dhanë, duke i shërbyer verbalisht një klase të caktuar politike. Ndërsa në fakt, pas publikimit të opinionit të Komisionit të Venecias, u dëshmua se mendimi i juristëve, konstitucionistëve, i të gjithë njerëzve që merren me drejtësinë, ishte shumë më profesional se sa ai i “ekspertëve militantë” si vendas edhe të huaj. Të vjen keq, por kjo është e vërtetë e pamohueshme dhe rekomandimet e Komisionit të Venecias e rrëzuan draftin duke hedhur totalisht poshtë atë çka kishte hartuar Komisioni Parlamentar. Në këtë vështrim, mendoj se Komisioni i Venecias e futi procesin e reformës në drejtësi në rrugën e duhur. Domethënë, i ka thënë “JO” draftit të paraqitur për reformën në drejtësi dhe ka rekomanduar që të rishikohet në tërësi. Komisioni i Venecias ka ripërsëritur kërkesën për konsensus politik mes mazhorancës dhe opozitës, për të shmangur kapjen politike të sistemit të drejtësisë (parag. 13 dhe 88), por komisioni Xhafa dhe ata që e zhbënë këtë Kushtetutë brenda një nate me 2008, vazhdojnë me kokëfortësinë e tyre të mbajnë peng vendin dhe shtetin e së drejtës. Të njëjtën gjë përsëriti edhe përfaqësuesja amerikane Nuland, megjithëse kjo e fundit me kortezi tentojë të mos hidhte poshtë edhe qëndrimet e dy ambasadorëve, atij të SHBA dhe asaj të BE.

3- Edi Rama dhe komisionerët e “Rilindjes” së Xhafës ja mbajnë të fshehtë projektin alternativ, edhe aleatit LSI

Madje edhe anëtari i komisionit të reformës në drejtësi dhe njëkohësisht përfaqësues i LSI, Petrit Vasili i kërkojë me një letër të posaçme, kreut të komisionit Fatmir Xhafa të merren parasysh kërkesat e opozitës dhe të gjendet një rrugë e ndërmjetme për daljen nga situata e ngërçit, për sa i përket procesit të rivlerësimit (vetingut), si dhe bërjes transparente të procesit dhe varianteve të cilat vetë zoti Xhafa padashje i nxori në takimin me gazetarët. Pra me këtë kuptohet se grupi i rilindasve të Ramës dhe social-komunistëve të Xhafës po mbulon gjithçka me tymnajë me qëllimin final kapjen e drejtësisë dhe mbajtjen peng të vendit. 

4-Reforma në Drejtësi, PE: Asnjë blerje vote dhe asnjë imponim i një pale mbi një tjetër, nuk është rruga e duhur 

Ndryshe nga kërkesa e ambasadorëve Vlahutin dhe Donald Lu që u kërkojnë deputetëve ish- bashkëpunëtorë të Sigurimit të Shtetit, apo me të shkuar kriminale dhe të kapur nga trafikantët dhe korrupsioni që ta votojnë ligjin jashtë vullnetit të tyre personal apo grupit parlamentare, europarlamentarët Kukan dhe Flekenshtajn, njëkohësisht raporterët për Shqipërinë pranë Parlamentit Europian janë shprehur sot kategorikisht kundër kalimit të reformës në drejtësi me trafikim të votave në parlament. Në një prononcim për mediat, Kukan dhe Flekenshtajn thanë se blerja e votës është e papranueshme dhe theksuan se reforma në drejtësi duhet të kalojë me konsensus dhe jo me imponimin e njërës palë mbi tjetrën. Mbajtja peng e drejtësisë së vendit prej 25 vitesh nuk mund të justifikohet dhe nuk mund të mbyllet nga pushteti i “Rilindjes” në mënyrë të tillë. Do të ishte më mirë një vend pa ligj, se sa miratimi i një ligji të blerë me kushte nga krimi dhe trafiku. 

5- Opozita e Bashës

Por edhe opozita nuk mund t’i shpëtojë përgjegjësive të veta në këtë mes, megjithëse është vështirë për të gjykuar se në çfarë mase është kjo përgjegjësi. Me kërcënime nuk bëhet opozitë. Basha kërcënon me djegien e mandateve të parlamentarëve të tij demokratë, në qoftë se ata votojnë reformat. Kjo deklaratë ka një jehonë shumë të keqe për një parti që e quan veten “demokratike”. Si e djeg ai mandatin e deputetit, të zgjedhur nga populli? A po nuk u zgjodh nga populli, por u caktua nga partia dhe partisë duhet t’ i përgjigjet ai, e jo votuesve… Besoj se është deklaratë e gabuar, në kohën e gabuar, e cila nuk ndihmon imazhin e opozitës… Opozita dhe Basha duhet të bindin opinionin për rrezikun që ka anashkalimi i nenit 88 i Komisionit të Venecias dhe rrezikun që i vjen vendit nga kapja e drejtësisë nga rilindasit e Ramës. Faktet janë kokëforte, pasi vetë Venecia i ka rrëzuar dy herë Ramën dhe Xhafën, u rrëzua edhe Byroja Hetimore, e rrëzojë edhe Nuland me variantin që solli dje, po t’i shtojmë edhe kundërshtitë e LSI-së, atëherë përfundimisht ky komision ka dështuar, së bashku me dyshen e ambasadorëve Lu dhe Vlahutin dhe ekspertët e SOROS. Por kush janë deri më tani të fituar? Ata janë opozita, një pjesë e pozitës, ekspertët e paanshëm që u dhimbset drejtësia e vërtetë dhe populli shqiptar që kërkon drejtësinë e vërtetë dhe jo gjykata që të mbrojnë dhe mbulojnë grabitjet dhe koncesionet e rilindasve të babëzitur.
Gazeta Telegraf’s photo.
Sigal