Udhëzimi i ri për zgjedhjet lokale, deputetët dhe të zgjedhurit vendorë përjashtohen nga gara për kryetar dege të PD
Dy ditë më parë, Kreu i PD-së, në zbatim të urdhër udhëzimit të tij, shpalli 21 emrat e krerëve lokalë të PD-së, që nuk duhet të kandidojnë më. Një javë më parë, duke deklaruar të hapur procesin e zgjedhjeve të reja në PD, kreu i PD-së deklaroi publikisht se, kishte përfunduar me sukses të plotë procesi i anëtarësimeve në PD. Për të motivuar “suksesin”, ai deklaroi se, numri i anëtarësimeve kishte arritur shifrën rekord, të pa arritur në asnjë moment të historisë së PD, që nga krijimi i saj. Nuk u përmend asnjë shifër për numrin e anëtarëve të PD-së, paçka se këtë shifër e kërkuan Topalli, Bregu e disa të tjerë. Sipas deklarimit, u la të kuptohej se, numri i anëtarëve të PD-së nën udhëheqjen e tij qenka shtuar më disa herë më tepër, se anëtarësia gjatë 23 viteve, që këtë parti e ka drejtuar Sali Berisha. Faktikisht, PD në 23 vite nuk ka patur asnjëherë shifër të saktë anëtarësie. Kur vinte në pushtet, kryetarët e degëve të saj në rrethe dhe shefat e partisë në qendër, ndanin kafeneve karta anëtarësie “si viza” për punësime politike edhe për anëtarë e të zgjedhur…të PS. Pavarësisht deklarimit të Bashës, asnjë drejtues qendror në PD nuk e di saktë se sa anëtarë ka realisht në PD. As në degët e PD-së në qarqe e rrethe, nuk ka numër të saktë anëtarësh. Madje, në krejt strukturat e kësaj partie, nuk ka as regjistra anëtarësimi që prej vitit 2006, përveç ish-regjistrave të anëtarësisë të përpara vitit 1997. Ndërsa u deklarua gjithë kapardisje, të jetë zhvilluar proces anëtarësimesh masive, pas daljes në opozitë. Dy ditë më parë, komunikova në telefon me 7 prej 21 drejtuesve të PD të degëve të rretheve, të cilët janë nxjerr jashtë lojës së kandidimit. I pyeta lidhur me anëtarësimet në PD. Prej të shtatëve, pothuajse më erdhi e njëjta përgjigje, të cilën po e përmbledh në këto deklarime, të bëra prej tyre: “Ç’ anëtarësime zeza bëri PD-ja?! Gjithçka ishte propagandë. Në shkurt 2014, i ndjeri Ferdinand Poni, së bashku me Njazi Kosovrastin, erdhën e na sollën nga një thes me karta anëtarësie të paplotësuara dhe pa inventar, shoqëruar me urdhrin e “doktorit”, që të bëhen pranime të reja në parti. Kosovrasti e Poni, na i thanë troç në “konfidencë”: është urdhër, të mbushen të gjitha kartat e anëtarësisë dhe të dërgohen në Tiranë, sa…për numër. Urdhri për ne rrethet e vogla ishte që të bënim minimalisht nga 500-600 anëtarësime dhe të dërgonim listat emërore në Tiranë. Realisht u munduam të bëjmë anëtarësime, por nuk na pranuan asnjë kartë anëtarësie. Na shikonin me neveri e përbuzje, madje edhe na shanin, na thanë: “Tani që Sala e kompani dhe ju u pasuruat për vete dhe ikët nga pushteti, keni nevojë për të mbledhur ushtarë mitingjesh”. Jo vetëm që nuk na ua afrua asnjë, por na ikën dhe ata anëtarë që kishim në regjistra. Edhe kot nuk i plotësonim dot kartat, se duheshin me fotografi. Por, për të zbatuar urdhrin, mbushëm lista me emra e kode kartash identiteti false dhe i dërguam në Tiranë, sa për të mos na çarë kokën. Bashkë me listat, dërguam edhe video të sajuara, me të rinj të paguar me nga një 1 mijë lekëshe, duke bërë gjoja anëtarësime të reja në zona…”. Dhe sikur të mos mjaftonte kjo demagogji në bazën e PD-së me lista e video (klipe) false anëtarësimesh dhe me mashtrim publik për “rekord historik” të anëtarësimeve në PD, një tjetër skandal e falsitet zbulohet në kupolën e PD, në lidhje me “anëtarësinë” në parti, të udhëheqësve të saj të lartë. Tashmë që ka përfunduar procesi i anëtarësimeve, rezulton se, në regjistrat e anëtarësisë të PD, pothuajse asnjë drejtues, deputet, ish-ministër, ish-funksionar politik i partisë nuk figuron të jetë anëtar i kësaj partie. Madje, mund të duket çudi, por ja që edhe vetë kryetari zyrtar i PD-së, Lulzim Basha nuk rezulton të jetë anëtar në regjistrin e anëtarësisë të PD-së, as në qendër e as në grup-seksionin, apo nëndegën e zonës ku banon. Në regjistrin e anëtarësisë, nuk figuron të jetë anëtar i PD-së, as ish-kryetari Sali Berisha. Nuk figuron as kreu i degës së PD-së Tiranë, Aldo Bumçi, as nënkryetarët dhe sekretarët e PD-së, as kreu i forumit rinor, as kreu gruas demokrate të kësaj partie. Nga evidentimi i bërë në regjistrat rezulton se, nuk figurojnë të jenë anëtar partie, pothuajse gjithë anëtarët e “byrosë politike” të PD-së. Mjafton të shikosh regjistrat e anëtarësisë së partisë në qendër, në seksione, grup-seksione, nëndegë e degë të partisë dhe emrat e “udhëheqësve” politik të PD-së, nuk rezultojnë të jenë të regjistruar si anëtar të saj. Por ama, prej 5-10-15 e 23 vitesh vazhdojnë të jenë udhëheqës të PD-së. Mbajnë fjalime e bëjnë thirrje për anëtarësime. A i lejon Statuti i PD-së që, pa qenë anëtarë partie, të jenë të zgjedhur, ose të zgjidhen në strukturat drejtuese të partisë, qoftë edhe si anëtar kryesie në grup-seksion, nëndegë e degë të PD-së? Natyrisht që jo! Edhe pse ata nuk janë anëtarë të PD-së, edhe pse janë “koka” e shkakut kryesor të humbjes të së djathtës në 23 Qershor 2013, ata nuk janë përfshirë në listën emërore të përjashtimeve nga e drejta për t’u zgjedhur. Përkundrazi edhe pse nuk janë anëtar të PD-së, ata kanë të drejtë të zgjidhen “udhëheqës” të saj! Po publikojmë listën e 40 anëtarëve të “byrosë politike” të PD-së, me në krye Sali Berishën, të cilët sipas Statutit nuk janë anëtarë të PD-së, mbasi nuk figurojnë në regjistrin e anëtarësisë së partisë. Por kanë duar frerët e partisë dhe po inskenojnë “qarkore partie” e “lista të zeza spastrimesh”, për të vazhduar të sundojnë kupolën e PD-së, paçka se nuk janë as formalisht … anëtarë të saj.
BOX
Lista e 40 kryetarëve që nuk janë anëtarë të PD-së
1. Lulzim Basha
2. Sali Berisha
3. Jozefina Topalli
4. Ritvan Bode
5. Genc Ruli
6. Mesila Doda
7. Florion Mima
8. Edi Paloka
9. Grida Duma
10. Keltis Kruja
11. Myqerem Tafaj
12. Eduard Halimi
13. Albana Vokshi
14. Arben Ristani
15. Majlinda Bregu
16. Oerd Bylykbashi
17. Genc Pollo
18. Jemin Gjana
19. Ardian Turku
20. Gent Strazimiri
21. Tritan Shehu
22. Astrit Patozi
23. Eleina Qirici
24. Rajmonda Bulku
25. Besnik Dusha
26. Arben Imami
27. Laura Vorpsi
28. Njazi Kosovrasti
29. Eduard Selami
30. Jorida Tabaku
31. Dashamir Shehi
32. Enkelejd Alibeaj
33. Ilir Bano
34. Spiro Ksera
35. Edmond Spaho
36. Fatbardh Kadilli
37. Fatos Hoxha
38. Arenca Trashani
39. Luçiano Boçi
40. Aldo Bumçi
FAKTI: Figurojnë ende në regjistrin e anëtarësisë si anëtarë të PD, Bujar Nishani me këshilltarët e tij, Gjergj Lezhja e Ylli Asllani, Visho Lika, Zana Xhuka, Elvis Çefa, Hysni Burgaj, Ylli Zylaj, Agron Kuliçi, Erzen Breçani, Ndrea Prendi, etj..