Prof. Dr. Agron F. FICO/ Kombi i biblës dhe i harmonisë fetare

603
Sigal

Sfida e pranimit të Shqipërisë, si vend kandidat në Bashkimin Europian këtë radhë përveç se u shty për t’u riparë në muajin qershor të këtij viti, edhe u shoqërua me “argumente” fetare, duke e shpallur Shqipërinë si vend islamik nga disa qarqe të djathta politike, ku më të zellshmit u treguan ata nga Holanda.

Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Shqipërisë, z.Edi Rama, duke shprehur fuqimisht vullnetin e popullit të vet, i refuzoi me përçmim këto të pavërteta fyese, por edhe nënvizoi të vërtetën historike se, në Shqipëri edhe pse ekzistojnë tri fe: myslimane, katolike dhe ortodokse, ato janë në harmoni të plotë. Kjo, ritheksoi zoti Rama, është një “vlerë e shtuar”. E tillë është – një “vlerë e shtuar” e kombit shqiptar në qytetërimin europian.

-Po cila është kjo e vërtetë historike?

Paraardhësit e shqiptarëve të sotëm, Ilirët, janë ndër të parët në fiset e pellgut të Mesdheut që përqafuan dhe predikuan kristianizmin. Në Bibël, si monumenti më i lashtë, thuhet qartë: “…me fuqi shenjash dhe çudish, me fuqi të Frymës së Perëndisë; kështu, prej Jeruzalemit e përqark, gjer në Iliri, kam kryer shërbimin e Ungjillit të Krishtit.” ( Romakët, 15:19, cituar sipas botimit anglez, varianti “The King James”.)

Këtë fakt do ta rimarrë edhe një herë Papa Gjon Pali II në vizitën që bëri në Shqipëri më 25 prill 1993. Në fjalimin që mbajti theksoi: “Ky vend gjeografikisht shumë i afërt, është veçanërisht i dashur për mua. Si të mos jetë i dashur, derisa ruan kujtimin e apostujve, Palit dhe Andreas, ruan origjinën e Selisë së Parë Ipeshkvnore.” Pra, krishtërimi, ndër shqiptarët nuk është rrjedhojë ose i përhapur nga misionarët grekë ose latinë, aq më pak ata sllavë, por kristianizmi hodhi rrënjë dhe u kultivua si në mjaft vende të Mesdheut, nga apostujt e vet, qysh në periudhën e parë të ngjizjes së tij. Kështu shqiptarët hynë ndër të parët në sferën e kulturës dhe qytetërimit europian.

Kristianizmi ilir i dha botës së krishterë personalitete të tillë si, Niketa Dardan, ky dijetar e muzikant i kryehershëm, autor i himnit ‘Te Deum Laudamus’, hartuar në shek. IV të erës sonë; Jan Kukuzeli, një tjetër personalitet i shek. XV, kompozitor i muzikës kishtare, këngëtar i shkëlqyer e teoricien muzike; nobelisten Nënë Tereza, me emrin shqip, Gonxhe Bojaxhiu, në shek. XX.

Njihet bëma e Heroit Kombëtar të Shqipërisë, Gjergj Kastriot Skënderbeut, i cili për 25 vjet luftërash fitimtare kundër agresionit osmano-islamik ia ndali vërshimin në Europë.

Le të shohim se ç’thonë të diturit e kombit tonë. Shtetari i shquar, historiani Fan S. Noli jep këtë tablo të kristianizmit në Shqipëri, në pragun e pushtimit osmano-islamik: “Në krye të shekullit të pesëmbëdhjetë, Shqipëria ishte pothuaj plotësisht katolike, me nja tetëmbëdhjetë Peshkopata të ritit latin. Në këto duhen shtuar edhe disa Peshkopata Unite të Ritit Ortodoks, të lidhura me Papën. Sa për kapedanët dhe bajraktarët, këta ishin kthyer në katolikë njëri pas tjetrit, sikundër e tregojnë dokumentet e kohës… Kështu katolicizma nga njëra anë i jepte Shqipërisë bashkimin që i mungonte si shtet, nga ana tjetër e lidhte me Botën e Krishterë Europiane.” (F.S. Noli: Histori e Shqipërisë, 1949, f.9)

Gjuhëtari i njohur Eqrem Çabej ka vërtetuar se gjuha shqipe fillimet dhe zhvillimet e mëtejshme i ka të lidhura direkt me kulturën kristiane. Themeluesit e gjuhës dhe letërsisë shqipe kanë qenë shkrimtarët katolikë, Buzuku, Budi, Bogdani, Bardhi e gjer te Gjergj Fishta; si dhe plejada e shquar e arbëreshëve me Lekë Matrangën, Jul Varibobën e gjer te De Rada i madh. Zbulimet arkeologjike, pas Luftës së Dytë Botërore, kanë sjellë një lëndë të pafund të institucioneve dhe objekteve materiale të përdorura nga ilirët e krishterë. Gjurmë të kulturës kristiane gjejmë edhe në toponime. Nga kjo skicë tepër e shkurtër e krishtërimit iliro-arbresho-shqiptar merr domethënie edhe mendimi metaforik i Nënë Terezës se shqiptarët janë “Kombi i Biblës”.

Pushtimi i gjatë osman në Gadishullin e Ballkanit në shekujt 15-19 krijoi një raport të ri të banorëve të gadishullit me pushtuesit aziatikë. Në Shqipëri, siç tregojnë kronikat e kohës, turqit osmanë përdorën forma demagogjike dhe mënyra të egra për kthimin e shqiptarëve të krishterë në muhamedanë.

Njëra nga ato ishte edhe politika e taksave, d.m.th. trajtimi i privilegjuar i atyre që pranonin fenë e pushtuesit. Në raste të tjera ishte edhe lirimi nga detyrimi i gjatë dhe torturues ushtarak. Megjithatë, krahina të tëra, pas luftërash dhe gjakderdhjesh të shumta, mundën jo vetëm të ruanin një farë pavarësie, por edhe fenë e të parëve. Të tilla ishin krahina e Mirditës në Shqipërinë e Veriut dhe Himara në Shqipërinë e Jugut. Pa përmendur këtu fshatra dhe familje të tëra që e ruajtën brez pas brezi fenë e krishterë.

Në këtë gjeopolitikë të re, të pushtimit ushtarak dhe nën trysninë e fesë islamike, shqiptarët u bashkuan kundër pushtuesit dhe e ruajtën dashurinë, përkrahjen për njëri-tjetrin si hallkë kryesore e mbijetesës si popull dhe komb, pavarësisht se ishin myslimanë ose kristianë (katolikë ose ortodoks). Kjo ndodh se, sipas mendimit të Justin Godartit, “shqiptari është pikësëpari shqiptar dhe se atdhedashuria është mbi ndryshimet fetare”.

 Në Shqipëri nuk ka pasur as luftëra dhe as përleshje për motive fetare si ka ndodhur në të kaluarën në Europë dhe siç ndodh edhe sot në Lindjen e Mesme: Irak, Siri, Libi, Egjipt etj..

Harmonia fetare në Shqipëri është një realitet i gjallë shpirtëror e shoqëror, që duket në gjithë marrëdhëniet vetjake e shoqërore te shqiptarët. Shqiptarët martohen pa paragjykime e ndarje fetare midis tyre. Marrin pjesë në dasmat, ceremonitë mortore ose dhe ngjarje të tjera familjare që zhvillohen tek një familje myslimane ose katolike a ortodokse; edhe varrezat i kanë të përbashkëta. Madje, marrin pjesë edhe në festat fetare të njëri-tjetrit.

Në vitin 2000 mora pjesë në Kongresin e VI-të Botëror (29 korrik – 3 gusht 2000), që u zhvillua në qytetin piktoresk Tampere të Finlandës kushtuar problemeve të fesë në periudhën postkomuniste në Europën Qendrore dhe Lindore. Në kumtesën që mbajta për ndryshimet e fesë edhe në Shqipëri pas vendosjes së pluralizmit politik, një vend të gjerë i kushtova dukurisë shqiptare, asaj të harmonisë fetare. Interesi i habitshëm i dëgjuesve-pjesëmarrës për kumtesën e mbajtur lidhet pikërisht me atë të veçantë dhe esenciale që ofron realiteti fetar në Shqipëri, harmoninë fetare.

Ky realitet i shënuar politik-historik besoj se do t’u çmjegullonte mendimin edhe atyre qarqeve europiane për “islamizmin shqiptar”! Harmonia fetare, “kjo vlerë e shtuar” e qytetërimit historik shqiptar jo vetëm i befason të huajt, po shumicës së tyre u shton nderimin dhe admirimin për këtë vend dhe komb me themele biblike.