Engjëll Musai/ Gjaku i dëshmorëve të luftës i tmerron dhe pas 70-vitesh, pinjollët e nazi-fashizmit

515
Sigal

*Drejtor i “Telegraf”

 Shqipëria është i vetmi vend në Europë, që u çlirua vetë dhe pa ndihmën e aleatëve të koalicionit anti-hitlerian.  Kjo luftë, e cila u quajt Nacional-Çlirimtare grumbulloi rreth vetes rreth 70 mijë partizanë, luftëtarë dhe heronj që dhanë jetën për  largimin e “bishës” fashiste dhe naziste. Ndaj ky 70-vjetor -që për koincidencë korrespondon me luftën e 70 mijë partizanëve, -meriton respektin, mirënjohjen  dhe përbënë krenari për kombin tonë. Më 9 Maj, në Francë, u festua triumfi i popujve të Europës dhe mbarë botës, si shenjë mirënjohje për gjakun e derdhur ndaj koalicionit më mizor që ka njohur njerëzimi. Në këtë ceremoni ishin të pranishëm, edhe përfaqësuesit e kombit shqiptar, të cilët valëvitën flamurin e kuq  të partizanëve me shqiponjën e zezë. Kjo luftë, mblodhi rreth vetes të gjithë atdhetarët  brenda dhe jashtë trojeve të Shqipërisë, të cilët e ndjenin se duhej të sakrifikonin dhe jetën po të ishte nevoja. Motoja e partizanëve dhe heronjve të njësiteve guerile ishte luftë pa kompromis kundër pushtuesve dhe tradhtarëve të kombit,pa dallim,feje, krahine dhe ideje. Kjo bëri që të rinj dhe të reja në lulen e rinisë, t’i bashkoheshin lëvizjes dhe të jepnin jetën për çlirimin e vendit. Ata e pritën me armë dhe derdhën gjakun që ditën e parë të pushtimit fashist më 7 prill 1939, ku “Heroi i Popullit”, Mujo Ulqinaku do të mbetet i paharruar në memorien kombëtare. Po kjo ditë, shkroi edhe ditën e turpit për Mbretin e vetëshpallur Ahmet Zogu, i cili iku dhe e la vendin në mëshirë të fatit. Bashkë me largimin, ai grabiti edhe floririn e shqiptarëve, duke shënuar, edhe një akt të turpshëm dhe barbar. Megjithatë, luftëtarët  dhe partizanët tanë ditën të përballonin të gjitha situatat e vështira dhe me armët që i rrëmbyen fashistëve nga depot e tyre mbushën radhët e trimave në male. Ky heroizëm dhe kjo luftë, bëri që më 29 Nëntor 1944, Shqipëria të Çlirohet, duke shkruar një faqe të ndritur në historinë botërore. Të gjithë ata që sot duan të nëpërkëmbin luftën heroike  të partizanëve dhe luftëtarëve do të dështojnë njëlloj, sikurse dështuan edhe vetë paraardhësit e tyre, bashkëpunëtor të fashizmit dhe kuislingët e qeverisë hitleriane. Lufta Nacional Çlirimtare u shkrua me gjakun e 28 mijë dëshmorëve dhe qindra luftëtarëve të plagosur dhe gjymtuar. Ndaj sot, ne u përulemi me respekt dhe mirënjohje, duke u thënë se amaneti i tyre nuk do të tretet kurrë dhe se pinjollët e fashizmit  edhe sot pas 70 vitesh tmerrohen nga gjaku i kuq i partizanëve.