Teatri Kombëtar / Veliaj premton një ndërtesë 9 herë më të madhe e moderne

247
Sigal

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj tha sot se Tirana do të ketë për herë të parë një ndërtesë kushtuar Teatrit Kombëtar, 9 herë më e madhe dhe moderne. Teksa kërkoi mbështetjen e anëtarëve të Këshillit Bashkiak për miratimin e buxhetit për 2021, Veliaj theksoi se e shkuara nuk duhet të mbajë peng të ardhmen.

“Kemi diskutuar 80 vite për Teatrin Kombëtar dhe nuk u shpall kurrë monument kulture. Kemi disa javë e muaj që diskutojmë ende për prishjen e Teatrit Kombëtar, një ndërtesë e cila nuk mbante më, sipas të gjitha studimeve, por sidomos sipas 99% të aktorëve dhe atyre që realisht punojnë aty, dhe jo në një parti politike. Detyra e kryetarit të Bashkisë dhe Këshillit Bashkiak është të marrin vendime për të ecur përpara. Nuk marrim dot vendime që mbajnë peng vendin. Vendimet duhet të jenë si të ecim përpara dhe unë besoj fort se një ndërtesë e re, moderne, me 9-fishin e hapësirës, e vendosur ekskluzivisht në territorin e Teatrit Kombëtar, pa i ngrënë asnjë centimetër, është një ndërtesë që i ka hije Tiranës, teksa hyn në 100 vjetorin e dytë të saj si kryeqytet”, deklaroi Veliaj.

Kreu i Bashkisë komentoi edhe sjelljen e opozitës, teksa theksoi se askush nuk duhet t’i përputhë axhendat e qytetit me axhendat e dështuara politike. “Ka nga ata që thonë: Nuk do bëhet ky teatër, deri sa të fitojmë ne dhe partia jonë. Lind pyetja: Po nëse partia juaj nuk fiton edhe kësaj here, siç po thonë sondazhet? Po nëse nuk fiton as herën tjetër?! Po nëse nuk fiton në të ardhmen e afërt dhe të largët, do ta mbajmë peng vendin? S’besoj! Vendi duhet të ecë përpara dhe kjo është arsyeja pse askush nuk duhet t’i përputhë axhendat e qytetit me axhendat e dështuara politike, por me ambiciet tona si qytetarë, si familjarë dhe si vendi ku duam të rrisim fëmijët tanë”, theksoi Veliaj.