Beqja e Gjiknuri vazhdojnë aferat korruptive, me bizneset që ua kanë “shitur”… gjysheve!

688
Gazeta “Telegraf” prej disa ditësh ka publikuar skandalet e feshjes së pasurive të shtetarëve, të cilët sa bëhen ministra, deputetë, kryegjyqtarë, diplomatë, shefa partie e shteti, pastrojnë dosjet e pasurive të tyre duke deklaruar se i kanë shitur, ose falur ato. Edhe prej mazhorancës “Rilindja”, ka një demagogji lidhur me qëndrimin ndaj ministrave biznesmenë, të cilët pas marrjes së kolltukëve si ministra, nga biznesmenë janë tjetërsuan në “ish-biznesmenë”, me transferim mekanik e formal të bizneseve të tyre tek familjarët, të afërmit, miqtë, shokët, të besuarit e tyre, në zbatim të ligjit “për konflikt interesi”. Në fakt, ata janë biznesmenë, kanë pasuritë, mbasi faktikisht kanë ndikimin dhe kontrollin e plotë mbi pushtetin, për t’i shërbyer bizneseve të tyre edhe nëpërmjet institucioneve të larta shtetërore që drejtojnë, por pas verifikimit të pasurive e bizneseve, nuk u del emri në letra që po përdorin pushtetin për bizneset, mbasi nuk janë ata të regjistruarit në organet tatimore si pronarë biznesesh edhe pse faktikisht, ata janë pronarë. Janë dy ministra, Ilir Beqja i shëndetësisë dhe Damian Gjiknuri i energjisë, të cilët pas mandatimit si ministra, kanë ndryshuar vetëm… letrat e bizneseve të tyre duke hequr vetëm emrat e tyre! Bëhet fjalë, për marifetin që këta dy ministra kanë përdorur për të mbajtur pronësinë e bizneseve të tyre edhe gjatë pushtetllëkut, duke mos u shfaqur si të tillë. Kur ishin në opozitë deri në 23 qershor 2013, i kishin regjistruar bizneset, i deklaronin dhe i zhvillonin me emrat dhe adresat e tyre të plota, si administratorë të vetëm ligjor, duke “u lëpirë” me këdo pushtet që u jepte tenderë dhe u mundësonte afera të pista, siç ka ndodhur me rastin “Beqja”, me tenderin 226 milionë lekë të përfituara nga fondet publike, për të cilin iu hoq dhe mandati i deputetit në vitin 2010. Ndërsa kur u “graduan” deputetë e ministra, Beqja e Gjiknuri, hoqën menjëherë emrat si pronarë të bizneseve dhe brenda orës, i regjistruan ato në emër të… gjysheve! Kanë bërë formalisht e fiktivisht letrat e “pastrimit të konflikti të interesit” me postet që kanë, duke ua transferuar ose shitur aksionet e bizneseve të tyre vetëm me letra fiktive familjarëve! Tashmë, dalin e deklarojnë përpara shqiptarëve e institucioneve ligj-zbatuese e kontrolluese, se “nuk kanë biznese, ndaj nuk kanë konflikt interesi me pushtetin që drejtojnë”! A mund të besohet ky “teatër” që kanë bërë e po vazhdojnë të bëjnë 2 ministrat Beqja e Gjiknuri?! Këta ministra “aktorë”, siç dihet edhe gjatë ish-pushtetit “Berisha” kanë bërë biznes maksimal e klientelist me ish-ministrat, por kanë bërë edhe “pak opozitë” fiktive, sa për dekor publik ndaj anëtarëve të tallur e të mashtruar të PS, të cilëve u zhvatën votat e deputetit, i lanë rrugëve pa punë dhe nuk u hapin as telefonat. Prej 18 muajsh si ministra, “nuk figurojnë biznesmenë në letra”. Të 2 ministrat në fjalë, kanë pasur e kanë biznese të fuqishme, që “prodhojnë” miliona dollarë në vit, me aktivitet të shtrirë edhe në vendet e rajonit, të BE e deri në Azi.
Ministri Beqja vazhdon biznesin me kompaninë “e shitur” tek… gjyshja!
Ministri Ilir Beqja edhe pse ka deklaruar se e ka shitur biznesin tek gjyshja e nuses, vijon të jetë përfaqësues i firmës “INTECH +”, regjistruar në tetor 2001. Objekti i saj janë tregtimi i sistemeve kompjuterike për përpunim informacioni dhe transmetim, prodhimi, i programeve aplikative, instalimi i sistemeve të informacionit dhe të ndërlidhjes, shërbim dhe tregtim i sistemeve elektronike në çdo fushë të ekonomisë. Përfaqësues ligjor i firmës “Beqja”, ka qenë Sokol Sinani me 49% të aksioneve, por pas bërjes deputet të Ilir Beqjat dhe “udhëheqës” në “kryesinë e madhe” të PS, çuditërisht Ilir Beqja nga 51% aksioner, “brenda natës” u bë pronar 100% i aksioneve të kompanisë “INTECH +”por më pas Beqja ka mbetur ortaku i vetëm. Në deklaratën e pasurisë, nuk ka publikuar as transferim, as dhurim, as mbyllje të aktivitetit, as shitje të aksioneve. në vitin 2010 iu hoq mandati i deputetit të PS, mbasi përdorte fuqinë prej deputeti të PS në pushtetin lokal që drejtohej nga PS dhe bënte pazare në shërbimet publike të qeverisë qendrore, për të fituar tenderë (dhe ka fituar 76 tenderë) në favor të kompanisë së tij “INTECH+”, duke shkuar për ndëshkim nga komisioni hetimor parlamentar, në prokurori e deri në Gjykatën Kushtetuese, por që nuk u ndëshkua ligjërisht për abuzimin ligjor. Por ka një fakt: Ministri Beqja po e vazhdon biznesin me kompaninë “e shitur” tek… gjyshja edhe gjatë detyrës si ministër, duke shfrytëzuar tenderët, koncesionet, kontratat e qirave që sajon e lidh me klientë të përzgjedhur dhe tregun e ilaçeve në sektorin e shëndetësisë.
“Nostradamusi” Gjiknuri e kishte parashikuar që do bëhej ministër, ka “shitur” bizneset që në vitin… 2009!
Edhe Ministri Damian Gjiknuri, ashtu si kolegu Ilir Beqja, rezulton se “nuk ka biznes në letra”, por faktikisht bën 13 lloje biznesi. Damian Gjiknuri, ka deklaruar se e ka zbatuar ligjin për konfliktin e interesave pa qenë shtetarë, duke i shitur bizneset e tij 6 vjet përpara se të bëhej ministër, sikur ta parandiente se do të behej ministër! Gjiknuri, thotë se i ka shitur bizneset e veta qysh 4 vite përpara se të emërohej ministër i Energjisë dhe Industrisë, i paska çregjistruar 13 aktivitetet e tij private në dhjetor 2009 (sipas deklaratës së bërë në 13 shtator 2013), duke i regjistruar aksionet me “administrim mirëbesimi” në emër të një “bashkëfshatari të ndershëm”. Ai zotëronte 25% të aksioneve në firmën “AB-GROUP”, regjistruar në 2007 dhe që kishte për objekt import-eksport, tregtim me shumicë e pakicë të artikujve të ndryshëm industrial, konfeksione, tekstile, prodhime lëkurë, tregtim të lëndëve të para për prodhimin e mobilieve dhe elementëve të tyre ndihmës, artikuj shkollor, kozmetike, higjeno-sanitare etj. Ministri Gjiknuri ka çregjistruar edhe zyrën e tij të avokatisë, të regjistruar në shtator 2008, duke ia lënë në mirëbesim një “asistenti” si aktivitet. Ministri Gjiknuri, ka mbyllur edhe aktivitetin e firmës “IMMO-AIR”, regjistruar në mars 2007 ku ishte 100% pronar, firmë kjo firmës që merrej dhe merret ende me shitblerje të pasurive të patundshme, aktivitetet e ndërmjetësimit dhe zhvillimit të turizmit, shërbime ndërmjetësimi për aktivitete të ndryshme tregtare. Në deklaratën e pasurisë, Gjiknuri nuk ka publikuar as transferim, as dhurim, as mbyllje të aktivitetit, as shitje të aksioneve. Por rëndësi për të ka fakti, që “me letra ligjore”, ai rezulton si ministër “pa konflikt interesi”. Por edhe ministri Gjiknuri, i cili thotë se nuk ka biznese, ashti si Ministri Beqja, po e vazhdon biznesin me kompanitë e tij, gjoja të “shitura” tek… familjarët! Por afktet flasin ndryshe: gjatë 20 muajve të detyrës si Ministër i Energjisë, Gjiknuri po bën biznes “pa letra si pronar”, duke shfrytëzuar licencat dhe koncesionet në miniera, hidrokarbure, tenderë shitje-blerjesh, në emërime etj.
———————————————————- 
Mjafton të lexosh vetëm një pjesë të pasurive të deklaruara nga 2 ministrat Beqja e Gjiknuri dhe bindesh, se cilët janë disa nga ministrat demagogë, të cilët përgjërohen për hallet e popullit. Në deklaratat e ministrave Beqja e Gjiknuri, ka tregues pasurie e llogari financiare, që janë vënë edhe në ish-pushtetin “Berisha”, për të cilin gjatë opozitës, ndërsa bënin biznes me të, deklaronin se “po luftonin për shporrjen e pasanikëve të ish-pushtetit Berisha”. Në deklarimet “thërrime” që u kanë bërë bizneseve, pasurive e llogarive të tyre bankare (sa për t’u hedhur hi syve shqiptarëve), ministrat Beqja e Gjiknuri jo vetëm nuk deklarojnë bizneset faktike që kanë, por as nuk pasqyrojnë fitimet që kanë pasur prej tyre deri në ditën që u “graduan” ministra.
Ja “një fije”, nga pasuria që ka deklaruar ministri Ilir Beqja
• Të ardhura nga paga mujore si ministër: 156 000 lekë.
• Të ardhura me qira nga apartamenti në Tiranë, 900. 000 lekë.
• Përfitime nga sigurimet suplementare të ish-deputetit: 634 000 lekë.
• Shlyerje e 50% detyrimit të kontratës së apartamentit: 2750 euro të shlyera.
• Kredi për blerje apartamenti me sipërfaqe 205 m² dhe garazh: 13 000 euro shlyer.
• Të ardhura nga paga në Kuvend: 940 000 lekë.
• Të ardhura nga paga në Ministrinë e Shëndetësisë: 620 000 lekë.
• Të ardhura nga shitja e 51% të kuotave në kompaninë INTECH+sh.p.k: 18 360 000 lekë.
• Të ardhura nga dhënia me qira e apartamentit: 900 000 lekë.
• Shlyerje e 50% detyrimit të kontratës së apartamentit: 13 000 euro.
• Të ardhura nga shitja e kuotave në “Proinvest”: 21 000 euro (bashkëshortja).
———————————— 
Ja disa “thërrime”, nga pasuria që ka deklaruar ministri Gjiknuri
• Llogari rrjedhëse në Bankën Credins, paga dhe shpërblimet si deputet: 300.000 lekë
• Të ardhura dhe paga neto si deputet i Kuvendit: 1.857.184 lekë
• Pagesa e një huaje që i ka dhënë bashkëshortja derdhur në Raiffeisen Bank: 5.500 euro.
• Kësti i papaguar nga detyrimet e pashlyera që rrjedhin nga kontrata e shitjes së aksioneve në një shoqëri në 2010: 500.000 lekë
• Kredi për shtëpi banimi në “Raiffeisen Bank”, 5 milionë lekë: shlyer 180.400 lekë, pa shlyer 2.299.000 lekë
• Llogari rrjedhëse në “Credins Bank”, paga dhe shpërblimet si deputet dhe ministër: 600.000 lekë
• Të ardhura neto nga paga dhe përfitime si deputet: 2.128.178 lekë
• Pagesa të një huaje të dhënë nga bashkëshortja derdhur në “Raiffeisen Bank: 8.000 euro.
• Kësti i papaguar nga aksionet e pashlyera nga kontrata e shitjes së aksioneve në një shoqëri në 2010: 600.000 lekë
• Shitja e automjetit “Audi 4”: 5500 euro
• Kredi për shtëpi banimi: 5 milionë lekë, shlyer 180.400 lekë, pa shlyer 2.118.600 lekë
• Llogari rrjedhëse në “Raiffeisen Bank”: 245.000 lekë (bashkëshortja)
• Të ardhura nga puna artistike e krijuese: 600.000 lekë (bashkëshortja)
• Kredi për blerje automjeti: shlyer 3500 euro, pa shlyer 7600 lekë (bashkëshortja)
• Pagesa në llogari rrjedhëse “Raiffeisen Bank”: 135.000 lekë (2013) (bashkëshortja)
• Llogari në valutë në “Raiffeisen Bank”: 6842 euro (bashkëshortja)
• Të ardhura në studio “Studio Fabrika”: 800.000 lekë (bashkëshortja).
Sigal