Në dyert e Europës për të zgjidhur rikthimin e pronave

575
Sigal

Zoti Rrapo Danushi dhe z. Niko Kosturi i dërgojnë letër komisionarit Stefan Fule dhe marrin përgjigje për çështjen e tyre nga Këshilli i Europës dhe Komisioni i Venecias

Çështja e rikthimit dhe kompensimit të pronave është një problematikë e njohur në Shqipëri dhe jo vetëm. Ajo është vendosur edhe si një nga 12 pikat që duhet të plotësojë Shqipëria për t’iu afruar Bashkimit Europian. Për të gjetur një zgjidhje për këtë problem z Rrapo Danushi, kryetar i Shoqatës Kombëtare “Pronësi me Drejtësi” dhe z. Niko Kosturi, kryetar i shoqatës “Bregdeti” i kanë dërguar letrën e ankimit disa institucioneve ndërkombëtare. Në këtë pjesë po paraqesim letrën dërguar Komisionarit për Zgjerim në BE z.Stefan Fule dhe përgjigjet që ata kanë marrë nga Komisioni i Venecias dhe Këshilli i Europës.

“I nderuar Z. Füle, në emër të Shoqatës Kombëtare “Pronësi me Drejtësi” dhe Shoqatës “Bregdeti”, dy shoqatave kryesore historike që përfaqësojnë pronarët e shpronësuar në Shqipëri, po ju drejtohemi me shqetësimin më të madh në lidhje me të drejtat e pronësisë në Shqipëri, duke ju ofruar një strategji dhe një zgjidhje përfundimtare të problemit të të drejtave pronësore në Shqipëri që ne besojmë fuqimisht se është e nevojshme t’i imponohet qeverisë dhe klasës politike shqiptare, të cilat në këto 22 vite të demokracisë, që ka qenë e tillë vetëm në emër, janë treguar të paafta ta zgjidhin. Gjendja aktuale e të drejtave të pronësisë në Shqipëri tallet me idenë e njerëzimit për drejtësinë, është një farsë për barazinë. Ajo përqesh devocionet tona, vë në dyshim konsideratat dhe përkushtimin tonë. Sepse nuk ka sesi të shikosh atë çfarë ndodh me të drejtat e pronësisë në Shqipëri dhe, nëse je i sinqertë, të konkludosh që kjo gjë mund të lejohet të ndodhë edhe në vendin tuaj. Duke qenë të bindur, ashtu siç ka thënë edhe Hayek se “prona private është garancia më e rëndësishme e lirisë”, dhe që të drejtat e pronës, siç ka thënë Friedman, janë “më themeloret e të drejtave të njeriut dhe një themel esencial për të gjitha të drejtat e tjera njerëzore” dhe se, siç ka thënë Von Mises, “programi i liberalizmit, nëse mund të përmblidhej në një fjalë të vetme, do të duhet të lexohej: prona, që do të thotë pronësia private e mjeteve të prodhimit. Të gjitha kërkesat e tjera të liberalizmit rrjedhin nga kjo kërkesë themelore”, atëherë jo vetëm shqiptarët por të gjithë ne, institucioni juaj dhe një botë demokratike, e paqtë dhe e drejtë nuk mundet dot më t’ja lejojë vetes të vazhdojë pa i vendosur të drejtat e pronësisë në krye të radhës, të parën e të gjithë përparësive! Pasi BE-ja e vendosi zgjidhjen e çështjes së të drejtës së pronësisë si një nga 12 prioritetet kyçe që duhet të përmbushë Shqipëria për t’u pranuar si kandidate për anëtarësim në BE, ne prisnim që qeveria të propozonte një projektligj dhe strategji që me të vërtetë do të kthente pronat tek pronarët e tyre të ligjshëm në përputhje me Nenin 181 të Kushtetutës së Shqipërisë, Nenin 1 të Protokollit 1 të Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut, Nenin 17 të Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut, dhe të kërkesave të përsëritura të Këshillit të Europës, specifikisht Dokumentit Nr. 11115 mbi Shqipërinë (Neni 191) të 20 dhjetorit, 2006. Përkundrazi, qeveria ka aprovuar së fundmi ligje dhe një strategji që e konsolidojnë kthimin mbrapa pasi e thellojnë problemin e pronave, duke përkeqësuar kështu rrugën e gabuar të nisur që më 1991.

Duke parë numrin e madh të problemeve që ka kapluar dhe mësyer në mënyrë të vazhdueshme dhe nga të gjitha anët mekanizmin e kompensimit të pronave, që edhe sot e kësaj dite vazhdojnë të persistojnë”, Gjykata e Strasburgut e konsideroi “imperative që të zbatojë gjykimin-pilot” më 31 korrik, 2012 kundër Shqipërisë. Gjykata konkludoi se Shqipëria “nuk ofron asnjë lloj zgjidhjeje efektive që të mundësojë dëmshpërblim të përshtatshëm dhe të mjaftueshëm” për çështjen e pronave”,duke shkelur kështu Nenin 1 të Protokollit Nr. 1 dhe Nenin 13 e Nenin 6 § 1 të Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut”! Gjykata tha se Shqipëria duhet të marrë masa të gjithanshme, në mënyrë urgjente dhe me prioritet, në mënyrë që të garantojë në një mënyrë efektive të drejtën e kompensimit si edhe të përdorë edhe metoda të tjera siç janë kthimi dhe kompensimi në natyrë. Për shkak se që nga 1991 të gjitha qeveritë kanë treguar se janë të paafta ta zgjidhin problemin e pronësisë, ne po ju dërgojmë një projekt ligj që ofron një zgjidhje përfundimtare, të drejtë, të qëndrueshme dhe gati pa kosto për çështjen e pronësisë. Ne ju kërkojmë që, nëse me të vërtetë doni të ndihmoni Shqipërinë, nëse me të vërtetë doni që ajo të jetë një demokraci e vërtetë, të ulë ndjeshëm korrupsionin dhe të përmbushë 12 prioritetet kyçe për pranimin si kandidate në BE, për shkak se klasa politike tashmë ka dështuar në mënyrë spektakolare që prej 22 vitesh që ta zgjidhë këtë problem, atëherë ju duhet ta kushtëzoni çdo bashkëpunim të ardhshëm siç është vazhdimësia e politikës së regjimit pa viza për zonën Shengen, marrja e statusit kandidat për në BE si edhe ndihma e bashkëpunime të tjera, me aprovimin e këtij projekt ligji apo një të ngjashëm me të që do të zgjidhë me të vërtetë çështjen e pronësisë njëherë e përgjithmonë, në të njëjtën mënyrë siç komuniteti ndërkombëtar kushtëzoi Maqedoninë në 1998 në lidhje me çështjen e pronësisë. Është e vërtetë që Shqipëria është një vend sovran, por po ashtu janë edhe SHBA-të, BE-ja, vendet e KiE-së dhe të gjithë institucionet demokratike me të cilat Shqipëria bashkëpunon, prej të cilave ajo merr ndihma, në të cilat ajo aderon ose shpreson të aderojë, dhe me këtë vjen edhe përgjegjësia e udhëheqësve të këtyre vendeve dhe drejtuesve të këtyre institucioneve demokratike që të mos lejojnë që në emrin dhe me paratë e tyre, një populli të tërë t’i mohohet, siç thotë Friedmani, “më themelorja e të drejtave të njeriut dhe një themel esencial për të gjitha të drejtat e tjera njerëzore”- e drejta e pronësisë! Për më tepër, sovraniteti nuk është një e drejtë, por një përgjegjësi dhe, pas një dështimi kaq kolosal të shtetit për të mbrojtur të drejtat e pronësisë pas 22 vitesh demokraci vetëm në emër dhe 46 vitesh komunizëm, një total prej 68 vitesh nga 100 vite shtet shqiptar, komuniteti ndërkombëtar ka përgjegjësinë ta ndihmojë Shqipërinë, ka përgjegjësinë të mbrojë mënyrën demokratike të jetës së popullit të saj, çka kërkon veprime të menjëhershme përballë abuzimeve të tilla të të drejtave njerëzore, duke përdorur mjete diplomatike, ekonomike dhe të tjera mjete paqësore për të vendosur drejtësinë për këtë popullatë të viktimizuar. Për këtë, së pari, ne kërkojmë ndihmën tuaj në lidhje me këtë projekt ligj, të përgatitur nga specialistët tanë, duke bërë që specialistët tuaj ta shqyrtojnë dhe të na japin mendimin e tyre dhe/ose ta përmirësojnë si ta mendojnë ata më mirë. Ne jemi të bindur se projekt ligji që ne ofrojmë është ndër më kosto‐kufizuesit ndërkohë që respekton detyrimet bazë morale dhe kushtetuese, duke ofruar një zgjidhje të qëndrueshme që zgjidh një herë e përgjithmonë çështjen e së drejtës së pronësisë në Shqipëri, që është bërë një burim korrupsioni për klasën politike dhe sistemin gjyqësor në Shqipëri. Ne besojmë fuqimisht se ky projekt ligj ofron zgjidhjen më të mirë deri më tani në lidhje me të drejtën e pronësisë, duke pasur superioritet mbi strategjinë e qeverisë shqiptare dhe mbi të gjitha ligjet e tjera aktuale për pronën që janë veçse të arnuara, kontradiktore, të parealizueshme nga ana financiare si edhe, përgjithësisht, jo demokratike. Së dyti, ne kërkojmë që ky projektligj ose versioni i riparë nga specialistët tuaj duke i qëndruar thelbit të tij, të bëhet pjesë e rekomandimeve të SHBA-ve, BE-së dhe KiE-së për qeverinë shqiptare, duke kushtëzuar bashkëpunimet e ardhshme si vazhdimësinë e politikës së regjimit pa viza për zonën Shengen, kandidimin për në BE si edhe bashkëpunime e ndihma të tjera, me aprovimin e këtij projekt ligji apo një tjetri të ngjashëm me të, pasi kjo, në fund të fundit, ka të bëjë me përmbushjen e aspiratave të njerëzimit për të drejtat dhe vlerat më përcaktuese, më universale, më natyrale dhe më të patjetërsueshme të tij. Sa kohë që kjo gjë nuk ndodh, Shqipëria do jetë larg përmbushjes së kriterit të Kopenhagenit për statusin e kandidatit për anëtarësim në BE, larg standardit të të qenit një anëtar i NATO-s, larg të qenit demokratike, e paqtë, pa korrupsion dhe respektuese e të drejtave të njeriut. E vërteta mund të mos na bëjë të pasur, por do të na bëjë të lirë kështu që ne do të donim t’ju bënim një pyetje të thjeshtë: Edhe sa jetë të tjera njerëzish do të duhet të humbasin nga abuzimi kriminal me pronat, edhe sa dekada të tjera abuzimi kriminal të të drejtave pronësore duhet të kalojnë, edhe sa herë më shumë të pasur në mënyrë korruptive për shkak të abuzimit me të drejtat pronësore klasa politike dhe sistemi gjyqësor shqiptar do të dihet të jenë para se komuniteti ndërkombëtarë të ndërhyjë për një çështje kaq ekzistenciale për një komb?”

 Përgjigjet e ndërkombëtarëve

 Këshilli i Europës

Në bazë të përmbajtjes së letrës suaj duhet theksuar se kjo çështja aktualisht është duke u shqyrtuar nga Komiteti i Ministrave të Këshillit të Evropës në kontekstin e mbikëqyrjes së ekzekutimit të gjykimit. Komiteti i Ministrave mund të marri parasysh çdo komunikim nga organizata jo qeveritare në lidhje me ekzekutimin e një vendimi (Neni 9(2) Ligjet e Komitetit). Nëse ju keni ndërmend që letra juaj të konsiderohet një komunikim sipas këtij rregulli, ju lutem të mos hezitoni për të konfirmuar këtë dhe të na banime dije.

 Komisioni i Venecias

Faleminderit për letrën e drejtuar më 31 Mars, 2013 në të cilën ju kërkoni që Komisioni i Venecias të japi mendimin e saj mbi draft ligjin e “rikthimit dhe kompensimit të pronave në përputhje me Kushtetutën”, e përgatitur nga specialistët tuaj. Duam t’ju informojmë se në përputhje me mandatin e saj Komisioni i Venecias mund të përgatisë mendime të tilla ligjore vetëm në rastet kur kërkesa vjen nga autoritet shtetërore dhe organet e Këshillit të Europës.