Opinion/ Harallamb Kota: Kush është Armiku?!

924
Sigal

Trojet shqiptare dhe platforma shtetformuese

Fillimet e projekteve për një shtet të shqiptarëve, i takojnë periudhës pas luftës Ruso-Turke. Perandoria Austro-Hungareze për të frenuar dominimin sllav në Ballkan dhe fundjen e tyre drejt Evropës, i kërkoi Portës së Lartë: Të njihte kombin shqiptar. Të bashkonte katër vilajetet shqiptare. Të krijonte një “Provincë Autonome Shqiptare me Katër Vilajete”. Ideja e hedhur nga Austro-Hungaria për krijimin e shtetit shqiptar, buronte nga miqësia e Huniadit me Skenderbenë dhe aleanca e lidhur midis dy mbretërive, Arbërisë dhe Hungarisë. Panorama politiko-historike e ideve shtetformuese të liderëve shqiptar paraqitur Portës së Lartë, Shteteve Ballkanike dhe Fuqive të Mëdha, jep kuptimin e thelbit të çështjes, idenë e hedhur nga Abdyl Frashëri më 1876: “Një shtet i dobët shqiptar, i vetëm dhe përballë shteteve lakmitare ballkanike, nuk mund të qëndroj”. Nisur nga ky këndvështrim dhe nga përvoja të hidhura të provuara historikisht ndaj shumë popujve dhe kombeve të vegjël, të shuar dhe të zhdukur, liderët shqiptar kërkuan variantin e mundshëm e të pranuar nga Fuqitë e Mëdha, për njohjen e Kombit Shqiptar dhe krijimin e Shtetit Shqiptar. Për të realizuar qëllimin final ideologët tanë duhej të manovronin në teatrin e madh të diplomacisë Botërore dhe të ishin sypafjetur ndaj kombinacioneve politike të krijuara në koncertin e madh Evropian, qysh nga mbarimi i luftës ruso turke, pas dy luftërave ballkanike dhe dy luftërave botërore. Për ta krijuar Shtetin Shqiptar, duhej të bindnin diplomacinë perëndimore se: “Shqiptarët janë popull Paqësor dhe Shtetformues”. Për t’ia arritur këtij qëllimi, u duhej të lidhnin miqësi me popuj dhe kombe të tjerë, të bënin lëshime, të pranonin kombinacione politike të tipit, provincë autonome apo shtet autonom (nën Turqi apo Fuqi Evropiane), shtet dualist greko-shqiptar, shtet i pavarur ( nën mbikëqyrjen e KNK apo nën mandatin amerikan), federatë greko-shqiptare, konfederatë ballkanike, republikë e shtatë jugosllave, republikë komuniste e varur nga BRSSS apo Kina, republikë parlamentare aleate e NATO-s dhe aplikuse për tu anëtarësuar në BE.

 

Abdyl Frashëri është politikani i parë shqiptar që e përkrahu platformën austrohungareze për krijimin e shtetit shqiptar, por ishte i bindur që një shtet i dobët shqiptar, i vetëm dhe përballë shteteve lakmitare ballkanike, nuk mund të qëndronte. Për të realizuar idenë shtetformuese, Abdyl Frashëri përpunoi disa variante. Në vitin 1877, ai paraqiti idenë e krijimit të një “Shtetit Shqiptar më Vete” (ku të përfshihej edhe Epiri), me të njëjtin Sovran që kishte Greqia, i cili nuk u pranua nga Porta e Lartë dhe Mbretëria Greke. Në vitin 1878, Abdyl Frashëri i paraqiti administratës së lartë Osmane kërkesën për bashkimin e katër vilajeteve shqiptare në një “Provincë Autonome”, brenda Perandorisë Osmane dhe nën Sulltanin. Edhe kjo kërkesë u hodh poshtë nga Porta e Lartë, e cila e shtypi me forcën e armëve “Lidhjen Shqiptare të Prizrenit” dhe strukturat qeverisëse të saj në territorin ku banonin shqiptarët. Ideja e krijimit të shtetit shqiptar ishte vënë në rrezik dhe quhej tradhti nga pushteti osman. Në këto kushte, në vitin 1889 në pragun e shkatërrimit të Perandorisë Osmane, Abdyl Frashëri i afroi “Lëvizjes Kombëtare Shqiptare” variantin më të mundshëm. Shteti i tyre (Shqiptarëve) me katër vilajete, të vihet edhe nën qeverisjen e një Fuqie të Madhe Evropiane. Në vitin 1899, duke ndjekur me vëmendje planet e Fuqive të Mëdha për krijimin Maqedonisë, Abdyl Frshëri u ka deklaruar përfaqësuesve të kancelarive evropiane, se “shqiptarët do pranojnë krijimin e një shteti të dytë të shqiptarëve, me kushtin që, të dy shtetet shqiptare(Shqipëri e Maqedoni) të qeverisen nga i njëjti Princ”.

 

Ismail Qemali është politikani i dytë shqiptar që përpunoi variantet e Abdyl Frashërit dhe ideoi platformën e re shtetformuese. Në vitin 1900, Ismail Qemali vendosi kontakte me Athinën, të cilat synonin: “marrëveshje për një bashkëpunim shqiptaro-grek”, që do ti kundërvihej rrezikut sllav në Ballkan. Në 1907, Ismail Qemali pas bisedimeve në Athinë me qarqet jozyrtare, lidhi një marrëveshje: “aleancë shqiptaro-greke”, ku shpallej interesi i përbashkët për tu mbrojtur nga një agresion eventual “serbo-bullgar”. Në vitin 1910, me rifillimin e konflikteve midis shqiptarëve dhe ushtrisë osmane, Ismail Qemali i propozoi krijimin e një “Federate Greko-Shqiptare”, e cila nuk u pranua nga qeveria greke. Në pranverën e vitit 1911, Ismail Qemali i kërkoi administratës osmane krijimin e një “province autonome me katër vilajetet shqiptare”, nën administrimin e Sulltanit. Me idenë e tij, u bashkua Fan Noli i cili u shpreh për një “Autonomi nën Turqi”, ndërsa Faik Konica ishte për “Krijimin e një Shteti Shqiptar” dhe për një afrim greko-shqiptar. Kërkesat për një “shtet të shqiptarëve”, nuk u pranuan nga Porta e Lartë dhe nuk u përkrahën nga qeveria greke. Në kushtet e krijuara, nga acarimi i mëtejshëm i marrëdhënieve me pushtetin osman dhe tradhtia e qeverisë greke, në korrik të vitit 1911 Ismail Qemali mbërriti në përfundimin e “Mëvehtësimit të Shqipërisë nga Perandoria Osmane”, nëpërmjet kryengritjes mbarëshqiptare. Në këtë përfundim mbërriti edhe Federata Panshqiptare Vatra. Fan Noli i zhgënjyer nga xhonturqit, u shpreh për “Mëvehtësim të Shqipërisë” nga Turqia, ndërsa Faik Konica në gusht të vitit 1912 hodhi idenë “Autonomi Administrative e Shqipërisë nën Turqinë” dhe me fillimin e Luftës Ballkanike kërkoi “Ndarjen e Shqipërisë nga Turqia”.

Kombi shqiptar dhe Fuqitë e Mëdha

Në vitin 1913, Fuqitë e Mëdha e njohën shtetin shqiptar “Provincë Autonome” duke lënë jashtë kufijve të tij më tepër se gjysmën e territoreve. Pas mbarimit të luftës së parë botërore, shtetet ballkanike nëpërmjet përfaqësuesve të tyre në Konferencën e Parisit i kërkuan Fuqive të Mëdha copëtimin e mëtejshëm të trojeve shqiptare. Në këto kushte në 30 prill të vitit 1919, Kostaq ( Koço ) Kota dhe paria e Beratit formuluan një Memorandum drejtuar komandës franceze, konsullit amerikan dhe përfaqësuesve të Fuqive të Mëdha, ku kërkonin: “Në kioftë se Shtetet e Mëdhenj e shohin të domosdoshme qi shteti shqiptar të mbetet nën mandate të nji Guvernes së Madhe, atëherë na dëshirojëm Mandatin Amerikan.

Lëshime territoriale që rrudhin truallin shqiptar

Asambleja Kombëtare e Shqipërisë me President Ahmet Zogun, në datën 18 korrik të vitit 1925, miratoi shtojcën 2 të Statutit për ndrrimin e kufijve të vijës Vermosh e Shën Naum në favor të Jugosllavisë. Marrëveshja u nënshkrua nga ministri i Jashtëm Milto Tutulani. Në 27 dhjetor 1926 Presidenti Zogu, nënshkroi paktin e parë italo-shqiptar dhe më 11 nëntor 1927 paktin e dytë “Aleancë Mbrojtje midis Shqipërisë dhe Italisë” duke e kthyer Shqipërinë “Protektorat të Italisë”. Në vitet 1928-1939 Mbreti Zog I, lidhi dhe disa marrëveshje financiare me Italinë fashiste. Paktet politike dhe marrëveshjet financiare influencuan në humbjen e sovranitetit të shtetit shqiptar dhe pushtimin e Shqipërisë nga Italia fashiste. Veç fashizmit, Euroja po pushtohej edhe nga idetë komuniste. Në prill të vitit 1944, Mitat Frashëri për të ndalur rrezikun sllavo-komunist ndaj Shqipërisë e Greqisë, ideoi marrëveshjen midis Ballit Kombëtar e Nacionalizmës Greke, që parashikonte krijimin e “Shtetit Dualist Greko Shqiptar”, me një politikë të jashtme e një ministri Lufte.

Në 29 nëntor 1944, Shqipëria u vu nën kontrollin dhe administrimin e komunistëve të Enver Hoxhës. Më 11 janar 1945, Shqipëria u shpall Republikë. Forma e regjimit kaloi në tre etapa, Republikë Popullore, Republikë Popullore Socialiste , Republikë e Diktaturës së Proletariatit. . Regjimi komunist deklaroi se nuk i njihte marrëveshjet dhe traktatet e lidhura në vitet 1912-1939, nga përfaqësuesit ligjor të shtetit shqiptar me kompanitë tregtare amerikane, britanike, franceze, italiane dhe me përfaqësuesit politik të këtyre shteteve. Patriotët, Mëmëdhetarët, Luftëtarët e Lirisë, Pjesëmarrësit dhe të Rënët në “Lëvizjen Kombëtare Shqiptare” u baruan. Në listat e kundërshtarëve të ideologjisë komuniste dhe të sistemit diktatorial u përfshinë mjaft intelektual të shkolluar në shtetet perëndimore, kuadrot që kishin drejtuar qeveritë paraardhëse, administrator të pushtetit qendror e lokal, të cilët u klasifikuan armiq, bashkëpunëtor me pushtuesit italian e gjerman dhe u arrestuan, u internuan, u dënuan me heqje lirie dhe me vdekje.

Për ironi të fatit, në vitet 1945-1985, Enver Hoxha lidhi marrëveshje me Jugosllavinë, (Shqipëria u projektua Republikë e Shtatë e Jugosllavisë), me Bashkimin Sovjetik (Sovranitet i Kufizuar), me Kampin Komunist Lindor, me KNER-in, me Traktatin e Varshavës dhe me Kinën Komuniste ?!.

Në vitin 1990, “Lëvizja Demokratike”, me mbështetjen e diplomacisë perëndimore, shembi “Diktaturën Komuniste” dhe Shqipëria u shpall “Republikë Demokratike Parlamentare”. Politikanët shqiptar gjetën drejtimin e duhur duke synuar mbështetjen euro-amerikane. Mirëpo, presidenti Berisha nënshkroi marrëveshjen e anëtarësimit në “Konferencën Islamike”, Ligjin 7501 dhe “Marrëveshjen e Kufirit Detar” me Greqinë, që tronditën besimin e kancelarive perëndimore ndaj qeverisë shqiptare, besimin e pronarëve ndaj shtetit demokratik dhe të popullit ndaj qeverisë së Partisë Demokratike. Fatos Nano erdhi në krye të shtetit shqiptar, duke imituar shëmbëlltyrat e udhëheqësve liberal-demokrat të Evropës perëndimore. Kryeministri Nano u paraqit më shumë demokrat se komunist dhe më shumë liberal se socialist. Lëvizja e quajtur “katarsisi shqiptar”, dështoi. Fill pas saj mbiu dhe u përhap korrupsioni në shtresat e intelektualëve që drejtonin administratën shtetërore, institucionet shëndetësore, arsimore, kulturore dhe shkencore. Shqipëria u zhyt nën ndikimin e shtetit grek, ndërsa “kisha shqiptare” po rrezikonte të humbiste autoqefalinë. Loja e marrëveshjeve me shtetet kufitare ballkanike, vazhdon edhe me kryeministrin Rama, i cili sa ishte opozitar kritikoi marrëveshjen e detit të lidhur midis qeverisë Berisha dhe qeverisë Greke. Marrëveshja e kufirit detar dhe e varrezave greke në truallin shqiptar e diskutuar midis përfaqësuesit të qeverisë Rama dhe përfaqësuesit të qeverisë Cipras, paraqesin mjaft dyshime. Grupimi shqiptar nën kryesinë e ministrit të Jashtëm Ditmir Bushati, anashkalon interesat strategjike të Shqipërisë duke harruar t’i kujtojë palës greke që kufiri shqiptar para vitit 1913 ishte gjiri i Prevezës. Pasaktësitë e formuluara në projekt –marrëveshjen për kufirin detar e paraqitur nga institucioni i Kryeministrit, institucionit të Presidentit, mesa duket nuk janë pranuar. Presidenti Ilir Meta është shprehur për rishikimin e marrëveshjes mbi detin. Padrejtësitë shekullore lidhur me trojet shqiptare po ndreqen. Koalicioni euro-amerikan me ndërhyrjen ushtarake mposhti ushtritë Serbe dhe shpalli krijimin e shtetit të dytë të shqiptarëve “Republikën e Kosovës”. Ibrahim Rugova ishte ideatori i parë i “mëvehtësimit të Kosovës nga Serbia” dhe u ndoq nga udhëheqësit legjendar të UÇK-së. Marrëdhëniet e shqiptarëve me sllavët e grekët, janë të dyshimta dhe aspak miqësore. Kombi shqiptar ka pësuar vuajtje, vrasje, shfarosje dhe zhvendosje nga trojet e veta shekullore. Drejtuesit e shtetit shqiptar kanë synuar dhe synojnë shëndoshjen e marrëdhënieve duke nxitur besimin reciprok. Por nacionalizmat greko-sllavë veprojnë egërsisht dhe nxitin urrejtjen ndaj popullit shqiptar. Lëshimet e pushtetarëve të Shqipërisë lidhur me kufirin e detit, varrezat e ushtarëve grekë në trojet shqiptare dhe e pushtetarëve të Kosovës lidhur me kufirin me Serbinë e Malin e Zi, janë të patolerueshme.

Duke pranuar tezën: “Historia është Gjykatësi më i Mirë”, lexuesi i ndershëm pasi ta ketë lexuar shkrimin, le të gjykoj me ndërgjegjen e tij patriotike kombëtare shqiptare dhe të Formuloj Pyetjen: Kush është Armiku?!!