Kur ne iu lutëm të na tregonte për një histori, që e kishte tronditur shumë, mësuesja uli sytë e filloi të fliste me një zë, që i dridhej: “Ishte ora 7 e mëngjesit. Unë sapo isha zgjuar nga gjumi, më shumë e lodhur, se sa e relaksuar. I porsalinduri, që ishte vetëm dy javësh, më kishte qarë gjithë natën. Atë natë e kisha ndierë më shumë lodhjen, sepse Petriti kishte shkuar në zbor dhe s’kisha njeri, që të më ndihmonte. (Në kuadrin e organizimit të gatishmërisë ushtarake, “Gjithë populli ushtar”, çdo kuadër i lartë, duhet të kryente njëzet e pesë ditë zbor, ose ndryshe stërvitje ushtarake, çdo vit.) Papritur trokiti dera. Unë u ngrita ashtu e djersitur sikurse isha dhe iu afrova derës. -Kush është? -Hape, hape, jam Liria, – dëgjohet një zë femre. E hapa menjëherë dhe shikoj, që para meje qëndronte një vajzë, e cila ishte roje-dite, pranë zyrës së ROGL-së, ku ishte instaluar i vetmi telefon që lidhte fshatin me çentralin e postës qëndrore të qytetit. Nëpërmjet këtij telefoni merreshin e dërgoheshin lajmërime nga më urgjentet, nga më të ndryshmet, për gëzime e hidhërime, nga qyteti në fshat, nga fshati në qytet e nga njëri fshat tek tjetri, me ndërmjetësinë e postës qëndrore. Roja e natës, që ishte një burrë dhe kjo vajzë ditën, duhet të bënin edhe punën e postierit për lajmërimet që jepeshin. Sapo e pashë, u tremba dhe iu drejtova: -Urdhëroni! Si është puna? -Mirëmëngjes mësuese! Më fal, se mbase të zgjova. Je dhe me fëmijë të vogël, por më lajmëruan nga Komanda Ushtarake e Forcave Vullnetare të Rrethit që Petriti duhet të paraqitet urgjentisht në zbor, në pikën e kundërajrorit në Blush. Ç’po më thua kështu? Petriti ka ikur në zbor që dje në darkë në orën nëntë! Si ka mundësi që nuk ka vajtur? Mos i ka ndodhur ndonjë gjë? Nuk e di. Mua më mori në telefon komandanti i pikës ushtarake të Blushit dhe ai ma dha këtë urdhër. Më tha që të gjithë shokët janë paraqitur, vetëm Petriti mungon. E shkreta unë, çfarë mund të ketë ndodhur!? Shko të lutem, lidhu edhe një herë me komandantin e ia thuaj këtë gjë. Unë po nisem për ta kërkuar që këtej e ata të nisin ndonjë ushtar që andej, drejt fshatit. Vajza largohet, kurse unë hyra në dhomën, ku flinin fëmijët. Ulem në qoshe të krevatit dhe dridhesha e tëra. Ç’të bëja? Ku të shkoja ta kërkoja? Isha shumë e pafuqishme mbas lindjes. Me kë të shkoja? Në fshatin që na kishin emëruar, nuk kishim ndonjë të afërm. Familja e tim shoqi jetonte në një fshat tjetër shumë larg. Zgjova në fillim djalin e madh që ishte pesë vjeç e i drejtohem, sikur të ishte i rritur: Zemra e mamit, unë do të shkoj t’i thërras babit, se e kërkon komandanti, po ti mos u mërzit, se do të të çojë mami tek nëna Merzua. (Kjo ishte gruaja, që na kishte mbajtur djalin e madh, sa u bë një vit. Ishte një grua e rrallë. Ne e donim dhe e respektonim shumë.). Po ti, pse ke lot në sy moj mami? -më pyeti ai e zgjati dorën, që të m’i fshinte. Jo, jo, s’kam gjë bir i mamit, por më dhemb pak barku. Hajde të marrim edhe vëllain e të shkojmë shpejt. Vishe bluzën, se jashtë është ftohtë dhe po bie pak shi. Unë vesha një palë pantallona e një bluzë të trashë, kurse në dorë, mora disa rroba për të porsalindurin. Trokita në derën e nëna Merzos dhe ajo doli menjëherë.- Ç’ke kështu moj bijë? Ç’ka ndodhur? -dhe menjëherë më mori djalin e vogël. -Po ti doktori i nënës si je? Kështu i thërriste të madhit, kur ai bënte sikur e vizitonte, kur asaj i dhimbte koka. Unë mbeta më këmbë para derës dhe nuk flisja, sepse nuk doja, që të më dëgjonte djali. Ajo futi fëmijët në dhomë dhe u kthye në koridor duke më parë në sy. -Nëna Merzo, mua se ç’m’i ka ndodhur Petritit. Ka ikur që mbrëmë në zbor dhe akoma nuk ka arritur në vend. Deri në repartin e kundërajrorit është vetëm dy orë larg më këmbë. Vërtet rruga është në teren të vështirë, por prapë ka diçka që nuk shkon. Unë po nisem ta kërkoj, mos është rrëzuar gjëkundi në rrugë e nuk ngrihet dot. Është edhe ftohtë e bie shi. Të lutem! Djalit të vogël jepi pak çaj kamomili e ndërroje pak, se nuk arrita t’i bëj asgjë.-Po ti vetëm do të shkosh moj bijë? Është gjithë ajo rrugë, s’ke frikë? S’ke marrë as ndonjë shall në kokë, ose ndonjë çadër. Je edhe lehonë moj bijë, se mos ftohesh. Prit pak, sa të vijë xha Kulua nga stallat, që të të shoqërojë. U, ky plaku i uruar sa u vonua! Nuk pres dot asnjë minutë nëna Merzo. Ai mbase ka nevojë për ndihmën time edhe për një minutë, – dhe u nisa me vrap drejt daljes së fshatit, andej nga rruga të çonte për në Blush. Flokët më ishin lagur e më binin mbi sy, ku shpesh më kullonin edhe pikat e shiut. Rruga ishte e ngushtë, një rrugë këmbësorësh me ferra e shelgje në të dy anët. Nga larg, nga ana e fshatit dëgjohet një zë. Ktheva kokën dhe pashë që drejt meje në të tatëpjetë, vinte duke shpejtuar xha Kulua. -Drita, o Drita! Prit moj bijë, ku shkon kështu vetëm? Unë ngadalësova pak hapin për ta pritur e për të mos e ofenduar. Fillova të kërkoj nëpër ferra e nëpër shelgjishte, se mos ishte rrëzuar në darkë, ngaqë ishte shumë errësirë. Mendoja se mos kishte thyer ndonjë këmbë e nuk kish pasur mundësi të ngrihej dot, sepse plaga mund të ishte ftohur. Ndërkohë arriti xha Kulua. Po ti, ç’kërkon kështu nëpër ferra moj bijë? -më pyeti ai. Mos është rrëzuar gjëkundi dhe nuk ngrihet dot, xha Kulo. Po ai, nuk është lepur moj bijë, që të mos duket. Ai marshalla, është dy metër burrë. Hajde, mos u mërzit, se do ta gjejmë shëndoshë e mirë. Po sikur të jetë ndeshur me ndonjë hajdut, nga ata që vjedhin ndonjë gjë natën dhe për të mos u zbuluar vjedhja e tyre, mund ta kenë goditur me ndonjë dru në kokë? Uuu, ku të vete mendja edhe ty moj bijë! Po ngadalë, se më lodhe e nuk të ndjek dot. Rruga sa vinte e vështirësohej. Kaluam lumin e më tej duhet të ngjisnim një malore në formë rrëpire. Hodha sytë në të djathtë të rrëpirës, ku lumi kishte krijuar një pellg të madh e të thellë. Unë ndalova e përqëndrova shikimin në pellgun e ujit. Në ujë, degët e shelgjeve dukeshin sikur formonin figura njerëzish. Hajde, çfarë shikon aty? Mos ka rrëshqitur këtu more xha Kulo, -i thashë dhe lotët më rrëshqitën mbi faqe, duke u përzierë me pikat e shiut dhe fillova të zgjasja kokën për të parë më qartë pellgun. Dale moooj! Ç‘bën kështu, se do të rrëshqasësh e do të biesh vetë aty brenda, – dhe më kapi e më tërhoqi prej krahu. Arritëm në fshatin më të afërt që ndodhej pa vajtur në repart. E dija që Petriti kishte një shok nga ky fshat që e bënin zborin bashkë dhe mendova, mos kishte qëndruar tek ai atë natë për t’u paraqitur herët në mëngjes në repart. I thashë xha Kulos që të shkonim tek shtëpia e tij dhe kështu bëmë. Trokitëm tek porta e shtëpisë së tij, ku na doli e ëma, një grua e bukur e shumë fisnike. Hajdeni brenda. Kush jeni ju? Kë kërkoni? Qënkeni lagur e qënkeni bërë qull. Jo, jo, nuk jemi për brenda, por të lutem mamaja e Arjanit jeni ju? Po, unë jam. Si është puna? Mos i ka ndodhur gjë Arjanit? Nënë, na fal që të shqetësuam. Unë jam nusja e një shokut të Arjanit. Mos ka fjetur këtu tek ju Petriti mbrëmë? Ai u nis për në zbor dhe sot në mëngjes më thanë në telefon që nuk ka vajtur në repart. Jo moj bijë, edhe Arjani në zbor është, iku dje në darkë. Po ç’mund t’i ketë ngjarë? S’di e shkreta unë, ç’të të them. Faleminderit! -i them dhe këmbët filluan të ecnin drejt rrugës. E shkreta nuse, qënka fare e re! Ç’mund t’i ketë ngjarë të shoqit? -fliste me vete, por fjalët e saj dëgjoheshin deri tek rruga. Mua m’u prenë këmbët. Po tani ç’të bëjmë? Ku të shkojmë? E di ç’të bëjmë xha Kulo, shkojmë një herë tek ROGL-ja e këtij fshati, mos marrim ndonjë përgjigje në telefon nga reparti, -i them. Hymë tek dera e asaj ndërtese të vogël që nuk kishte as koridor e as komoditet. Rreth e rrotull ishin vendosur disa stola të gjatë, ku uleshin shumë veta, ca për hall e ca për llafe. Në krye ishte një tavolinë e vjetër, mbi të cilën qëndronte një telefon e një bllok shënimesh. Ju lutem, a mund të marrim pak në telefon repartin e kundërajrorit të Blushit? -i drejtohem një gruaje, që si duket ishte roja e telefonit. Po, eja brenda! Bjeri vetë telefonit. Unë u afrova, e mora receptorin dhe i rashë telefonit të çentralit-qëndër, që të më lidhte me repartin ushtarak. Zhurma e telefonit përtej receptorit, sikur ma digjte zemrën. Rrija në pritje, sa të më thoshte çentralistja “ foli”. Duke pritur, një zile e fortë telefoni, gati sa nuk ma shpoi timpanin e veshit. Alo, kush jeni? Alo, a jeni ROGL-ja e fshatit Vodicë? Po, -iu përgjigja unë. Të gjithë heshtën e përqëndruan vëmendjen tek lajmet që do të sillte receptori telefonit. Dëgjo këtu! Po flasim nga reparti ushtarak i kundërajrorit të Blushit. Dilini pak përpara asaj mësueses së shkollës-qendër, të shoqes së Petritit, se ka mbi dy orë që është nisur nga shtëpia për të kërkuar të shoqin dhe kushedi sa është shqetësuar. I thoni që Petritin e ka marrë komisari që mbrëmë dhe kanë shkuar në repartin e kundërajrorit në një destinacion tjetër. Ju lutem mbarojeni këtë punë sa më parë! Po, -iu përgjigja unë dhe telefoni më ra nga dora. Kush ishte? Ç’të tha? -m’u drejtua xha Kulua duke më parë në sy. Në sytë e tij ndihej frikë e padurim. Petriti ka shkuar me komisarin në një repart tjetër. Po gëzohu moj bijë, ç’më rri ashtu si e vdekur? Ngrehu të ikim! Nuk mund të ngrihem nga vendi xha Kulo. As këmbët, as duart nuk më binden. Nuk kam më fuqi të lëviz. Si do të shkojmë deri në fshat? Është edhe e përpjetë. Ç’ishte gjithë kjo? Si mund të jenë njerëzit kaq të papërgjegjshëm? Nuk e ditka komandanti se cilët zboristë merr me vete komisari!? -i them me zë të ulët dhe gjithë zëmërim zemërbardhit që më shoqëronte. Sillini shpejt një kafe! -u dëgjua zëri i një plaku. Pas pesë minutash një kafe gjithë shkumë, thuajse m’i mblodhi fuqitë. Çohu moj bijë të ikim, se ke edhe fëmijët. Edhe Merzua do të jetë bërë merak. Oboboo! Nga gjithë ky hall, fëmijët i harrova fare. Të voglit nuk i kam dhënë as për të pirë. Zemrat e mamit! Lotët nuk i mbaja dot. Menjëherë mblodha forcat dhe u ngrita. Koka po më dhimbte. Shpatullat, sikur më ishin këputur. Këmbët më ishin mpirë, megjithatë fillova të çapitem. Xha Kulua para dhe unë ecja pas tij. Arritëm në fshat. Ngado ndienim interesimin dhe shqetësimin e fshatarëve që tashmë e kishin marrë vesh dhe ishin pikërisht ata të cilët kishin lajmëruar Komandën Qëndrore. Në vesh më vinin shprehjet “Ç’ishte kjo, moj bijë?” “Si ndodhi kështu?” “Pse duhej të vuaje gjithë këtë tronditje?” Nëna Merzua na priste tek dera duke mbajtur djalin prej dore. Mami! Mami! -thirri ai dhe m’u hodh në krahë. E shtërngova djalin fort duke i puthur fytyrën, kokën dhe sytë. Hë moj shpirt, ç’ishte gjithë kjo? U shqetësove shumë. U raftë pika, që i bëjnë punët pa u menduar mirë. Mua po më dridheshin këmbët, por kur e morën vesh të vërtetën, erdhi kjo komshija e më tha se si ishte puna. Hajde brenda të pish një filxhan qumësht të ngrohtë dhe shko në shtëpi ndërrohu bijë e nënës, pastaj hajde t’i japësh djalit për të pirë, se sapo e zuri gjumi. Si ka qënë djali? A ka qarë? -e pyeta me gjysëm zëri. Mirë është. I dhashë pak çaj kamomili e u qetësua. Faleminderit shumë nëna Merzo! Jam me fat, që të kam ty dhe xha Kulon, -dhe e përqafova. Këtë ngjarje e kishte marrë vesh edhe familja e Petritit, kështu që mamaja e tij erdhi që të nesërmen. Më trego bijë e nënës, si ndodhi? – më thotë ajo duke më parë në sy. Petriti ishte prekur shumë nga peripecitë e mia e sa fillova t’i tregoja historinë, u largua nga dhoma. Unë fillova t’ia tregoja asaj, por lotët nuk i mbaja dot. Mamaja e Petritit qante, pa m’i shkëputur sytë. Po ti pse qan moj nënë? Petriti është mirë, nuk i ndodhi asgjë.-Bijë e nënës! Unë tani nuk qaj për Petritin, por qaj për ty. Si e përballove vetëm gjithë atë shqetësim? – dhe më përkëdheli kokën. S’ke ç’bën, ndodh edhe kështu moj nënë. Kur njerëzit nuk ndiejnë përgjegjësi për detyrën që kanë, kështu të shqetësojnë, -dhe i mora dorën e saj të rrudhosur, mes duarve të mia “. Kështu e përfundoi rrëfimin e saj mësuesja, por neve u ndiemë me të vërtetë ngushtë, që e detyruam ta përjetojë këtë shqetësim edhe një herë. Lotët e saj, vazhdonin të rrëshqisnin nëpër faqe.