Luljeta Shtylla/ Vlerat e audituesit të KLSH

569
Trupa audituese e institucionit të Kontrollit të Lartë të Shtetit, këto vitet e fundit, paraqitet në zhvillim e reformim të plotë, përsa i përket profesionalizmit të saj, standardeve që përdor dhe qasjes me entet shtetërore që auditon. Ndër vlerat kryesore që e karakterizojnë audituesin e sotëm të KLSH, ajo parësore është pa dyshim integriteti. Që do të thotë ndershmëri, objektivitet, aftësi dhe shmangie e konfliktit të interesave në ushtrimin e veprimtarisë audituese. 
Roli i KLSH në strukturat europiane
KLSH luan një rol aktiv në Grupin e Punës së komunitetit të institucioneve supreme të auditimit, organizatës mbarë botërore INTOSAI (me saktë organizata rajonale evropiane me emrin EUROSAI), për etikën dhe integritetin. Kryetari i KLSH, z. Bujar Leskaj i ka orientuar audituesit, që në fillim të mandatit të tij, drejt rritjes së profesionalizmit dhe integritetit, drejt zbatimit të standardit ISSAI 30-te, Kodit Etik të profesionit të audituesit suprem. Profesionalizmi është zbatimi i standardeve me kujdesin e duhur profesional dhe me korrektësi, mbështetur në metodologjitë dhe praktikat më të mira. Integriteti i audituesit krijon besimin dhe për rrjedhojë siguron bazat e gjykimit të tij. Standardet e INTOSAI-t e bëjnë të qartë se menaxhimi duhet të marrë rolin udhëheqës në vendosjen dhe ruajtjen e theksit etik të institucionit suprem të auditivit (SAI-t), duke siguruar udhëzime për sjelljen e duhur, duke shmangur prirjet për sjellje jo etike dhe konflikt interesash. Këto standarde kanë aplikim të gjerë në auditimet e KLSH. Krahas këqyrjes së dokumentuar dhe të imtë të standardeve dhe integritetit të njësisë që auditohet, rëndësi për Institucionin ka etika dhe integriteti në punën e secilit auditues. 
Etika dhe integriteti
E thënë thjesht, KLSH i kushton vëmendje maksimale etikës dhe integritetit. Ai nuk ka munguar të bëjë kallëzim penal për ish-punonjësit e tij, kur Kryetarit të KLSH i kanë ardhur ankesa nga qytetarët për auditime të kryera dhe këto ankesa janë verifikuar. Profesionalizmi dhe integriteti i audituesve është një nga vlerat thelbësore të KLSH. Si një institucion auditimi përgjegjës për mandatin dhe misionin e tij, është thelbësore që audituesit e KLSH të ruajnë standardet më të larta profesionale në punën dhe sjelljen e tyre. Reputacioni i KLSH për pavarësi, i fituar me vështirësi dhe i sanksionuar edhe njëherë me Ligjin e ri integral të Institucionit, miratuar nga Kuvendi në nëntor 2014, është kritik për besueshmërinë dhe ndikimin e tij si SAI. Kjo është arsyeja pse KLSH është kaq vigjilent si institucion, në sigurimin qe puna e audituesve të tij të shmangë konfliktin e interesave. Të gjithë audituesit paraqesin raporte financiare për dhënie informacionesh shpjeguese, të cilat shqyrtohen tërësisht, jo vetëm për konfliktin e interesave, por për çdo çështje që mund të çojë një palë të tretë të verë në pikëpyetje profesionalizmin, integritetin dhe objektivitetin e audituesve të KLSH, apo edhe skepticizmin profesional të tyre.
Pavarësia dhe objektiviteti
Ndër vlerat themelore të audituesit suprem janë dhe pavarësia dhe objektiviteti. Ato nënkuptojnë pavarësi në ushtrimin e veprimtarisë audituese dhe dhënien e opinioneve e gjykimeve objektive gjatë kryerjes së auditimeve. Auditimi profesional, sipas standardeve ISSAI të organizatës INTOSAI-t (janë standarde në katër nivele dhe janë pranuar botërisht si udhërrëfyese të institucioneve të auditimit publik suprem kudo në botë), duhet të plotësojë një sërë kushtesh. Kur ai paraqitet tërësisht i pavarur nga influencat dhe ndërhyrjet e entit që auditohet, rezultatet e këtij auditimi marrin vlerë thelbësore për rritjen e mirëqeverisjes publike dhe për mirëqenien e shoqërisë. Audituesit kryejnë auditime të tilla, si ato financiare apo të performancës dhe duhet t’i shmangen opinioneve stereotipe, para-opinioneve, përfundimeve të parashikuara apo të perceptuara të rezultatit. Kur konkluzionet janë të fiksuara apo të perceptuara pa verifikim, procesi i auditimit dhe të dhënat e mbledhura si prova, rrezikojnë të cenohen.
Auditimet profesionale
Vetëm auditimet profesionale të KLSH ndihmojnë për të luftuar me efektivitet korrupsionin, duke vepruar si një frenues i fuqishëm, për të pakësuar abuzimin me paranë dhe interesat publike. Auditime të tilla gjatë katër viteve të fundit (2012-2015) janë të shumta dhe i kanë shërbyer si Kuvendit, ashtu dhe qeverisë për të ndërmarrë hapat e duhur ne zbatim të rekomandimeve të dhëna nga KLSH. Kur auditimet janë kryer në mënyrë profesionale dhe me kurajon e duhur, ato frenojnë tendencat për të devijuar burimet publike për përfitime abuzive. Audituesit e KLSH kanë ndihmuar vitet e fundit dhe po vazhdojnë të ndihmojnë institucionet qeveritare të përforcojnë kornizat ligjore, financiare dhe institucionale, të cilat, kur janë të dobëta, e lejojnë korrupsionin të lulëzojë. Gjatë viteve 2012-2015, KLSH me auditimet dhe raportet e auditimeve, me gjetjet dhe rekomandimet qe ka dhënë, ka zvogëluar arbitraritetin në aplikimet e rregullave dhe ligjeve financiare e administrative, duke ndihmuar në thjeshtimin e procedurave administrative, veçanërisht kur ato pengojnë funksionimin normal të tregjeve dhe shërbimeve publike. Institucioni është tashmë i bindur dhe konsekuent në rrugën e tij, që funksioni dhe misioni i auditimit suprem, jetësor për qytetarin dhe shoqërinë, të kryhet vetëm duke ofruar nivelin më të lartë të profesionalizmit dhe integritetit te audituesve. Si në subjektet që auditon, ashtu dhe ndër punonjësit e vet, KLSH, në personalitetin e drejtuesit të tij aktual dhe angazhimit të audituesve më të ndershëm dhe të zotë, e ka treguar qartë në këtë kohë se ka tolerancë zero ndaj akteve abuzive apo rasteve me konflikt interesi, duke dhënë mesazhet e duhura për qeverisjen publike nëpërmjet shembullit të vet dhe duke shpalosur vlerat më domethënëse të auditimit suprem.. 
Sigal