Drejtësia të hap “gropën e zezë” të 457 pronave të sindikatave

601
Siç ju kemi deklaruar, po vazhdojmë të publikojmë masakrën që është bërë në këto 23 vite me pronat e sindikatave, me autorë 5 krerë sindikatash të BSPSH e KSSH me pronat e sindikatave, duke i përdorur ato si plaçkën e tyre, duke u sjellë me to, tamam si “kaçakët” e mesjetës me plaçkën e grabitur, duke i shitur, duke i vënë kolateral për kredi, duke i dhënë për sheshe ndërtime gradaçelash dhe duke i vënë peng për fajde financiare familjare, që nuk dihet se ku kanë përfunduar. Punëtorët dhe sindikalistët shqiptarë, të cilët brenda këtyre pasurive pronë shtetërore kanë gjakun dhe djersën e tyre të punës 45-vjeçare e që prej 22 vjetësh, të dhëna prej shtetit në përdorim, duhej t’i kishin këto pasuri të shumta e me vlerë të madhe në shërbim dhe përdorim të jetës dhe punës së tyre. Por këto pasuri, prej 22 vjetësh janë bërë pasuri personale e dy bandave që gjoja drejtojnë sindikatën dhe që ditën bëjnë sikur “ngjiren” për interesat e punëtorëve, ndërsa natën i tradhtojnë punëtorët, duke bërë orgji me politikanë e shtetarë të lartë, për të mos u prekur prej ligjit për krimet që kanë bërë me pronat e për të vazhduar t’i kenë pasuritë e mbetura si burim fitimesh personale. Shteti duhet të veprojë urgjent, për të zbardhur, ndalur dhe ndëshkuar masakrën e bërë me këto pasuri kombëtare që janë tjetërsuar në qejfe, llogari bankare, biznese, pallate e vila të agallarëve të sindikatave. Çfarë ka ndodhur e po vazhdon të ndodhë me këto prona? Sot po publikojmë masakrën e rëndë, që është bërë në qarqet Korçë, Elbasan e Berat me pronat e sindikatave prej “çetave” të vandalëve e hajdutëve të KSSH dhe BSPSH…
Qarku Kukës
Salla e Kulturës, Miniera Gjegjan, Komuna Tërthore. Nga ZVRPP, Kukës figuron e regjistruar me emërtimin “Shtëpia e Kulturës’, por nuk disponon dokumentacion për njohje pronësie nga ana e Sindikatave të Pavarura. Nga verifikimi në vend rezultoi që ndërtesa është shkatërruar. Nuk ka inventar për sendet e luajtshme.

Salla e Lojërave Kukës, Bashkia Kukës
Në ZVRPP Kukës, figuron se BSPSH nuk kanë dokumentacion për njohje pronësie. Nga informacioni, rezulton se këto pasuri janë privatizuar nga AKP, përfaqësuesit të ndërmarrjes “Artikuj të ndryshëm” si dhe qytetarëve Gazmend Elezi me sipërfaqe trualli 91 m2, Ylber Elezi me sipërfaqe 7645 m2, për sallë lojërash. 
Salla e Kulturës, Bashkia Krumë
Nuk ka informacion nga ZVRPP. Nga verifikimi fizik objekti rezulton i shkatërruar në vitin 1991. Nuk disponohet informacion për këtë objekt as nga Bashkia Krumë, nëse e ka përfshirë këtë objekt në listën përfundimtare të inventarit të që i transferohen në pronësi ose në përdorim, miratuar me VKM Nr. 946, datë 2. 9. 2009. Nga ana e AITPP nuk mund të bëhet identifikimi i kësaj pasurie në listë, pasi mungojnë të dhënat në lidhje me zonën kadastrale dhe numrin e pasurisë.
Salla e Lojërave, Bashkia Bajram Curri, Tropojë 
Nga ZVRPP, Bajram Curri, konfirmohet se nuk figuron asnjë pronë e Sindikatave të Pavarura në regjistrat e kësaj zyre. Nga verifikimi fizik rezultoi që përdorej nga subjekte private. Dokumentacioni nuk u arrit të sigurohet nga ana e personave që e përdorin pronën. Nuk ka inventar për sendet e luajtshme.
Salla e Lojërave në Cërnicë, Komuna Llugaj
Nga ZVRPP, Bajram Curri, konfirmohet se nuk figuron asnjë pronë e Sindikatave të Pavarura në regjistrat e kësaj zyre.
Salla e Shfaqjeve Kam-Tropojë
Nga ZRPP nuk kemi informacion. Nga komuna kemi informacion se objekti është i dëmtuar dhe pa funksion. Në qarkun e Kukësit ka gjithsej 6 prona, nga të cilat për 4 prona kemi informacion nga ZVRPP.
Qarku Dibër
Sallë Kulture-sallë mbledhjesh, në ish-Ndërmarrjen Bujqësore Peshkopi
Nga të dhënat e ZVRPP, figuron e regjistruar në pronësi të Sindikatave të Pavarura. Kjo pronë është ndarë mes BSPSH që ka marrë 101 m2 dhe Konfederatës së Sindikatave që ka marrë 82 m2. Kjo pronë i është shitur nga KSSH dhe BSPSH, qytetarit Shukri Raza në sipërfaqe 101 m2 , i cila ia ka shitur qytetarit Lazim Miftari. Nuk ka inventar për sendet e luajtshme.
Pallati i Kulturës Bulqizë
Nga të dhënat e ZVRPP Peshkopi, nuk figuron e regjistruar në pronësi të Sindikatave të Pavarura dhe nuk ka asnjë transaksion tjetër mbi këtë pronë. Nga verifikimi fizik rezulton se kjo pronë është regjistruar në ZVRPP Bulqizë si pronë në favor të Bashkisë Bulqizë. Nuk ka inventar për sendet e luajtshme.
Salla e Kulturës Cërrujë, Bashkia Klos
Nuk ka të dhëna nga ZVRPP. Nga verifikimi, rezulton ndërtesa e rrënuar. Nuk ka inventar për sendet e luajtshme.
Salla e Shfaqjeve Krastë, Martanesh
Nuk ka të dhëna nga ZVRPP. Nëpërmjet urdhrit të përbashkët Nr. 36 datë 26.2.2001, të ministrit të Ekonomisë Punëve Publike dhe Privatizimit, dhe Ministrit të Pushtetit Vendor dhe Decentralizimit është bërë kalimi kapital i këtij objekti në favor të komunës Martanesh.
Salla e Kulturës Thekën Martanesh
Nuk ka të dhëna nga ZVRPP. Komuna Martanesh nëpërmjet një shkresë na konfirmon se nuk ka dokumentacion për pronësinë e kësaj prone e cila fizikisht është e shkatërruar.
Sigal