Kryetari i Kuvendit z. Ilir Meta priti Zv. Kryeministrin e Kosovës z. Sllobodan Petrovic.

543
Sigal

Kryetari i Kuvendit z. Ilir Meta priti sot në Tiranë Zv. Kryeministrin e Kosovës z. Sllobodan Petrovic në krye të një delegacioni përfaqësuesish parlamentare të pakicave të Kosovës.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, z. Sllobodan Petroviç shoqërohej nga deputetja Emilija Redzepi (përfaqësuese e komunitetit boshnjak), deputeti Hamze Bale (përfaqësues i komunitetit goran) dhe deputeti Fikrim Domka (përfaqësues i komunitetit turk).

Kryetari i Kuvendit z. Meta dhe Zv. Kryeministri i Kosovës z. Petrovic diskutuan mbi ecurinë e procesit të integrimit të pakicave në jetën institucionale të Kosovës, mbi të ardhmen euro-atlantike të Kosovës dhe mbi bashkëpunimin rajonal.

 Në përfundim të takimit, z. Meta dhe z. Petrovic dhanë një prononcim për shtyp:

 Kryetari i Kuvendit, z. Ilir Meta

 Ishte një kënaqësi e veçantë për mua që të prisja sot Zv. Kryeministrin e Qeverisë së Kosovës, z, Sllobodan Petroviç, njëherësh edhe përfaqësuesi më i lartë i Minoritetit Serb në Qeverinë e Kosovës, së bashku me një delegacion të deputetëve përfaqësues të pakicave të tjera në Kuvendin e Kosovës .

Me këtë rast dua t’ ju konfirmoj se Kuvendi i Shqipërisë është një derë e hapur gjithmonë për ti mirëpritur, për ti dëgjuar me vëmendje dhe për tu dhënë të gjithë mbështetjen që kërkojnë përpjekjet e tyre konstruktive, në dobi të forcimit të bashkëjetesës ndëretnike në Kosovë dhe të proceseve demokratizuese dhe evropianizuese që po përjeton Kosova.

Me këtë rast dua të vlerësoj angazhimin e tyre konstruktiv përgjatë gjithë këtyre viteve dhe të shpreh bindjen se forcimi i bashkëjetesës ndëretnike në Kosovë është mjaft i rëndësishëm për një bashkëpunim dhe integrim rajonal më të shpejtë dhe më të suksesshëm.

Unë besoj se jemi duke ecur në rrugën e duhur, e cila është rruga e aplikimit të standardeve evropiane për minoritetet dhe pakicat në çdo vend të rajonit tonë.

Ky është fati i kombeve tona në këtë rajon. Çdo komb në një shtet është shumicë dhe në një shtet është pakicë.

Kështu që e vetmja zgjidhje mbetet ajo që ne jemi të vendosur për aplikimin e standardeve evropiane në çdo vend të rajonit, në marrëdhëniet me minoritetin dhe pakicat.

Në mënyrë që të gjithë të ndihen të lirë, të barabartë dhe të ndihem evropian.

Kjo është e rëndësishme sepse edhe përpara zotit të gjithë duhet të jemi të barabartë.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, z. Sllobodan Petroviç.

Ju falënderojmë për këtë mikpritje.

Në takimin që pata sot me z. Meta i thashë se përveç vizitës zyrtare, jemi edhe në një vizitë miqësore.

Ndihem shumë mirë edhe pas vizitës së fundit të z. Meta në Kosovë.

Përkatësisht për përkrahjen e kërkesës të cilën e kanë drejtuar përfaqësuesit e pakicave kombëtare në parlamentin e Kosovës.

Prandaj me këtë rast kemi dashur që të shprehim dhe falënderimin tonë më të madh, por edhe për të gjitha ato që janë bërë vitet e fundit për të mirën e të gjithë qytetarëve në Kosovë.

Ajo që ne bashkëbiseduam me Kryetarin e Parlamentit, z. Meta është se kemi evokuar edhe kujtimet tona të së kaluarës, posaçërisht kujtimet mbi kohën kur shtetasit e Republikës së Shqipërisë kanë treguar një përkrahje për qytetarët e Komunës së Graçanicës. Kjo përkrahje kishte ndodhur para 5 vitesh dhe shfrytëzoj rastin për t’ju falënderuar shumë sinqerisht. Për shkak se kjo ishte asaj kohe një ndihmë shume e madhe ekonomike, një ndihmë e madhe njerëzore dhe humane. Kishte një rëndësi shumë të veçantë për të dy popujt, për të dy bashkësitë të cilat jetojnë në Kosovë dhe në rajon.

Roli i Republikës se Shqipërisë është i rëndësishëm për të gjithë rajonin.

Ne i gëzohemi çdo suksesi tuajin. Ne jemi në një rrugëtim të përbashkët drejt integrimeve euroatlantike dhe ju falënderoj për të gjitha ato që do të na ndihmoni në këtë rrugëtim të përbashkët.