Hyqmet Zane/ Shqipëria e trazuar, vaj medet për kauzën e Çamërisë

628
Sigal

 

Hyqmet Zane

Ngatërresat dhe rrëmujat e mëdha të politikës që po ndodhin në Shqipëri, duket se kanë lënë pas dore dhe kanë spostuar çështjet me rëndësi kombëtare, siç është edhe Çështja Çame. Është një hall i madh ky realitet që nuk po zë karar në këtë vendin tonë dhe që ka krijuar një atmosferë aspak të mirë jo vetëm për jetën e shqiptarëve, por veçanërisht për një kauzë si ajo e Çamërisë.

Sa programe kanë cituar partitë politike ku ka zënë vend çështja çame dhe në pushtet ajo parti që ka fituar të drejtën e qeverisjes, ka manifestuar zhgënjim dhe pabesi. Por më keq akoma, është fakti që mungon një program strategjik i përfaqësuesve të komunitetit çam që është qorrollepsur në fjalët pa fund dhe jo në një manifest për të çuar në faktorizimin e Çështjes Çame.

Sa herë që nga kjo jetë ikën ndonjë anëtar i komunitetit çam që ka ardhur i vogël nga Çamëria pas shpërnguljes me gjenocidin grek, se më të mëdhenjtë kanë ikur me kohë në botën tjetër, mendja të shkon tek ikja pa kthim i dëshmitarëve të asaj çka kanë përjetuar popullata çame nga bandat e andartëve grekë 75 vjet më parë. Po ikin një nga një vitet dhe bashkë me to po ikin edhe këta dëshmitarë që panë me sytë e tyre krimet dhe masakrat antishqitpare. Po ikin ata që në kujtesën e tyre kanë dëshmi të një kohe që nuk po rrëfehet siç duhet  që të marrë vesh drejtësia evropiane se cila është e vërteta. Para ca ditësh iku edhe Ing. Ismail Sadiku me banim në Elbasan. Jo vetëm fakti që ai ishte një intelektual i nderuar në qytet dhe një specialist i niveleve të larta i mekanikës si inxhinier i vërtetë që nuk kishte shok të dytë, por fakti që në identitetin e tij shkruhej “lindur në Filat Çamëri”, flet vetë se kush është ky njeri. U përcoll për në banesën e fundit, duke marrë me vete intelektualizmin, dëshmitë e asaj që pa në fëmijërinë e tij në Çamëri dhe ato të jetës që kaloi. Por mbi të gjitha mori me vete edhe brengën e madhe për Çamërinë, për të cilën të fliste momente të veçanta. E kisha shok dhe bashkë diskutonim për momentet e trajtesës së çështjes çame dhe ai e shprehte herë pas herë këtë heshtje dhe lënie pas dore në një errësirë të madhe të asaj që quhet “kauza e Çamërisë”. Me zgjuarsinë që kishte dinte të bënte analiza dhe të nxirrte konkluzione në shumë fusha, por kur vinte tek çështja çame, ndalej dhe silloisej mirë për gjithçka që kishte ndodhur, për çka kishte kaluar dhe për atë që përjetonte sidomos në këto 30 vjetët e fundit. Por sa burra e gra çame kanë ikur me brengën e një mostrajtimi qeveritar e shtetëror të çështjes çame, sa dhimbje kanë pasur në shpirt ata njerëz që jo vetëm vuajtën pasojat e një gjenocidi dhe lanë shtëpi e katandi dhe gjithë trashëgiminë e tyre në Çamëri, por edhe u trajtuan nga diktatura si qytetarë të dorës së tretë dhe, më keq akoma, në këto vitet e këtij tranzicioni të tejzgjatur, kanë pasur një zhgënjim shumëplanësh dhe një dëshpërim të madh. Gjithnjë duke iu referuar njerëzve që kanë ditur të thonë fjalë të mençura, sjell në vëmendje Martin Luter King që është shprehur “Jeta jonë mbaron ditën kur heshtim përballë gjërave që kanë rëndësi”. Kjo heshtje vrastare dhe e pabesë, ky shantazhim grek dhe grekofil në kohë dhe në hapësirë, por edhe ngatërresat e brendshme të komunitetit çam, kanë sjellë një situatë të rëndë dhe të papranueshme, a thua se e paskemi pasur hak një situatë të tillë ?

Kush nuk e ka dëgjuar këngën “Vaj e mall për Çamërinë” dhe nuk e ka pëlqyer jo thjesht lojën muzikore të ndërthurur me aq mjeshtëri dhe interpretuar me aq dhembshuri, por fjalët, fjalët brenda atij teksti janë të mrekullueshme si një mesazh për ta dëgjuar jo thjesht një i pasionuar pas muzikës, por për ta dëgjuar kushdo që është atdhetar dhe, aq më tepër, për ta marrë si mesazh një pushtetar dhe një qeveritar që të kuptojë vizionin dhe hapësirën e orientimit që ajo i hap dëgjuesit. Por, nëse themi “Vaj e mall për Çamërinë”, në këto kushte dhe në këtë situatë që ndodhet trajtimi i çështjes çame dhe më shumë akoma situata politike, ekonomike dhe shoqërore në Shqipëri, është për të thënë “Vaj medet për kauzën e Çamërisë”.

  • Kujt më shumë se atyre që na pretendojnë se kanë më shumë merita për Çamërinë, do duhej t’u vinte keq dhe të shqetësoheshin për këtë situatë të trazuar politike si pa shpresë në këtë vendin tonë?
  • Ku ta ketë mendjen një qytetar tek jetesa e përditshme për të siguruar bukën dhe të mendojë për fëmijët dhe të ardhmen e tyre apo tek çështja kombëtare?
  • Ku ta ketë mendjen një pushtetar, tek mirëqeverisja e qytetit nën juridiksionin e tij apo tek problemet që ka komuniteti çam?
  • Ku ta ketë mendjen një ministër i qeverisjes, tek punët e përditshme të sektorit të tij apo tek tenderët e korrupsioni që i duhet të bëjë me koncesionit, me PPP etj pushtetllëqe që ka një qeverisje, si kjo e vendit tonë?
  • Pastaj të mendosh që ky apo ai ministër të mendojë për çështjen kombëtare dhe në mes të saj për çështjen çame?
  • Ku ta ketë mendjen një ministër i jashtëm tek detyrat e tij për diplomacinë shqiptare apo se çfarë do t’i thotë ministri i jashtëm i Greqisë që i imponon që të mos përmendet emri “Çamëri”?

E sa e sa të tillë që kanë kaluar në vitet e tranzicionit demokratik që kanë zhgënjyer në gjithçka, aq më keq akoma në trajtesat e çështjes kombëtare dhe sidomos në çështjen çame.  Nëse vitet kanë ikur një e nga një, për fatin e keq ajo që ka lënë gjurmë të pashlyeshme është hardallisja në labirintet e punëve më të zeza që kanë vrarë shpresat e shqiptarëve. Si për të na sjellë në vete, një zonjë e nderuar si Hillary Klinton ka thënë se “Gjëja më e keqe që mund të ndodhë në një demokraci, është të humbësh shpresën tek e ardhmja”. Me ose pa dashje kjo kastë qeverisëse që brenda saj ka të gjitha llojet e ligësive, të kriminaliteteve, të korrupsioneve, të trafikimeve, të hajdutërive dhe shumë e shumë të tilla, ka vrarë jo thjesht shpresën për të ardhmen, por edhe për të trajtuar e, aq më shumë, për të zgjidhur çështjet kombëtare siç është edhe kauza e Çamërisë. Përpos këtyre jo vetëm që nuk kanë dhënë asnjë kontribut, por edhe janë bërë ngatërrestarë në çështjet kombëtare dhe kanë krijuar hapësira të futjes së pilulave antishqiptare në mesin tonë. Duke biseduar me ekspertin e marrëdhënieve ndërkombëtare, Ahmet Mehmeti, në lidhje me temën e këtij shkrimi, ai shprehet se “ Në këtë situatë nuk bëhet fjalë fare për të drejta të njeriut dhe të drejta kombëtare, për zbatim kushtetute dhe për të drejta të bashkatdhetarëve në trojet tona etnike në shtetet fqinje si Serbia e Greqia etj. Kjo është arsyeja pse partitë kryesore në Shqipëri sapo vijnë në pushtet vetëm për një mandat e venë në program të qeverisë “Çështjen Çame” kurse në mandatin e dytë dhe në vazhdim, si gjithë herët në monizëm, e heqin fare nga programet e partive dhe të qeverive duke ia zhdukur emrin, namin e nishanin. Kjo gjë ndodh njëlloj si në shtetin racist grek prej të cilit varen kryeministrat shqiptarë, me mentalitet monist dhe shprehi e praktika anarkiste. Ky është një argument i pakundërshtueshëm, për fat të keq, në një kohë kur BE dhe faktori ndërkombëtar e ka shtruar për zgjidhje këtë çështje madhore të marrëdhënieve shqiptaro – greke nëpërmjet të Hahnit, komisarit për Zgjerimin e BE-s. Një gjë është fare e qartë: as SHBA, as BE nuk pajtohen me shkeljen e të drejtave të minoriteteve kombëtare për neglizhenca të disa individëve të shitur shpirtërisht ose shteteve raciste e fashistoide që shkelin në mënyrë flagrante konventat ndërkombëtare si ajo kundër gjenocidit etj., dhe duke spastruar etnikisht në bllok me mijëra njerëz të pafajshëm e duke mbajtur në Çamëri një regjim të rreptë  pushtimi racist  ku nuk lejohet të shkojë asnjë shqiptar çam as si turist për të parë varret e të parëve ose pragun e shtëpisë të kthyer në gërmadhë nga terrorizmi shtetëror grek”. Kësaj i thonë “Vaj medet për kauzën e Çamërisë, vaj medet për amanetin e të parëve për një kauzë të drejtë dhe vaj medet për përpjekjet dhe sakrificat që përjetuan mijëra e mijëra çamë në këtë rrugëtimin e gjatë 75-vjeçar të pas gjenocidit grek dhe të pas heshtjes dhe përbuzjes, të pas shantazhimit dhe nëpërkëmbjes së një kauze me emrin “Kauza e çështjes kombëtare, ku Çështja Çame ka pjesën e vet të rëndësishme”. Nëse Konica i madh ka thënë që “Grekët kanë një armë të fuqishme – pabesinë”, dua të shtoj se ne pjesëtarët e komuniteti çam na ka shoqëruar edhe pabesia greke, por më keq akoma, pabesia mes vetes dhe palës shqiptare ka qenë e habitshme dhe e padurueshme dhe që sot jep frytet me heshtjen dhe lënien e kauzës në dorën e pabesisë së pafund.