Ç’je vallë që kaq mall për ty,
Papritur, kanë të gjitha stinët?!
Diell e borë mban brenda në sy
Dhe mall, që me ty s’di të çmallet…
U dogj vera për ty, krejt u zhurit
E vjeshtës, mornica malli
Trupin ia ngjethin sa herë fryjnë kujtimet,
S’di çdo bëj pa ty dimri…
Ti vjen e ikën si në ëndrra
Dhe pas teje ditët prapë rrëzohen,
Prapë në pritje nga e para,
Veç pak çaste në sytë e tu të shihen…
Mos ik! Lëre të nesërmen mall të ketë!
Rri me mua, në kohën e pa kohë,
Ku zemra ime, pareshtur ngre kalatë,
Të gjitha për ty dhe mua, i dashur…






















