Gentian Çala:Represion i maskuar nga COVID-19

495
Sigal

Shumë prej shoqërive anekënd botës po përjetojnë një gjendje të ndërmjetme midis nevojës për masa që ndërpresin zinxhirin e infektimit nga koronavirusi dhe kufizimit të lirive e të drejtave të qytetarëve. Ky detaj e bëri OKB-në që të pronocohet se duhet pasur kujdes që kjo situatë të mos përdoret nga qeveritë me prirje autoritare për të shtuar represionin ndaj popujve. Fenomenin e represionit tej nevojës për parandalimin e përhapjes së Covid-19 do ta pagëzoja si “represion i maskuar nga covid-19”.

Disa elementë të këtij represioni po vihen re në Shqipëri, ku tendecat autoritare të qeverisë së drejtuar nga Rama ishin para pandemisë. Ato u theksuan në mungesë të kontrollit apo me zgjerimin e pushtetit të KM-së. Me drejtësinë thuajse të pezulluar nga karantina, me policinë nëpër rrugë me kompetenca të shtuara, me vendime arbitrare të qeverisë, me komunikimin publik me nota kërcënuese, me gjysëm heshtjen solidarizuese të opozitës të kushtëzuar nga situata, me pushtimin e medias nga qeveria (ku bëjnë përjashtim vetëm disa media kritike ndaj saj, kryesisht online) dhe me varësinë në rritje të qytetarëve dhe biznesit nga masat ekonomike të qeverisë, rreziku i represionit duket më real se kurrë.

Kjo tendencë duket e vështirë në aspektin e kufizimit. A mund të presim që vetë KM-ja apo Qeveria të tregohet e kujdesshme ndaj kësaj tendence?! Nuk e besoj, duke pasur parasysh që kjo ndodhte edhe para pandemisë. Çfarë mund ta kontrollonte apo ta kufizonte këtë tendencë?! Besoj se vetëm reagimi qytetar dhe reagimi opozitar. Zërat duhen bashkuar dhe ka shumë mundësi për ti bërë ata të kuptojnë që nuk munden të bëjnë si të duan me ne. Refuzimi i represionit mund të bëhet edhe në kushtet e kujdesit ndaj mundësisë së infektimit.

Gjobat, burgosjet, sekuestrimet, masat administrative, taktikat represive janë gjetja e gabuar në momentin kur shumica e poullsisë duket e përgjegjshme dhe e kujdesshme për shëndetin e tyre. Zërat refuzues duhet të bashkohen, ata duhet të demaskojnë edhe oportunistët qeveritarë, të cilët nën petkun e profesionistit shëndetësorë apo të opinionbërësve mbështesin me ose pa dashje masat represive. Shifrat në rënie të numrit të të infektuarve duhen shoqëruar me masa më të buta kufizuese, me hapësira më të mëdha për liritë dhe të drejtat e qytetarëve.
Historitë e instalimit të autokracive në mënyrë të butë dhe të maskuar nuk duhen harruar.
Reagimi qytetar duket sot më i rëndësishëm se kurrë!