PALLATI I SKËNDERBEUT NË ROMË

822
Nga Prof. Ass. Dr. Spiro Mëhilli

Roma, metropoli epik plot gjallëri, vendi i perandorive të humbura, Qyteti i Përjetësisë, të rrëmben me bukurinë e gjallërinë e saj. Roma qyteti ku kanë pasur pjesën e tyre imperatorët me origjinë ilire, Konstandini dhe Aleksandri apo Papa Klementi XI në vitet 1700-1721. Në të ndodhen muzeume të panumurta, parqe të mrekullueshëm që mbajnë emrat: “Villa Borgeze”, ndoshta më e bukura e Romës ku ndodhen me dhjetëra shtatore e buste shkrimtarësh e poetësh të përbotshëm e figura të shquara italiane, ku me ndërhyrjen e Vatikanit aty do vendoset dhe shatorja e poetit tonë Pater Gjergj Fishtës; “Villa ADA”, “Villa Pamfili”, “Villa Torlonia”, “Villa Glori”; apo “Colosseo”, “Panteoni”, “Citta Universitaria”, “Piazza di Spagna”, “Piazza del Popolo”, “Piazza Republica”. “Piazza Navona”, “Piazza Venezia” me pallatin madhështor, “Piazza Albania” ku në mes të saj qëndron krenar monumenti i heroit tonë kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeut, “Campo dei fiori”, “Foro Imperiale”, “Foro Traiano”, “Foro Argentina”, apo Bazilika madhështore e “Shen Pjetrit” e qindra e qindra kisha e katedrale ku çdo njëra prej tyre është vepër arti, për të arritur te “Fontana di Trevi”. Në rrugicën tëposhtë Quirinales, Pallatit Mbretëror të Italisë, ndodhet një nga vendet më të bukura e të vizituara në Romë, “Fontana di Trevi”. Në atë shesh të vogël që gumëzhin si ditën e natën nga zëra që flasin të gjitha gjuhët e botës, mund të takosh njerëz nga të pesë kontinentet. Sapo e kalon atë, në të djathtë ndodhet kisha katolike e “Shen Atanasit” dhe kur futesh në “Via del Lavatore”, pa dalë në “Via in Arcione”, përballë zbardhon një pllakë e mermert ku shkruhet “Vicolo Scanderbeg”, dhe kur kalon nëpër atë rrugicë të ngushtë të kalldrëmtë, jo më shumë se 60 metra të gjatë, ndodhesh në “Piazza Scanderbeg” dhe përballë shikon një pallat me 5 kate që mban numrat 116-117. Thuhet që dikur ajo ishte rezidenca e Papëve. Pikërisht në atë bujtinë qëndroi rreth tre muaj Skënderbeu ynë. Në nëntor të vitit 1466 Skënderbeu i lodhur nga luftërat me osmanët dhe i mbetur thuajse i vetëm, mori rrugën për në Itali, duke u nisur me anije nga porti i Raguzës megjithëse Senati i Republikës së Sirakuzës kishte votuar më 2 nëntor 1466 që Skënderbeu të mos futej në Raguzë. Megjithatë, më 22 nëntor 1466 ambasadori milanez De Collis nga Venediku informonte se Skënderbeu i kishte hipur një galere venetikase dhe duhej të kishte kaluar Otranton e drejtohej për në Brindizi nga ku do të shkonte në Napoli të takonte mbretin Ferrant dhe më tej në Romë të takonte Papën, për të kërkuar ndihma që të rikuperonte gjendjen në vend. Me vete kishte të shoqen, Donikën dhe të birin 13 vjeçar, Gjonin. Ata i la në kështjellën e Monte Sant Angelos, që në vitin 1464 ia kishte dhuruar Mbreti Ferrant i Napolit. Në këtë misjon ai shoqërohej nga Lekë e Nikollë Dukagjini, napolitani Garcia Betesi dhe nga një numër i vogël shokësh.Kur Skënderbeu i drejtohej brigjeve italiane, turqit arritën ta pushtonin të gjithë Arbërinë, përveç Krujës që mbahej me forcat dhe shpenzimet e Republikës. Pasi u kthye nga Napoli, shkoi në Romë më 12 dhjetor 1466 dhe u prit nga Papa Pali II me shumë bujë. Për të përballuar sulmet e pritura të Mehmetit II, Papa i dha atij një relikë druri të “Kryqit të Shenjtë” shoqëruar me rreth 200 dukate dhe ndjesa in articulo mortis. Duket sikur Skënderbeu i paskish thënë Papa Palit II:

“Sa për relikën, e pranoj me kënaqësi, pasi parashikoj që për së afërmi do të jem gati të zbres në varr. I vetëm kundër aq armiqve me siguri që do të vdes. Sa për të hollat, ato Ju a lë, me kusht t’ua shpërndani të varfërve që do t’i luten Zotit për kthimin tim dhe mbarësinë e armëve të mija. Në u mundësha, kjo do të varet nga fakti se kush është më i forti, porse, në dalsha fitimtar, të gjitha të hollat e Romës nuk do të mjaftonin për ta ndarë me mua lavdinë”. 

Natën e Krishtlindjes, Hirësia e Tij, i dha Skënderbeut SHPATËN dhe PËRKRENAREN si shenjë për të luftuar burrërisht kundër turkut dhe i bëri nderim të madh. Sipas studjuesit Aurel Plasari ka të ngjarë që këto armë t’i ketë përdorur pas kthimit në atdhe. Më 15 janar 1467 Papa i dha dhe 250 dukate shtesë. Në Romë qëndroi deri më 14 shkurt 1467. Ka shumë mundësi që përkrenarja dhe shpata që iu dhuruan Skënderbeut nga Papa Pali II të jenë ato që do u sollën në 100-vjetorin e pavarësisë së vendit nga Qeveria Austriake. Pas Romës ai shkoi përsëri në Napoli ku mbreti Ferrant i dha ndihmë rreth 300 qerre drithë me kredi, municione, 1000 dukate në dorë, pagesën për kështjellën e Krujës, të këmbësorëve të vendosur aty dhe 500 dukate për të mbuluar shpenzimet e udhëtimit. Në Napoli Skënderbeu duhet të ketë qëndruar deri në të dalë të marsit. Në Arbërinë që vazhdonte të digjej nga ushtritë e Ballaban Pashës, ai u kthye me ndihmat e mbretit të Napolit, Ferrant dhe dhuratat simbolike të Papa Palit II dhe menjëherë u mor me riorganizimin e ushtrisë duke bashkuar në Shkodër trupat e veta me ato të komandantit të Republikës në vend, Giosafat Barbaros. Ai arriti të çante rrethimin e Krujës dhe të shpartallonte ushtrinë turke me egërsi. Më 23 prill, ditën e Shën Gjergjit, në rrethinat e Krujës Ballabani u plagos në grykë nga një heshtë dhe për pasojë gjeti vdekjen. Katër ditë më parë atij i kishin kapur të vëllanë dhe i kishin prerë kokën. Trupi i tij u varros në Petrelë, kurse varri u prish në vitet e regjimit komunist. Më 7 qershor Mehmeti II për t’u hakmarrë dërgoi në Arbëri ushtri të madhe me rreth 400.000 veta në tre drejtime: të Durrësit, të kryesuar prej tij; të Shkodrës me Mehmet Pashën dhe kontigjentet e tjera në drejtim të Krujës. Në këtë fushatë sulltani zuri robër 100.000 veta dhe meshkujt nga 7 vjeç e sipër i coptoi dhe arriti para Krujës me një ushtri prej 200.000 veta. Banorët e Durrësit, Lezhës e të viseve bregdetare morën plaçkat dhe ikën në Apuli. Më 3 gusht 1467 sulltani u largua dhe la në Arbëri, Reposhin, një nga katër djemtë e Mamica Kastriotit, me 1300 kalorës të tërhequr në Kepin e Rodonit, që ndodhet mes Durrësit dhe Krujës, i cili u rrethua nga deti prej luftanijeve të Republikës dhe nga toka prej Skënderbeut ku u kap dhe u vra si nip femohues. Në janar të vitit 1468 Skënderbeu shkoi në Lezhë, që tani ishte territor venedikas, mesa duket për të mbledhur dhe njëherë kuvendin si në vitin 1444, por një sëmundje e rëndë e mbërtheu dhe aty vdiq më 27 janar 1468. Përsa i përket vdekjes së kryeprijësit, Barleti, Muzaka, Franku dhe Biemi thonë se e mbërthyen ethe të forta; Giovanni Francesco de Maffei, ambasador i Mantuas në Raguzë dhe abati Ludoviko Tuberoni thonë se Skënderbeu vdiq në betejë nga një shigjetë e helmuar; kurse Raffaele Maffei thotë se kur Skënderbeu u kthye në atdhe nga Roma, vdiq pas pak kohe i helmuar. Donika me të birin 14 vjeç u largua nga vendi dhe u vendos në “Pianna del Albanezi”, në Garganjo të Pulias, feude e kastriotëve dhuruar nga mbreti i Napolit Ferdinand II. Tani valë të popullsisë shqiptare braktisën mëmëdheun për mos të rënë në robëri. Flitet mbi 200.000 veta dhe u vendosën në tokat e mbretërisë së Napolit si në Siçili, Kalabri, Bazilikatë, Pulje, duke krijuar rreth 80 fshatra arbëreshe. Më vonë, në ballë të derës u vendos një pllakë mermeri ku në qendër të saj qëndron në profil, me mjekër të bardhë dhe kapelën e kuqe, fytyra e prinjësit legjendar dhe rreth saj shkruhet:

“GEOR. CASTRIOTA A SCANDERBEG PRINCIPES EPIRI AD FIDEM ICONIS REST AN. DOM. MDCCCXLIII”, ku e plotë do të ishte “GEORGIUS CASTRIOTA A SCANDERBEG PRINCIPES EPIRI AD FIDEM ICONIS RESTAURAVIT ANNO DOMINIS MDCCCXLIII”(S.M.) Pallati vite më vonë mbeti në duart e markezit Auletta, banues në Napoli, i cili sikundër thoshte Koço Semini, ishte nga familja e kastriotëve. Për arësye ekonomike Auleta ia shiti ndërtesën një të quajturi Gobert, i cili më në fund ia shiti familjes Scifoni. Interesant është fakti se në vitin 1928 për këtë pallat ishte interesuar Mbreti “ZOG I”, i cili kishte dërguar një komision nga Tirana për ta parë pallatin dhe të merrej vesh me Qeverinë Italiane për ta blerë e për ta bërë Legatë të vendit tonë. Vitet e fundit aty ishte vendosur “Museo delle Paste” ose “Muzeu i Makaronave”. Fatmirësisht tani ai muze ishte larguar. Sa herë shkoja në Romë, ndërtesën e gjeja të mbyllur dhe e pata të pamundur të takoja njeri. Më në fund, në vitin 2016 m’u dha rasti ta vizitoja të rikonstruktuar si “Hotel Rezidencial”. Recepsionistjë, vajzë mjaftë e edukuar më lejoi të shikoja një pjesë të mjedisit dhe në dalje më dha një fletpalosje ku pasqyroheshin mjediset e ati tani hoteli të mrekullueshëm. 


Sigal