Astrit Çerma: Politika jonë nuk ka politikanë. Ka rufjanë që marrin e japin me drogën dhe krimin

518
Sigal

 Që të jesh në shpirtin e njerëzve “Artist”, nuk është e mjaftueshme disa role të arrira, apo kontribut të veçantë në art, por njeriu është “Artist”, kur me njerëzit, me popullin e vet flet gjithnjë gjuhën e së vërtetës, sepse vetëm kjo gjuhë përcjell në mendjen, në shpirtin dhe në besimin e njerëzve mesazhin e së bukurës, të ndryshimit, të progresin, edhe kur te të tjerët, këto janë ose të pamundura, ose të paarritshme.  “Artisti i Merituar” Astrit Çerma, në intervistën për gazetën “Telegraf”, shprehet se politika jonë nuk ka politikanë, por rufjanë që kanë marre-jep me drogën dhe krimin. Nga ana tjetër, “Artisti i Merituar”, Astrit Çerma është skeptik për (mos)progresin e Shqipërisë, sepse ende ne nuk kemi fituar qytetarinë, ngaqë kemi mbetur “fshatar i qytetëruar”.  Sa për Komisionin Parlamentar që do merret me dekriminalizimin e Parlamentit, Astrit Çerma  fishkëllen ironikisht politikën : “Atëherë…ç’hyn “komisioni parlamentar”  këtu?! Ç ‘është ky karagjozllëk? Ujqëria zgjedh komisionin e ujqërve për të zbuluar ujqërit!” Sa për politikën sociale edhe të qeverisë socialiste, Astrit Çerma thotë: “ Nuk e di, por një mendje më thotë me aq sa është vjedhur, grabitur, rrëmbyer, fituar, shpërblyer, dhuruar, “dëm-shpërblyer” anti ligjërisht nga qeveritë e qeveritarët e mëparshëm, jo vetëm “do të faleshin borxhet”, por do të kish mjekësi, arsim e shërbim falas nga të gjitha institucionet. Ne jemi kthyer në rrëmbyes…Me kë ta ndjekësh “politikën sociale” në këtë rast?!

– Zoti Çerma, nga një publikim i “MJAFT” thuhet se deri tani qeveria ka realizuar 6 nga 25 premtimet e saj. Sipas jush, faktorët e mosrealizimit të premtimeve nga qeveria janë subjektivë?
– Nuk e kam idenë se sa “objektiv” është publikimi i “Mjaftit” në këtë rast, por në se janë realizuar vetëm 6 nga 25, varet se çfarë është realizuar? Në një anije që po mbytet nga vrimat e çarjet e hapura qëllimisht, gabimisht a spontanisht, nëse “realizimi” arrin t’i mbyllë pjesërisht ato dhe të shmangë mbytjen, këtu nuk hyn “numërimi”, hyn “vlerësimi”. Kryeministër Edi nuk duhet të “mërzitet”, sepse ai është edhe piktor dhe e di mirë që në këto 24 vjet qeverisje, nga kutia e lapsave me ngjyra, demokracia e jonë, opozitës gjithmonë i ka lënë vetëm lapsin e zi dhe vende-vende, bojëkafenë.
– A është bërë progres në rrugëtimin e Shqipërisë, për integrimin e saj në Europë, pas 23 qershorit?
– Sigurisht! Por, për mendimin tim, “progresi” në integrim nuk është thjesht heqja e shallvareve e tirqeve dhe veshja me “firmato” edhe frak. Qytetërimi sjell progresin. Kam bindjen se Edi Rama këtë falsitet kërkon ta heq, ta ç’ngjyrosë. Vështirë e ka. Lukuni e tërë i sulet. Jo më kot, disa shtete primare në qytetari e në demokraci, në zgjedhjen e Presidentit kanë kërkesën bazë: “Të ketë 3 breza qytetarie”. Nuk e di, por ne kemi vuajtur e vuajmë nga mallkimi i mallkimeve: “Fshatar i Qytetëruar”. Nuk është “ngulja” në qytet, qytetari. Duhen breza të krijojnë qytetarinë..Pa qytetari, ç’ progres kërkojmë?
– A mund të shpresojmë ne shqiptarët, që katharsisi i parlamentit nga kriminalizimi, do të ketë suksesin e komisionit parlamentar, që do hetojë këtë kriminalizim?
– “Dekriminalizimi i Parlamentit”??!! Se kuptoj! Për kë flitet? Për administratën e parlamentit? Në se jo…për kë? Në se pranohet nga dy palët “dekriminalizimi i parlamentit” nga “Parlamentar kriminel”, direkt, drejtpërsëdrejti, edhe majtas edhe djathtas, pranohet “kriminalizimi i parlamentit” nga “kriminel parlamentar”. Atëherë, ç’hyn “komisioni parlamentar” këtu?! Ç’është ky karagjozllëk? Ujqëria zgjedh komisionin e ujqërve për të zbuluar ujqërit! Kjo s’është tallje, është maskarallëk. Për “kriminelin” zotëri, ka ligje, që e veçojnë dhe dënojnë. Zbatoni ligjin. Por ne “dimë” të kritikojmë, të korrigjojmë, dimë të shajmë, të brohorasim, të mohojmë, të fetishizojmë, të shpifim, të akuzojmë. Të gjitha i dimë. Por ne, çuditërisht, edhe atje ku ja bën “muuuu”, ne nuk “nuk dimë” të…faktojmë. Sa për atë “Katharsisin”, ka vetëm një zgjidhje; “Shpërndarja e këtij parlamenti, zgjedhje të reja por…asnjë nga këta të zgjebosur të mos rizgjidhet. Asnjë! Për mua vetëm ky mund të ishte deri diku njëfarë “Katharsisi”. Të tjerat janë llogje…
– A duhet të zhbëhen listat e mbyllura të kandidatëve, që janë monopol i kryetarit të partisë, e ku elektorati nuk voton dot kë përfaqësues do në Kuvend? Mendoni se këto standarde e dëmtojnë shumë demokracinë?
– Që të zhbëhen duhet ndryshuar ligji i zgjedhjeve. Është sistemi i tillë. Sistemi i “listëzimit”, lista. Tërë marifeti është lista. Ne kemi edhe deputete 18 vjeçare, të listëzuar, pse të mos kemi edhe kryetar bashkie një 16 vjeçar, që vetëm se “ka marrë patentën” është listëzuar? Kjo nuk është “çështja elektorati”. Është çështje LISTE. Elektorati nuk pyetet kur zgjidhet kreu i shtetit, Presidenti, e jo më të “pyetet” për ca…çikërrima si Kryeprokurori, Kryegjyqtar, Kryehetues, Prefekt, Kryetar dege e më the e të thashë. Ju kërkoni “debat publik”! Ç’ debat publik!? Edhe debatet publike janë “listëzuar”. Lista e organizatorëve, lista e të ftuarve, lista e komentatorëve, lista e duartrokitësve e me radhë.
– Ju besoni se politika në Shqipëri ka lidhje me drogën dhe krimin, meqë ky debat po acaron sërish klimën politike?
– Cilën politikë?! Ku është politika në vendin tonë? Kush është? Thuhet se politika i ka brenda vetes të gjitha gjërat e liga. I ka. Por politika ka edhe dinjitet. Ka nder. Ka përgjegjësi. Ka drejtësi. Ka burrëri. Ka sedër. Ka kurajën e madhe t’i thotë vetes: “mjaft më, se e qelbe”…Politika nuk është abstrakte, është konkrete. Konkretësia në të janë politikanët. Cili nga këta “politikanët” tanë i ka këto cilësi? Cili? Politika jonë nuk ka politikanë. Ka rrufjanë. Ata nuk kanë “lidhje e zgjidhje” me drogën dhe me krimin. Ata kanë “marrje e dhënie” me drogën e me krimin. Vetë ata e pranojnë sa herë pështyjnë njeri tjetrin, me akuza e kundër akuza, se kanë lidhje. Më gjeni një nga këta rrufjanët e kësaj palo politike, qoftë në opozitë e qoftë në pozitë, që nuk është anatemuar si drogaxhi e kriminel. Në faltoren e krye drejtësisë së shtetit, parlamentit, janë vjedhur edhe pseudonime të ish spiunëve, janë bërë edhe akuza për tradhti kundër vendit dhe popullit, edhe…Mirë, se për të vërteta s’është dënuar asnjë politika, sepse kanë “rezultuar të pa vërteta”,  po për gënjeshtrat, shpifjet, sajimet, kush është dënuar?
– Duke marrë shkas nga politika e qeverisë së Kroacisë, që u fali këto ditë borxhin deri në 5.000 euro qytetarëve me të ardhura të pakta, dhe politikën e qeverisë Rama, që ta cilësojë vepër penale mospagimin e borxhit të qytetarëve ndaj OSHEE-së, a mund të thuhet se maxhoranca e majtë ndjek një politikë sociale?
– Nuk mund të baras peshohen dy “borxhet”. Në Kroaci borxhi është borxh, ndërsa tek ne borxhi është…vjedhje. Atje, borxhlinj janë ata shtetarë të ndershëm, që njohin ligjin dhe e zbatojnë atë, ata që vërtet “të ardhurat e pakta”, i kanë “vënë në siklet si “borxhli”.Tek ne midis “borxhlinjve” ka nga ata që kanë shtatë dyqane e klube dhe pushimet edhe për verë edhe për dimër i bëjnë në Kuvajt. Tek ne, “pasurimi” është kthyer në “makutëri”. Nuk e di, por një mendje më thotë me aq sa është vjedhur, grabitur, rrëmbyer, fituar, shpërblye, dhuruar, “dëm-shpërblyer” anti ligjërisht nga qeveritë e qeveritarët e mëparshëm, jo vetëm “do të faleshin borxhet”, por do të kish mjekësi, arsim e shërbim falas nga të gjitha institucionet. Ne jemi kthyer në rrëmbyes. Me kë ta ndjekësh “politikën sociale” në këtë rast?!
– A mund të shpresoni ju, që qeveria do ta luftojë korrupsionin duke monitoruar dhe kontrolluar ajo edhe portalin elektronik, ku qytetarët do të mund të denoncojnë korrupsionin? Apo duhej që këtë portal ta monitorojë organizma dhe institucione të pavarura, për të rritur besueshmërinë dhe transparencën?
– Kinezërira. Jo nga kjo Kina e sotme, por nga ajo e dikurshmja, “portal elektronik, denoncim, dacibao, flet rrufe”. He, he. Pale, po edhe “organizma dhe institucione të pavarura”! Akoma me këto ëndrra. Korrupsioni nuk luftohet pa luftuar e dënuar korruptuesit. Kaq! Gjeji, kapi, dënoi, sekuestroi! Kjo është lufta kundër korrupsionit. Ku janë akuzat “e faktuara” kundër politikanëve e shtetarëve nga opozita e dikurshme e Edi Ramës? Gënjente atëherë? Shpifte? Siç duket, po. Ankohej atëherë në opozitë se “arrën” e kishte, por nuk i jepnin “gurin”. Tani e ka gurin, por nuk po gjen dot arrën! Arrat tallin “lesht” m’u në mes të parlamentit. Nuk e di, por seç më thotë një mendje, që gjithmonë ndryshimet e pushteteve tek ne, në drejtim të dënimeve, kanë qenë…marrëveshje. “Mos më ngacmo, të mos të ngacmoj”. Nuk ka se si ndryshe. Po ai President, po ai K/Prokuror. Ai K/Hetues. Kur ti ke mundësinë edhe zyrtare edhe morale t’i flakësh tutje?!..Shahen me njeri tjetrin. Akuzohen. Mallkohen…Marrëveshje, vetëm marrëveshje. Aq fyese dhe tallëse është kthyer kjo “lufta” kundër korrupsionit, sa vetë të akuzuarit për korrupsion po akuzojnë… korrupsionin!

Skicimet për udhëheqësit tanë

Mund të jepni me dy fjalë skicimin tuaj për  Edi Ramën?
– Shpesh më duket si Don Kishoti…Lufton me mullinjtë e erës dhe harron se tek ne ka pasur, edhe ka, vetëm mullinj uji, nga ai uji i kënetës.
– Lulzim Bashën?
– Më kujton titullin e një tregimi. Më duket të Gogolit… “Njeriu në këllëf”. Për mua, më saktë do të ishte “Këllëfi në këllëf”.
– Bujar Nishanin?
– Nishan. Nga ato nishanet false, që politika prostitutë e PD-së kërkon të zbukurojë surratin pas humbjes, për sytë e zgjedhësve tek zgjedhjet e ardhshme.
– Sali Berishën?
– Që Noja para përmbytjes i mori të gjitha kafshët në arkën e tij, kjo dihet, por, pas përmbytjes a i zbriti të gjitha? Tek vendet e tjera ndofta, por, mua më duket se tek ne, rri e rri e zbret ndonjë…

-Faleminderit!

Jakup B. GJOÇA