Frank Shkreli*: Mesazhi i kardinalit të ri shqiptar dhe historianët revanshistë

604

Gazeta telegraf/

Të dielën që kaloi, Papa Françesku njoftoi emrat e
13 kardinalëve të atij që quhet Koncistor i ri dhe emëroi 4 kardinalë të tjerë,
por të cilët për arsye moshe nuk kanë të drejtë të marrin pjesë në zgjedhjen e
Papës. Ndër këta është edhe kardinali ri shqiptar dom Ernest Simon Troshani nga
Kryedioqeza e Shkodër-Pultit. Papa Françesku i shpalli
  botës emrat e kardinalëve të ri,  përfshirë priftin shqiptar, dom Ernest Simoni
Troshani, i cili për vite me radhë ka vuajtur dhe është torturuar nën
diktaturën ateiste të komunizmit shqiptar.
 Viktimizimi  i dom Ernestit, nën diktaturën komuniste, nisi
natën e Krishtlindjes të vitit 1963, kur vetëm pse ishte prift, u arrestua dhe
u burgos nga komunistët, pastaj u fut në një qeli izolimi, u torturua dhe qe dënuar
me vdekje.
 Pas shumë vuajtjesh dhe
torturash, dënimi i tij me vdekje shndërrohet në 25-vjet pune të detyrueshme në
kampet komuniste, ku vazhdojnë vuajtjet dhe torturat kundër tij.
 Por dom Ernesti, qëndroi si martir i vërtetë,
duke gjetur fuqinë e qëndresës në besimin tek Zotin, thuhet në një koment të
Radio Vatikanit në gjuhën shqipe. Më në fund, më 5 shtator 1990 mbërriti dita e
lirisë për dom Ernestin, i cili rifilloi misionin e tij si meshtar, të cilin,
siç ka rrëfyer ai vetë në disa raste, përfshirë në deklaratat e tija për programin
shqip të Radio Vatikanit, se megjithë torturat dhe vuajtjet që pësonte në
burgjet e Enver Hoxhës, megjithë rrethanat çnjerëzore të jetës — si i
përjashtuar nga shoqëria dhe i përndjekur nga regjimi komunist — ai nuk e
kishte ndërprerë asnjëherë misionin e tij, “por vetëm e kishte jetuar dhe
përjetuar në një kontekst krejt të veçantë”, ka pohuar dom Troshani. Gjatë
vizitës së tij në Shqipëri në vitin 2014, Papa Françesku dëgjoi dëshmi nga
histori të tmerrshme gjatë dekadave të krimeve komuniste ndaj klerikëve dhe një
pjese të madhe të popullsisë. Gjatë asaj vizite, udhëheqësi i Kishës Katolike
pati mbetur tepër i prekur personalisht nga rrëfimet e shumë të mbijetuarve të
regjimit komunist të Enver Hoxhës, por në veçanti ai duket se qe prekur rëndë
nga dëshmia e dom Ernest Troshanit, i cili kaloi 28-vjet në burg dhe kampe
përqendrimi.
 Dom Troshani, ashtu  në moshë të shkuar, i vuajtur dhe i torturar,
i paraqiti Papës jo vetëm vuajtjet dhe torturat që pësoi ai personalisht, por i
mbarë populli shqiptar.
  Papa Françesku,
i prekur thellë në shpirt nga vuajtjet e tija, e përqafoi dom Troshanin në
Katedralen e Shën Palit në Tiranë gjatë vizitës së tij në Shqipëri, më 21
shtator, 2014.
  E pasi dëgjoi historinë e
persekutimit të tij, të Kishës katolike dhe të mbarë popullit shqiptar, Papa
Françesku u përlot para mbarë botës për vuajtjet që kishte pësuar ky popull nga
regjimi komunist. Sipas Radio Vatikanit shqip, me këto emërime Papa dëshiron të
vejë në dukje se Kisha Katolike është e të gjithë popujve dhe se si institucion
shprehet në gjuhë dhe kultura të ndryshme të botës dhe se është Kisha ajo që
përhap tek popujt dashurinë dhe mëshirën e Perëndisë për të gjithë.
  Në këtë frymë,  veprimi i parë i dom Ernest Troshanit, pas
lirimit nga kampet enveriste të punës dhe të përqendrimit në vitin 1990,
 ishte deklarata e tij se i kishte falur të
gjithë ata që e kishin akuzuar fals si dhe personat që e kishin dënuar dhe e
kishin torturuar për 28 vjet– 18 vjet në minierat e burgut të Spaçit dhe
10-vjet duke punuar nëpër kanalet e ujërave të zeza. Dom Ernest Troshani,
kardinali i ri Shqiptar, porosinë që pat dhënë pas lirimit të tij 26 vjet —
duke i falur të gjithë ata që e kishin burgosur dhe torturuar — e përsëriti
edhe para disa ditësh me rastin e emërimit të tij si kardinal.
 Në një intervistë për radio Vatikanin shqip, i
pyetur se cili është mesazhi i tij për popullin shqiptar në këtë rast, dom
Troshani theksoi fillimisht falënderimet ndaj Papa Françeskut për emërimin e
tij si kardinal, duke thënë se emërimi, “Është një nder që Papa i bën kombit
shqiptar – është një nder që më bëhet mua personalisht, megjithëse i pa denjë,
por është edhe një nder për opinionin dhe historinë e gjatë të popullit
shqiptar. Ne si popull shqiptar e kemi pasur zakon besën, burrërinë dhe
besnikërinë….ku mbi të gjitha pasqyrohet fjala dashuri, me dashtë njëri tjetrin
si vetveten…të lutemi për njëri tjetrin, të mbrojmë njëri tjetrin e të ndihmojmë
njeri tjetrin”. Ndërsa pyetjes ndaj bashkëjetesës fetare midis shqiptarëve,
kardinali i ri shqiptar pohoi se
,  “Një gjë është që ia rritë zërin popullit
shqiptar, të gjithëve. D m th toleranca, dashuria vëllazërore e fetare që nuk
ka as një frymëzim tjetër veç të duam njëri tjetrin, katolikë, myslimanë e
ortodoksë, një trup i vetëm të bashkuar për lumturinë e Zotit, dashurinë ndaj familjeve
dhe rinisë tonë…”
 Dhe për të pasqyruar
gjithmonë buzëqeshjen, gëzimin… pra me kenë të gjithë atdhetarë të lumtur në
këtë botë.
  “Mësimi i Krishti” theksoi
dom Troshani për radio Vatiknain,
“Është
që të doni armiqtë tuaj…falini ata që u kanë bërë keq, lutuni për ata që u kanë
bërë të këqia”
.  Ndërsa për përfaqësuesit
e ish-regjimit komunist që e konsideronin si armik dhe që e torturuan për
pothuaj tre dekada, kardinali i ri shqiptar ofroi falje edhe për ata që
shkaktuan torturat dhe vuajtjet
  kundër tij, duke u shprehur: “Zoti i ruajt e i bekoftë të gjithë, se ne
jemi për dashni të gjithanshme  në mbarë
botën, kështu që të jemi të gjithë të bashkuar vetëm në dashni, paqë , vëllaznim
e harmoni me lutje dhe bekim nga i Madhi Zot
.”   Ndërsa
në mesazhin e tij drejtuar familjeve dhe rinisë shqiptare ai bëri thirrje, “
Përhapni dashurinë vëllazërore” dhe uroi
që “
I Madhi Zot e bekoft mbarë popullin
shqiptar, në dashuri me Zotin, në harmoni, në paqë dhe lumturi me njëri tjetrin
.”
Krahasoni këtë reagim të një kleriku shqiptar të persekutuar nga regjimi
enverist për pothuaj 30-vjet , i cili jo vetëm që i ka falur satrapët komunistë
për të gjitha vuajtjet dhe torturat ndaj tij, por madje tashti edhe lutet për
ta.
 Krahasoni reagimin e kardinalit të
ri me reagimet e vazhdueshme të apologjetëve komunistë të djeshëm dhe të sotëm
shqiptarë ndaj klerit katolik shqiptar, pothuaj të zhdukur nga regjimi i Enver
Hoxhës.
  Reagime si ndër ato të fundit se
gjoja këta nuk u gjendën bashkë me forcat “përparimtare” komuniste gjatë Luftës
së Dytë Botërore, ose për “bashkëpunim” me fashistët.
  Është
interesant sulmi i fundit kundër At Gjergj Fishtës dhe klerit katolik në
përgjithësi.
  Në sytë e këtyre, nuk
mjafton zhdukja e tyre fizike, nuk mjafton fakti se shumicës së klerikëve nuk u
dihet as varri, përfshirë At Gjergj Fishtën, i cili është subjekti i sulmeve të
fundit.
  Këta nuk janë dënuar mjaft! Njerëzit
serioz duhet të pyesin, more janë këta njerëz që nuk kanë të ndalur së
kritikuari klerin katolik shqiptar të eliminuar nga regjimi komunist edhe sot e
kësaj dite, ndërgjegjja e kombit shqiptar? A janë këta të cilët me të vërtetë
flasin në emër të kombit.
  A janë këta me
të vërtetë ata që edhe sot shkruajnë historinë dhe reflektojnë historinë e pas
luftës?
  Vaj medet!  Në vend që të kërkojnë falje – për krimet, për
vuajtjet dhe torturat ndaj klerit katolik, përfshirë kardinalin e ri Ernest
Troshanin – në emër të një regjimi gjakatar të cilin këta pseudo-historianë e
kanë mbështetur sa ishte në fuqi dhe vazhdojnë ta përkrahin edhe sot – fatkeqësisht,
në vend që të predikojnë falje e harmoni,
 ata vazhdojnë të përhapin një frymë
revanshiste ndaj disa prej figurave më të spikatura të historisë dhe të
kulturës shqiptare, përfshirë At Gjergj Fishtën.
 Ç’t’u themi sllavëve, grekëve e turqve kur vet
shqiptarët bëjnë punën e tyre, në dëm të kombit dhe historisë shqiptare?
 Sfida serioze para të cilës gjendet sot kombi
shqiptar është nëse shqiptarët do të vendosin të dëgjojnë porosinë dhe mesazhin
e
  kardinalit të ri shqiptar Ernest
Troshani, për një rrugë faljeje
  madje
edhe për armikun dhe kundërshtarin, për një rrugë mëshire,
  dashurie e mirëkuptimi, për një jetë të
përbashkët me respekt dhe harmoni me njëri tjetrin — a po shqiptarët do të
vazhdojnë të zgjedhin rrugën e atyre që gjithnjë — madje edhe në mbarim të
çerek shekullit të 21-të — përpiqen të përhapin frymën revanshiste të
shekullit të kaluar, sidomos kundër klerit katolik, duke përplasur shqiptarin
kundër shqiptarit.
  Kjo është rruga që
këta apologjetë komunistë kanë zgjedhur, por
 “Udha e vetme që ka populli shqiptar është
udha e dashurisë dhe vëllazërimit”, është shprehur dom Ernest Troshani. Unë
besoj se ardhmja e kombit shqiptar duhet të gjejë rrugën e mesazhit të kardinalit
të ri Ernest Troshanit — rrugën e faljes e të vëllazërimit midis shqiptarëve
dhe jo rrugën e frymës revanshiste që kanë zgjedhur komunistët e ri dhe të
vjetër si dhe pseudo-historianët revanshistë
.  Jam i bindur gjithashtu se mbështetësit dhe
apologjetët e një regjimi që ka vrarë pa dallim një pjesë të elitës së
pafajshme dhe më të mirë kombit të vet, ashtu si edhe regjimi të cilit ata i
kanë shërbyer, si dhe “kontributi” i tyre që ata pretendojnë se i kanë dhënë e
po i japin historisë shqiptare – më në fund do të mbarojnë, siç është shprehur
dikur ish-presidenti amerikan Ronald Reagan, “në koshin e plehrave të historisë”.

Sigal