Prof. Dr. Qemal Lame: Kosova së shpejti në Këshillin e Evropës

10
Sigal

Telegraf.al / Është lajm shumë i mirëpritur dhe shpresuar prej një kohe të gjatë qëndrimi i Asamblesë parlamentare e Këshillit të Evropës që miratoi të martën, më 16.04.2024, raportin për anëtarësim të Kosovës në këtë këshill që duhet të merret në muajin maj në Këshillin e Ministrave të 46 vendeve anëtare të organizatës.

Meriton vlerësim Raportuesja për Kosovën, Dora Bakoyannis, e cila hartoi raportin për Kosovën. Ajo tha se “gjatë punës së saj, nuk ka lënë gur pa lëvizur në përgatitjen e raportit”, duke shtuar se me miratimin e raportit të saj, “pavarësisht disa mangësive, Kosova është demokraci funksionale”, dhe në këtë kuadër i bëri thirrje Këshillit të Ministrave që ta ftojnë Kosovën të bëhet anëtare me të drejta të plota e Këshillit të Evropës.

Me zgjuarsi është bërë distancimi dhe shmangia e temës së nxehtë të njohjes së mëtejshme ndërkombëtare. Dora Bakoyannis, tha se “raporti i saj, nuk prek çështjen e njohjes apo mosnjohjes së Kosovës dhe se kjo çështje duhet të mbetet kompetencë e shteteve”. Pesë shtete të Bashkimit Evropian akoma nuk e njohin pavarësinë e Kosovës: Çekia, Greqia, Spanja, Rumania dhe Qipro.

Thirrja e fuqishme e raportueses Dora Bakoyanis, drejtuar gjithë anëtarëve që të mbështesin këtë kërkesë, ka qenë tronditëse për Beogradin politik, pasi u është kundërvënë kërcënimeve të Presidentit Aleksandër Vuçiç që thirri me urgjencë Këshillin e Sigurisë Kombëtare dhe pretendoi për një kërkesë të mundshme për largimin nga KE. Skena të kësaj natyre janë të njohura për politikanët serbë kur vihen para fakteve që i demaskojnë në opinonin publik të brendshëm dhe atë ndërkombëtar.

Autoritetet në Serbi që janë vënë në një fushatë për të parandaluar këtë proces, theksojnë se do të luftojnë për të pamundësuar anëtarësimin e Kosovës dhe argumenti kryesor sipas tyre është “mosthemelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe”.

Me këtë qëndrim politikanët serbë dëshmojnë se vazhdojnë politikën e vjetër shoviniste të mosnjohjes së pavarësisë dhe nuk dëshërojnë të normalizojnë marrëdhëniet me Kosovën.

Kryetarja e delegacionit serb, Biljana Pantiq Pilja, ka kundërshtuar ashpër përfundimet e raportit duke ritheksuar pretendimin e padrejtë se nëse lejohet anëtarësimi i Kosovës pa themelimin e tij, Asociacioni nuk do të bëhet kurrë.

“Dëshiroj t’ju përgëzoj për atë që po bëni sot. Ju do të hyni në histori si dikush që shkeli brutalisht të drejtën ndërkombëtare në të cilën bazohet Këshilli i Evropës. Nëse e lejoni Kosovën të anëtarësohet në Këshillin e Evropës pa e themeluar Asociacionin, nuk do të krijohet kurrë. Ju thatë dhe keni shkruar se themelimin e Asociacionit e konsideroni kusht të domosdoshëm për mbrojtjen e të drejtave të pakicave, pse nuk flisni për të drejtat e njeriut të serbëve në Kosovë”, tha ajo.

Por zonja Bakoyanis, i është kundërpërgjigjur duke nënvizuar përparimin që ka shënuar në disa çështje të rëndësishme Kosova, siç është vendimi për të zbatuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese për pronat e manastirit të Deçanit, duke theksuar se çështja e Asociacionit duhet të zgjidhet në kuadër të bisedimeve Kosovë – Serbi.

“Që nga publikimi i raportit kam marrë kritika të forta dhe në disa raste edhe sulme personale. Komentet më agresive janë bërë nga anëtarët të cilët vijnë nga shtetet që nuk e njohin Kosovën. Aty do t’u uroja përzemërsisht që të jenë të sinqertë sepse në të vërtetë për ta nuk ka pasur kurrë rëndësi se cilat parakushte do t’i viheshin Kosovës. Nuk ka parakushte me të cilat këta anëtarë do ta mbështesnin një raport pozitiv për arsyen e thjeshtë se kundërshtimi i tyre nuk ka të bëjë asgjë me kriteret e anëtarësimit, por ata kundërshtojnë idenë e një shteti të Kosovës”, tha ajo.

Me këtë qëndrim, evidentohet e argumentohet e vërteta ndryshe nga akuzat e njohura serbe dhe mbështetësve të tyre në shtetet që nuk vlerësojnë me objektivitet historinë e realitetin e Kosovës se pavarur e sovrane të njohur ndërkombëtarisht nga 115 shtete.

Serbia bën presion për krijimin e asociacionit për serbët që të imponojë politikën e saj për tu rikthyer në Kosovë dhe realizuar ndarjen e saj. Beogradi kërkon respektimin e kësaj pike të Planit Evropian dhe Marrëveshjes së Ohrit dhe kundërshton pikën për normalizimin e marrëdhënieve që ka në përmbajtje njohjen faktike të pavarësisë së Kosovës. Me këtë taktikë ju kundërvihet efektivisht arritjeve të aleancës euroatllantike. Kështu nuk eleminohen por ligjërohen strukturat ilegale me krijimin e një Republike të re Srpska, sipas skemës së Bosnje Hercegovinës që ka paralizuar veprimtarinë shtetërore dhe rrezikon paqen e sigurinë në rajon me politikën shoviniste të Beogradit. Pranimi në Këshillin e Evropës fuqizon statusin shtetëror të Kosovës dhe ndihmon në respektimin e parimeve kushtetuese për minoritetet përfshi edhe serbët dhe krijimin e asociacionit. Kosova pranon ta krijojë këtë asociacion pa kompetenca të pushtetit teritorial, pasi Serbi të pranojë zyrtarisht në tërësi marërveshjet e normalizimit të marrëdhënieve që kërkohen nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Serbia akuzon padrejtësisht Qeverinë e Kosovës për mos respektimin e të drejtave e lirive të serbëve, megjithse u janë njohur e garantuar me standartet më të larta ndërkombëtare. Është detyrim kushtetues që Shqipëria dhe Kosova të kërkojnë të njejta të drejta edhe për shqiptarët në trojet e tyre në Serbinë jugore. Gjykata serbe ka dënuar kryetarin e komunsë së Preshevës me 500 euro vetëm se guxoi të vendosi flamurin kombëtar shqiptar në zyrën e tij.

Arrestimi nga autoritetet e Serbisë i pesë policëve të Kosovës, më 17.04.2024, është shkelje rëndë që ndikon në tensione të reja. U liruan, sot, më 18.04.2024, katër prej tyre, por mbahet padrejtësisht zëvendësdrejtori i përgjithshëm i policisë, Dejan Jankoviç. Kjo ndosh si kundërvënie e menjëherëshme ndaj raportit të Asamblesë parlamentare të Këshillit të Evropës. Me këtë akt, Beogradi ashpërson qëndrimet, kur duhet të veprojë për normalizimin e marrëdhënieve.

Asamblesë parlamentare dëshmoi qartë politikën e demokracive perëndimore e në tërësi të aleancës euroatllantike. Kosovës i hapet rruga për tu anëtarësuar në një organizatë ndërkombëtare. Me këtë reagim, hiqet bllokada e imponuar nga politika serbe që kundërshton njohjen e Kosovës dhe pengon me të gjitha mënyrat e mundshme njohjet e mëtejshme.

Politika serbë e orinetuar nga Rusia dhe nga Bashkimi Evropian nuk do të gjejë përkrahjen e deritanishme me lëshime në favor të Beogradit dhe në dëm të Kosovës. Serbia, politikanët ultranacionalistë serbë, është e nevojshme dhe e domosdoshme të njohin realitetin politik e gjeografik të Kosovës, si dhe të reflektojnë në pozicionimin e saj nga Lindja apo nga Perëndimi. Nëse politikanët serbë duan me të vërtetë integrimin evropian, të ndryshojnë mentalitetin që dominohet nga mitet serbomëdha dhe të reformohen për tu bërë evropianë jo vetëm me deklarime politike por me vendime politike. Serbia do të mund të anëtarësohet në Bashkimin Evropian vetëm pas njohjes dhe normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën. Anëtarësimi në Këshillin e Evropës do të krijojë kushte të reja të favorshme për politikën evropiane dhe atë amerikane për të rritur kërkesat në bisedimet për marrëveshje dhe normalizim të marrëdhënieve.

Në kushtet e sotme kërkohet më shumë përkushtim nga Qeveria dhe gjithë shtetasit e Kosovës në parimet e demokracisë e shtetit të së drejtës. Me mbështetjen e partnerëve strategjikë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian dhe duke bashkëpunuar, dëgjuar e reflektuar në kohë në këshillat e tyre, do të forcohet më tej shteti i Kosovës, rriten njohjet ndërkombëtare dhe qëllimi i anëtarësimit në organizatën e Kombeve të Bashkuara.