Ish-Presidenti Moisiu: “Zgjedhjet janë në rrezik”

437
Sigal

Forumi Civil 2010 konstaton shkeljet që i bëhen Kodit Zgjedhor dhe shpreh shqetësimin për KQZ-në me 4 anëtarë

Ndërsa  data e 23 Qershorit po afron, ende KQZ-ja po funksionon me 4 anëtarë dhe palët politike duket sikur janë “pajtuar” me këtë gjendje duke rendur për mbledhjen e votave. Askush  nga politika nuk shqetësohet për shkeljen paraprake të Kodit Zgjedhor edhe pse me prekjen e KQZ-së është minuar edhe mirëbesimi i vetë procesit zgjedhor. Forumi Civil 2010 dje, edhe një herë, u bëri apel  forcave politike që të interesohen dhe të rikthejnë normalitetin e funksionimit të KQZ-së, pasi, siç tha edhe ish-presidenti dhe Kryetari i Forumit Civil 2010, zoti Alfred Moisiu, “ zgjedhjet janë në rrezik dhe në rrezik janë edhe e ardhmja e Shqipërisë”. Vjollca Meçaj, drejtore ekzekutive e KShH-së, në fjalën e saj në këtë Forum, tha se edhe përfaqësuesit e opozitës nuk bëjnë përpjekje për të zgjidhur ngërçin e KQZ-së. Prof. Pëllumb Xhufi, duke evidentuar problemin e KQZ-së, theksoi se mosfunksionimi i KQZ-së duhet parë në një kontekst më të gjerë të gjithë problematikës së procesit zgjedhor dhe nuk duhet parë i veçuar. Ish Avokati i Popullit, zoti Dobjani tha se për vendimet e cilësuara nuk mund t’i kalohen organizmit të Kolegjit Zgjedhor, sepse pa u ezauruar rruga administrative, nuk mund të ketë angazhim gjyqësor, Por, sipas zotit Dobjani, është  edhe detyra e opozitës për të dhënë zgjidhje. Prof. Luan Omari, theksoi se shkeljet më para  procesit zgjedhor, kanë  ndodhur pas votimit, ndërsa shkelja më e rëndë e Kodit Zgjedhor tani ndodh para procesit zgjedhor dhe sipas tij, është çudi që t’i jepen kontribute të mëdha Kolegjit Zgjedhor me pretekstin se nuk funksionon KQZ-ja. Ndaj duhet një rikompozim i plotë i KQZ-së duke bërë ndryshime si në Kodin Zgjedhor, por edhe në Kushtetutë. Nuk mund të bëhet sehir me funksionimin e KQZ-së me 4 anëtarë. Konstitucionali Njazi Jaho, theksoi se shkeljet e Kodit Zgjedhor vijnë ngaqë politika nënvlerëson specialistët dhe kjo do të thotë që forcat politike duan zgjidhje politike, por Kodi Zgjedhor nuk është politik. Politikanët të jenë konkretë në shtrimin e rrugëzgjidhjeve të ngërçit të KQZ-së, pasi deklaratat politike nuk zgjidhin problemin. KQZ-ja është një çështje që kërkon zgjidhje urgjente, sepse politika nuk e ka preokupimin që ta zgjidhë shpejt. Moszgjidhja e ngërçit të KQZ-së, sipas zotit Jaho, i bën edhe zgjedhjet të pakonceptueshme. Ndërsa Gerta Meta, përfaqësuese e Koalicionit Vendor, shtroi domosdoshmërinë që të ndërmerren aksione politike nga të gjitha palët e interesuara, që të bëjnë presionin e duhur të dy liderëve, Berishës dhe Ramës,  që të detyrohen ata që të gjendet kompromisi dhe të rikthehet legjitimiteti i funksionimit të KQZ-së. Në mbylle, si konkluzione të diskutimeve , kryetari i Forumit Civil 2012, zoti Alfred Moisiu, duke bërë apelin se “ zgjedhjet janë në rrezik”, i  kërkoi Presidentit Nishani që të marrë iniciativën dhe të verë në zbatim atë detyrë kushtetuese që ka: “Të verë unitetin e popullit!”. Sipas zotit Moisiu, zëri i Forumit Civil 2010 nuk përfillet nga politika, por “…duhet  t’i japim tronditjen pozitive politikës që të zgjohet nga etja për pushtet”.

 Deklarata e Forumit Civil 2010

 Forumi Civil 2010 konstaton me keqardhje shkeljet që i bëhen Kodit Zgjedhor gjatë procesit elektoral, por në mënyrë të veçantë shpreh shqetësimin që KQZ-ja vazhdon të funksionojë me kapacitet të pjesshëm, vetëm me 4 anëtarë. Një situatë e tillë nuk është aspak normale dhe çon drejt kufizimit të paligjshëm të kompetencave që duhet të ushtrojë KQZ, si institucioni më i lartë shtetëror për organizimin dhe administrimin e zgjedhjeve periodike dhe referendumeve. Ky organ është e domosdoshme të jetë i pavarur dhe të zbatojë vetëm Kushtetutën dhe ligjin, edhe pse anëtarët e tij zgjidhen nga Kuvendi, sipas propozimeve të paraqitura nga partitë parlamentare përkatëse. Ndërkohë, roli dhe funksioni i tij ndryshon nga ai i komisioneve më të ulëta zgjedhore, veç të tjerash, edhe për dy elemente të rëndësishme: së pari, sepse anëtarët e KQZ kanë mandat 6 vjeçar; së dyti, sepse mandati i tyre mund të ndërpritet para kohe vetëm në rastet e parashikuara shprehimisht nga neni 18 i Kodit Zgjedhor. Dhe, pas marrjes së vendimit të Kuvendit për zëvendësimin e jashtëligjshëm në KQZ, ato kanë shtruar si zgjidhje të domosdoshme të këtij problemi dialogimin dhe kompromisin politik të partive parlamentare. Madje ndonjëri prej politikanëve të mazhorancës  shkon edhe më tej, ekstremisht, kur ndonëse pranon se me formatimin e cunguar aktualisht KQZ nuk mund të vendosë për çështje që kërkojnë votim të cilësuar, për kryerjen e kësaj detyre le të investohet Kolegji Zgjedhor si gjykatë e Apelit. Duke u ndodhur në prag të zgjedhjeve të 23 Qershorit 2013, faktet e mësipërme shtrojnë zgjidhjen urgjente të ngërçit, ku ndodhet KQZ-ja, që duhet të funksionojë domosdoshmërisht me 7 anëtarë, dhe si organ i pavarur të gëzojë besimin e subjekteve zgjedhore dhe të të gjithë elektoratit shqiptar. Pa këtë zgjidhje, nuk mund të shpresohet që zgjedhjet e pritshme të jenë të lira, demokratike, të pakontestueshme dhe brenda standardeve ndërkombëtare, sepse me përbërje të pjesshme dhe nën trysni, institucioni kryesor i administrimit të zgjedhjeve kurrsesi s’do të hidhte dot hapat e duhur për arritjen e një objektivi të tillë madhor, që është edhe test kryesor për konsolidimin e shtetit të së drejtës dhe integrimin e vendit në familjen evropiane.

   Alfred Moisiu: “Të ndërmerren hapat e duhur politike për ta zgjidhur çështjen e KQZ-së“

KQZ-ja në vendin tonë, sikundër dihet ka qenë në vazhdimësi në epiqendër të përpjekjeve të forcave politike, për ta pasur sa më shumë nën ndikimin e tyre zotërues. Duhet thënë se në Kushtetutën tonë të vitit 1998, ajo ka qenë përcaktuar shumë drejt dhe në mënyrë tepër të qartë, si përsa i përket detyrave të saj, ashtu edhe përsa i përket përbërjes dhe mënyrave të zgjedhjes.  Por e keqja më e madhe ndodhi këtë vit elektoral. Duke vazhduar praktikën e interpretimit politik dhe antikushtetues të ligjit, KQZ-ja u  katandis në katër anëtarë dhe nuk po dimë si do shkohet më tej për të pasur zgjedhje të lira dhe të ndershme.  Pikërisht një situatë e tillë e detyroi Forumin që të ndërmarrë këtë hap, për t’u drejtuar politikës shqiptare, në mënyrë të veçantë mazhorancës aktuale, se po marrin përsipër një dëm të madh, që mund t’i shkaktohet të ardhmes të vendit tonë, duke mos e korrigjuar këtë. Pra, është urgjente të ndërmerren hapat e duhur politike për ta zgjidhur këtë çështje sa më parë.