Rrapo Taho: Skema “Final 4” absurde, ngriti në horizont manipulimet

INTERVISTA/ Mjeshtri Rrapo Taho i bën apel shtetit shqiptar dhe FSHF-së, ta rishohin formulën e Superiores

Agron KAJA

Sigal

Nisur nga katër ndeshjet e luajtura, mendoni se skema “Final 4” është në shërbim të futbollit tonë superior?

Të them të drejtën, nuk e shoh një formulë të arsyeshme për futbollin shqiptar. Me sa di, nga disa klube kjo skemë nuk është miratuar tre sezone më parë, ndërsa FSHF-ja e vuri në zbatim! Më duket një skemë absurde, pa vlerë për futbollin tonë.

Në “Final 4” janë luajtur katër ndeshje dhe janë shënuar 12 gola, si i përshkruani rezultatet e arritura?

Janë rezultate që nuk mund të thuash se ka rivalitet, sepse luhet për një objektiv final në pak minuta. Sa u përcaktuan katër vëndet e para që në kampionat, nisën manipulimet në disa ndeshje, të cilat ja prishën gjithçka të mirë ecurisë së garës.

Pas katër ndeshjeve të luajtura, teknikisht, ishin këto rezultate për nivelin që kanë shfaqur?

Në këto ndeshje, sikundër edhe është struturuar formula, nuk bëhet fjalë për ndonjë nivel. Madje edhe për faktin se këto ndeshje luhen pasi janë mbyllur 36 javë kampionat, ku lodhja fizike dhe ajo psikologjike nuk janë në favorin e lojtarëve.

Për renditjen e katër skuadrave, mendoni se cila prej tyre është në vëndin përsa ka dhënë në dy ndeshjet e para?

Në fazën e parë dhe të dytën kishte rivalitet mes ekipeve, ku ishin më shumë skuadra në luftë për titullin, edhe Partizani me Teutën. Pasi katër ekipet siguruan zonën “Final 4”, nisën pazaret me ekipet e tjera dhe u fiksuan këto pozicione në renditje.

Cila nga katër ndeshjet e luajtura ka qënë më e mirë në lojë e në rezultat, dhe pse?

Niveli i këtyre ndeshjeve nuk mund të themi se do të matet me golat që shënohen, sepse vetë specifika e tyre është që edhe me një “gjysmë goli” të sigurojë tri pikët. Janë luajtur ndeshje me nivel mesatar, me tension dhe dhunë.

Dy ndeshjet e fundit i kam quajtur si një fjalëkryq, ju si do ta zgjidhnit teknikisht?

Juve i keni quajtur si fjalëkryq, unë po ja u zgjidh. Mendoj Egnatian fituese Dinamon, dhe AF Elbasanin me Vllazninë. Nëse do ketë ndonjë rezultat tjetër, unë mendoj se do jetë produkt i paramenduar që nuk do dalë nga fusha e lojës.

Nëse do t’u kërkoja një parashikim për të dyja ndeshjet e fundit “Final 4”, cili është sipas jush?

Egnatia e Vllaznia kanë qënë favorite në këto ndeshje të “Final 4”, dhe mendohej se ato do ishin të dyja në garë për titullin. Parashikimin e bëra më sipër, por do ta përmbledh kështu: Egnatia-Dinamo 1 dhe Vllaznia-AF Elbasani X.

Edhe pse do luhen dy ndeshjet e fundit, ju si do ta formatonit renditjen e  “Final 4” të këtij sezoni?

Kur them se Egnatia fiton edhe me Dinamon, ajo do të jetë në krye të renditjes së “Final 4”, njëherësh edhe kampione e këtij edicioni. Vëndi i dytë do të ndahet mes Vllaznisë dhe AF Elbasanit, një ndeshje mes tyre që nuk shoh asnjë favorite.

U larguan Bylisi me Flamurtarin dhe u ngjitën në Superiore Laçi me Skënderbeun, si e përshkruan garën e ardhshme?

Mendoj se i njëjti fenomen do jetë edhe në kampionatin e ardhshëm. Sepse bëhet merkato, me lojtarë që sportivisht i quaj ordinerë. Këto katër ekipe do jenë kandidatët kryesorë për titull, gjatë garës në kampionat pres ndonjë surprizë.

Skenarët e javës finale për titullin kampion

Egnatia shpallet kampione në rast se fiton ndaj Dinamo City, ose barazon me Dinamon dhe AF Elbasani nuk fiton ndaj Vllaznisë. Ndërkohë, AF Elbasani shpallet kampion në rast se fiton ndaj Vllaznisë dhe Egnatia nuk fiton ndaj Dinamos, ose barazon me Vllazninë dhe Dinamo fiton ndaj Egnatias. Ndërsa Vllaznia shpallet kampione në rast se fiton ndaj AF Elbasanit dhe Dinamo fiton ndaj Egnatias. Gjithçka mbetet e hapur përpara mbrëmjes finale më 31 maj.

ABISSNET SUPERIORE

   SEZONI 2025-2026

NDESHJET E “FINAL 4”

Takimet e para

E shtunë, 16 maj 2026

Vllaznia-Dinamo C                 0-2

E dielë, 17 maj 2026

AF Elbasani-Egnatia               0-4

Takimet e dyta

E shtunë, 23 maj 2026

Vllaznia-Egnatia                     1-2

E dielë, 24 maj 2026

AF Elbasani -Dinamo C         3-0

Takimet e treta

E dielë, 31 maj 2026

Egnatia-Dinamo C                  19:00

(Luhet në “Elbasan Arena”)

Vllaznia-AF Elbasani              19:00

(Luhet në “Air Albania”)

 

RENDITJA E “FINAL 4”

Skuadrat                    Nd       P

1.Egnatia                     2          34

2.AF Elbasani              2          34

3.Vllaznia                    2          31

4.Dinamo City            2          27

 

RENDITJA NË KAMPIONAT        

Skuadrat                    Nd       P

1.Vllaznia                    36        63

2.AF Elbasani              36        62

3.Egnatia                     36        57

4.Dinamo City             36        49

———————————–

5.Partizani                   36        48

6.Tirana                       36        44

7.Vora                         36        42

———————————–

8.Teuta                        36        42

———————————–

9.Bylis                         36        41

10.Flamurtari               36        36

Dje, Edlir Tetova u prezantua zyrtarisht si trajner i Teutës

Nga dita e djeshme, Edlir Tetova është zyrtarisht trajneri i ri i Teutës. Pasi e mbylli me Egnatian dhe u shpall dy herë kampion, tekniku 43-vjeçar ka nisur dje rrugëtimin e ri në banikën durrsake. “U riktheva aty ku hodha hapat e parë për futbollin. Bashkë për gjithçka”, ishin këto fjalët e para të Tetovës si trajner i Teutës. Këtë lëvizje e zyrtarizoi mediatikisht  edhe klubi i futbollit durrsak. “Klubi i Futbollit Teuta ka kënaqësinë të prezantojë zyrtarisht z. Edlir Tetova në krye të bankinës sonë. Një rikthim aty ku nisi gjithçka, i gatshëm për të udhëhequr skuadrën drejt objektivave dhe sukseseve të reja. I urojmë punë të mbarë dhe suksese në krye të ekipit”. Me këtë lëvizje, Teuta shfaqet me objektiv rikthimin e titullit kampion.