Gëzim ZILJA/Për kë do të votojë komuniteti çam?

59

Nisur nga shifrat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për përfundimet e zgjedhjeve elektorale të vitit 2009, votat në rang kombëtar për PDI-në, e vetmja forcë politike që përfaqësonte çamët, ishin 14.447. Me këtë sasi votash është e pamundur të fitojë, siç do ta shohim më poshtë, një deputet në mënyrë të drejtpërdrejtë. Në qarqe të mëdha si Vlora, Fieri, Korça, Elbasani etj., numri i votave për një deputet luhatet nga 8000 deri në 8800. Ndërsa duke u nisur nga koalicionet mund të fitohet një deputet me rreth 5000 vota. Në zgjedhjet e vitit 2009, PDI-ja në qarkun e Vlorës mori 4932 vota. Duke qenë në koalicionin e djathtë, PDI-ja mori një mandat dhe fituesi ishte Dashamir Tahiri. Në Fier çamët morën 4687 vota por nuk arritën të fitonin dot një mandat tjetër. Kujtojmë që Idrizi fitoi mandatin e deputetit si kandidat i PS-së në Tiranë. Në qarqet e tjera numri i votave të PDI-së, luhatej nga 11 në Kukës deri në 1965 në Durrës, pra nuk e kaloi shifrën 2000. Të përfaqësuar nga një parti, duke pasur parasysh fushatën dhe entuziazmin që e përcolli atë, çamët morën ndoshta maksimumin e votave në vitin 2009. Katër vjet më vonë situata paraqitet shumë më ndryshe. Pavarësisht punës së PDIU-së për ndërgjegjësimin e faktorit shqiptar për çështjen çame, duket se ai që duhet të ishte promotor i Çështjes, komuniteti çam, nuk është në ditët e tij më të mira.  Ç’po ndodh realisht me këtë komunitet një muaj para zgjedhjeve? Duhet të theksojmë se tashmë kemi dy parti çame në shesh betejë, atë të PDIU-së dhe AP-në e sapo formuar. Thjesht duke u përfaqësuar nga dy forca politike, votat e çamëve do të ndahen, dhe ky është ogur jo i mirë. Vetë Idrizi, si kreu i PDIU-së voton nën siglën e PD-së, në Fier. Pra do të kemi një deputet të sigurt çam me votat e PD-së. Duhet theksuar se ky deputet nuk mund të formojë grup parlamentar të PDIU-së, sepse nuk e lejon rregullorja e parlamentit. (Oketa nuk formoi grup parlamentar, pavarësisht se kaloi te FRD-ja, sepse ishte deputet i PD-së). Nga ana tjetër duket që Dashamir Tahiri, do të kandidojë në “llogoren” e vet, në Vlorë, nën siglën e PDIU-së. Nëse fiton atëherë mund të kemi një grup parlamentar të PDIU-së, ku mund të futet dhe Idrizi nëse e mban fjalën e dhënë. Dashamir Tahiri, përsërit shpesh që Çështjen Çame e ka për zemër, gjë që ka gjasa të jetë e vërtetë. Veprimet e tij në këto katër vite tregojnë, se është një biznesmen i suksesshëm, por vazhdon ende të mbetet diletant në politikë. Tahiri më shumë energji ka harxhuar për të punësuar të vetët sesa për një lobim VIP-sh pro Çështjes. Në zgjedhjet e vitit 2009, Tahiri, si përfaqësues i PDI-së, mori mandatin e deputetit falë “formulës së thesit”. Tashmë në qarkun e Vlorës krahas tij do të kemi dhe Amos Dojakën si kandidat të AP-së. Sigurisht dhe ky do të marrë vota në Vlorë. Nën siglën e PD-së kandidon Liljana Elmazi, që vjen jo vetëm nga bota akademike, por edhe nga një fis i njohur dhe i respektuar çam në Vlorë, shumë i lidhur me Partinë Demokratike qysh në fillesat e saj. Në këtë mënyrë  votat e çamëve në qarkun e Vlorës do të ndahen në tre pjesë. Ai që rrezikohet është Dashamir Tahiri. Rrjedhimisht nëse ndodh të mos zgjidhet nuk do të kemi grup parlamentar çam. Ndërkaq vota e Idrizit në parlament mund të kalojë edhe majtas nëse e majta fiton. Tradicionalisht, në qarkun e Vlorës, por edhe në qytetet e tjera çamët me shumicë dërrmuese (përjashto vitin 2009) kanë votuar për Partinë Demokratike, gjë që ka shumë gjasa të ndodhë edhe këtë herë. Mundësia tjetër ku çamët mund të marrin një deputet është Fieri (4687 vota më 2009), por këtu mundësitë janë edhe më të pakta. Idrizi me të tijtë do të kërkojë që votat të kalojnë te PD-ja, nën siglën e të cilës ai kandidon. Atëherë shanset për Tahir Muhedinin dhe Nimet Musajin që kandidojnë në Fier bien në zero. Përfundimisht nga llogaritë e mësipërme i sigurt është një deputet çam, Shpëtim Idrizi, i PD-së, që më 2009 fitoi si kandidat i PS-së. E humbur nga gjithë kjo “histori” do të dali kauza çame. Duket që krerët çamë këtë pragzgjedhjesh llogaritë i kanë bërë për kolltukë. Njëri e ka në xhep mandatin. Të tjerët me llogari statistikore, shanset i kanë afër zeros. Megjithatë të presim e të shohim. Në botë përherë kanë ndodhur çudira. Gjithsesi votat çame nuk duhet të shkojnë dëm. Zgjidhja është në dorë të tyre. Përsa i përket akuzave të ndërsjella që po bëjnë mbi dhe nën zë, PDIU-ja dhe AP-ja se, njëra është në të njëjtin koalicion me PBDNJ-në dhe tjetra me MEGA-n, komentet janë të kota. Çdo njeri me mend në kokë, pa shumë mundim mund të kuptojë që pse krerët çamë u futën në “aleanca” të tilla.