Lulzim Brahja*/Pse kjo fobi e së djathtës ndaj ish të persekutuarve politikë dhe ish-pronarëve?!

631
Sigal

Në shoqëritë e hapura dhe sistemet demokratike, siç mëton të jetë shoqëria jonë, megjithë pengesat e çastit, që pasojnë njëra-tjetrën, themeli mbi të cilën ngrihen marrëdhëniet ekonomike, shoqërore, publike dhe private të një shoqërie ka të bëjë me vlerësimin real të shtresave shoqërore dhe përfaqësimin e tyre real në hartën politike të kombit. Ish të persekutuarit politikë dhe ish-pronarët janë pjesa më fisnike e shoqërisë shqiptare, pjesë e familjeve të mëdha historike, që kanë mbajtur peshën e luftës për liri e demokraci, edhe në kohërat më të errëta të kombit shqiptar, siç ishte epoka famëkeqe e Diktaturës totalitare të Diktatorit Enver Hoxha, e cila u ngrit mbi pirgje kufomash e dhimbjesh, duke u përpjekur të shkatërronte familjet e mëdha dhe elitën kombëtare. Zakonisht ish-pronarët, për shkak të pasurisë dhe kontributeve nacionaliste në historinë e vjetër dhe të re të kombit shqiptar, edhe janë burgosur nga Diktatura, pra shumica e ish-pronarëve janë dhe të përndjekur politikë, pjesë e kampeve të punës, kampeve të internimit, burgjeve politike, dhe anasjelltas, shumica e ish të përndjekurve janë dhe ish-pronarë. Politika, që duhet të mbështetej në këto dy shtylla të shoqërisë së re shqiptare, pra tek ish të përndjekurit dhe ish-pronarët, në fakt, ka bërë të kundërtën, është munduar me të gjitha mjetet dhe format e mundshme që t’i largojë e t’i mbajë këto dy shtresa larg politikës. Mëkati më i madh në këtë drejtim është nga ana e spektrit të djathtë politik, që i takonte dhe i takon të përfaqësohet nga këto dy shtresa sociale, madje lypsej që ato t’i jepnin pulsin, ngjyrën dhe dimensionin e duhur vetë politikës së spektrit të djathtë shqiptar. Por ka ndodhur ajo që në fakt pritej, pjesë e inskenimeve të Katovicës famëkeqe, ku u projektua vijimi i vazhdimësisë komuniste, nga pinjollët e Bllokut të kuq, duke mënjanuar, sorollatur nëpër dyer gjykatash të pafundme e përjashtuar nga politika, shtresën e persekucionit politik dhe shtresën e ish-pronarëve. Pse druhet dhe ka frikë e djathta ose më mirë të themi pseudo e djathta nga ish të persekutuarit dhe ish-pronarët? Kjo është një pyetje që kërkon një shtjellim të gjatë, të gjerë e të thellë, por në këtë shkrim do të tentojmë të paraqesim disa aspekte të këtij kufizimi të përllogaritur, që synon ta mbajë të djathtën reale, ato shtresa që vërtet janë të djathta dhe duhet të përfaqësojnë politikën e djathtë, pra t’i mbajnë larg dyerve të politikës.

Së pari, duhet pranuar se në fillim të pluralizmit politik, kur doli në skenë e para opozitë politike, pas pesëdhjetë vjetësh ngrirje diktatoriale, këto dy shtresa ose ishin ende në burgjet e Diktaturës, ose ata që ishin jashtë, ndiheshin të survejuar dhe nën presionin e Sigurimit të Shtetit, që i shikonte ata si një rrezik real për rënien e dinastisë së kuqe. Megjitahtë, ne që ndodheshim jashtë telave me gjemba, u ngritëm dhe e vramë të parët frikën, kontribuuam që ajo shkëndijë që qe ndezur të bëhej një flakë e madhe shprese dhe kontribuuam me ç’kishim në dorë, me përkushtimin dhe fisnikërinë tonë, që e para parti politike opozitare të rritej e të bëhej një zë shprese e madhe ndryshimi e progresi të gjithanshëm për shoqërinë shqiptare. Për hir të së vërtetës, deri në vitin 1994, politika e djathtë kishte një përfaqësim të mirë nga ana e pinjollëve të dyerve realisht të djathta, intelektualë elitarë, protagonistë të persekutimeve biblike në burgjet politike të komunizmit, pinjollë të familjeve historike, familjeve nacionaliste që kishin dhënë aq shumë për atdheun dhe kombin, ish-pronarë të konfiskuar me vendime politike, që tashmë po gjenin veten në një erë të re ndryshimesh të gjithanshme. Këta ishin deputetë në Kuvendin e Shqipërisë, në qeverinë e parë demokratike, në administratën lokale e qendrore. Mjaftojnë të kujtojmë disa figura që ishin protagonist në jetën politike dhe administrative të shtetit të ri shqiptar, si kryeparlamentarin Pjetër Arbnori, këtë Mandelë të burgjeve politike të komunizmit, kryeministrin Aleksandsër Meksi, Ali Spahinë, Alfred Serreqin, Tomorr Malasin, Uran e Petrit Kalakulën, Dashamri Shehin e të tjerë. Ishin vitet më të bukura, më idealiste dhe më progresiste, të një qeverisje vërtet demokratike, në historinë moderne të Shqipërisë. Populli fitoi lirinë, që e pati paguar shumë shtrenjtë, me vrasje, burgime, krime deri nën lëkurë nga dinastia komuniste, fitoi pronën që ia patën grabitur dhe, mbi të gjitha, fitoi lirinë e jetës në ekonominë e tregut, lirinë e lëvizjes brenda vendit dhe në botën e qytetëruar. Në këtë kohë nisën ndryshimet e mëdha ekonomike, sociale, politike, juridike, shpirtërore, që formësuan një Shqipëri të lirë e demokratike. U ndërmorën reformat e thella shndërruese të shoqërisë shqiptare, reforma ekonomike, sociale, u krijua një legjislacion modern dhe në mbrojtje të lirive qytetare, lulëzoi ekonomia e tregut dhe sipërmarrja e lirë. U nxorën ligje të mira e të drejta për integrimin e të përndjekurve politikë, për arsimimin e tyre dhe të fëmijëve të tyre, për punësimin, strehimin, dëmshpërblimin dhe përfshirjen në administratën e të gjitha niveleve, që nga Kuvendi, qeveria e deri tek pushteti lokal të kësaj shtrese të shoqërisë sonë. Mbi të gjitha, duhet thënë se në vitet 1992 -1996 u kërkua me këmbëngulje hapja e dosjeve në Parlamentin shqiptar për bashkëpunëtorët e sigurimit dhe njerëzit me të kaluar kriminale, deri në vitin ’96 nuk u lejua asnjë person me dosje që të hynte në Parlament, në qeveri apo në funksione të larta në administratë. Pas vitit 1996, gjithçka u përmbys dhe figurat me dosje sot zotërojnë Parlamentin, qeverinë, pushtetin lokal, administratën shtetërore, opozitën, nga të dy kampet e politikës, nga kampi i PS-së, por dhe i PD-së. Në kuadrin e këtij Parlamenti, dua të theksoj se kam nderim për ata deputetë, ministra, funksionarë të lartë të administratës shtetërore që iu përkisnin shtresave të përndjekura të shoqërisë shqiptare. Dhe nuk ishin pak, por tridhjetë e pesë deputetë, që i përkisnin me origjinë një të djathte të vërtetë dhe midis tyre dua të përmend: Pjetër Arbnorin, Ali Spahinë, Tomorr Dostin, Uran Butkën, Sadedin Ballën, Tomorr Malasin, Petrit Kalakulën, Uran Kalakulën,  Dashamir Shehin, Alfred Serrqein, kryeministrin e nderuar të asaj kohe, zotin Aleksanër Meksi etj. Këta zotërinj ishin vërtet të djathtë dhe shërbyen me përkushtim, duke bërë ligje të mira dhe duke ia rritur autoritetin vendit të tyre në botën euroatlantike. Falë tyre Shqipëria ishte më pranë NATO-s, më pranë BE-së. Në vitin 1994 ndodhi përplasja e parë mes Partisë Demokratike dhe ish të persekutuarve politikë, kur me dhunë policore u nxorën nga greva këto martirë të persekutimit, që nuk kërkonin asgjë më shumë se sa përmbushjen e të drejtave të tyre, dëmshpërblimin moral dhe material nga shteti dhe shoqëria shqiptare. Megjithë këtë përplasje, deri në vitin 1996, përsëri do të vijonte integrimi i kësaj shtrese, shkollimi i fëmijëve, dëmshpërblimet, kthimi i pronave tek pronarët e ligjshëm. Pas vitit 1996, gjithçka ngriu, u manipulua vullneti i popullit dhe u vodh vota e lirë, ndërkohë që e djathta u kufizua të përfaqësohej vetëm nga ish-komunistë, njerëz me dosje e delikte të së kaluarës diktatoriale, duke fshirë nga të gjithë listat e garimit politik dy shtyllat tek të cilat duhet të mbështetej një e djathtë reale: shtresa e ish të përndjekurve politikë dhe shtresa e ish-pronarëve të ligjshëm. Tetë vite në opozitë të PD-së, pas uzurpimit të shtetit nga bandat e rrugëve të dirigjuara nga kriminelët politikë me jaka të bardha, ishin vite ku të djathtët realë shiheshin me syze të errëta dhe bëheshin të gjitha përpjekjet që njerëzit me kontribute reale të djathta të mbaheshin sa më larg politikës. Përfaqësimi i këtyre shtresave sociale në politikën e djathtë ka qenë në nivelin thuajse zero, duke i hequr të djathtës vetë shpirtin e saj, që nuk është gjë tjetër vetëm se elementi i djathtë historik, nacionalistët, pronarët, pinjollët e familjeve të mëdha dhe ish të burgosurit politikë. Sot kjo frikë është kthyer në fobi dhe sulm ndaj qëndrestarëve dhe elementëve realisht të djathtë, është bërë një model sjelljeje e (anti) vlerësimi në qëndrimet politike të partive kryesore pseudo të djathta. Kjo druajtje dhe frikë ka të bëjë me kompleksin e fajit të politikanëve tanë kryesorë, që kanë uzurpuar të djathtën, me faktin se një përfaqësim real në spektrin partiak të djathtë të këtyre shtresave shoqërore, do të nxirrte në pah një rivlerësim të protagonistëve dhe kontributeve, pra do të cenonte raportet mes alternativave programore të devijuara majtas dhe niveleve të përfaqësimit, që në një rast të tillë, do të shkonin djathtas.

*Ish i përndjekur politik, drejtor ekzekutiv i Shoqërisë Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut me qendër në Bon-Gjermani, dega Shqipëri