Gëzim TUSHI/ Shoqëri ndërtuese apo moralisht degraduese?

662
Sigal

Padyshim, është fare evidente që moralisht shoqëria shqiptare i ka hapur plotësisht dyert orientimit modern të saj, duke synuar ecjen pa kthim drejt standardeve europiane, modeleve të pranuara morale të qytetërimit postmodern. Megjithatë, ky nuk është proces i lehtë për t’u realizuar etikisht, as nuk është rrugë që realizohet moralisht vetëm mbi bazën e voluntarizmit kolektivist. Ne jemi të ndërgjegjshëm që trupi i shoqërisë tonë është në rrugën e vështirë dhe brenda procesit të adoptimit me këtë lloj të ri të moralit që është baza e qytetërimit progresiv dhe themeli i ndërtimit të shoqërisë etikisht të përparuar. Në këto rrethana është e natyrshme njohja e situatës morale të shoqërisë tonë, e cila po kalon turbulenca dhe po përballet intensivisht me kriza të forta morale që lidhen natyrshëm me “procesin e adoptimit” me standardet universale etike të qytetërimit postmodern. Ka shumë gjëra që e shkaktojnë këtë situatë reale etike të shoqërisë, të jetës së qytetarëve dhe cënimit të dukshëm të standardeve etike të qytetërimit tonë. Cilat mund të jenë shkaqet që e sjellin atë ? Nuk është e lehtë të japësh një përgjigje shteruese. Veçse për një gjë duhet të jemi të sigurt. Të metat morale që shfaqin qytetarët tanë në raport me imperativat etike të qytetërimit postmodern nuk janë të meta “gjenetike” individuale, por pasojë e rrethanave të zhvillimit të shoqërisë dhe qytetërimit tone, qoftë në të kaluarën por dhe në kohën tonë. Për fat të keq, në mënyrë të rëndomtë në opinionin publik ndihet akuza e formuluar për dëmet dhe përgjegjësitë morale të demokracisë, e cila konsiderohet si shkaktare për të gjitha devijancat dhe pasojat e qëndrimeve dhe sjelljeve morale të njerëzve në shoqërinë tonë. Por nuk janë vetëm qytetarët që mendojnë kështu. Ka dhe sociologë e studiues të moralit dhe demokracisë që mendojnë se ky korrelacion kontroversal, është një nga shkaqet që përmes lirisë dhe personalizimit të vlerave bëri të mundur “çakordimin moral” të shoqërisë dhe evidentoi në mënyrë të pakontrolluar “dobësitë morale” të natyrës njerëzore. Sipas tyre, demokracia është sistemi që vendos në plan të parë konsumin, qejfin, plotësimin maksimal të dëshirave trupore dhe për pasojë është duke u ravijëzuar që shoqëri që po largohet nga nevoja e vlerësimit të virtyteve morale drejt “çështjeve banale të barkut”. Padyshim, që duhet pranuar se shoqëria jonë është në një moment kur “llumi moral” i shoqërisë po trashet vazhdimisht. Në këto rrethana është e natyrshme që njerëzit të pyesin, se çfarë duhet bërë, si duhet vepruar ? Problemi që shtrohet nga njerëzit që janë moralisht të shqetësuar lidhet me mënyrën si zhvillohen realitetet e sotme morale në shoqërinë tone. Të cilat shpesh të detyrojnë të bësh publikisht pyetjen ekzistencialisht të fortë: Në çfarë mënyre lidhen sot e keqja morale e zhvilluar në shoqëri me të “ligën natyrale” që po zhvillohet në shpirtin e njeriut të lirë, liberal dhe konsumist ?  Mbi të gjitha a është e mundur të flitet për nevojën dhe mundësinë e ekzistencës së një parimi moral, që mund të na ndihmojë të bëjmë analiza morale të situatës sociale, të mënyrave të sjelljes së njeriut në shoqëri ? A mos vallë pushteti i tjetërsuar ndaj njeriut, ka bërë të mundur edhe robërimin moral të tij, duke e futur në hulli sociale dhe grackën e amoralitetit të përgjithshëm, që është bërë dukuri universale e postmodernitetit ? A ka përgjegjësi morale demokracia për këtë situatë? Natyrisht në analizën e kësaj situate moreale që zhvillohet në shoqërinë tonë duhet së pari t’i largohemi konceptit etik materialist, përfytyrimit marksist të “përgjegjësisë morale”, idesë se në shoqëri përgjegjësia morale nuk qëndron tek njeriu individualisht, por vetëm në forcën morale të institucioneve dhe organizimeve të tjera të jetës sociale. Kjo ka një pjesë të së vërtetës por nuk do të thotë se është tërësisht e vërteta.  Në kohën e sotme është e papranueshme që ne të jemi akoma viktima pasive të ideve morale dhe përfytyrimeve etike supermaterialiste, që na ka lënë “peshqesh” ideologjia materialiste që mbivlerësonte peshën e strukturës etike mbi vetitë, cilësitë dhe individualitetin moral të njeriut konkret. Idetë e vjetra etike dhe koncepsionet arkaike morale, janë pengesë në rrugën e formimit të personalitetit të shëndoshë moral të njeriut.  Morali në kohën tonë duhet sjellë në kontekstin e ri të marrëdhënieve njerëzore në kushtet e lirisë, konkurrencës dhe dobësimit progresiv të kufizimeve etike të vendosura prej shoqërisë në të kaluarën tonë. Njeriu i kohës sonë i “përshtatur etikisht” me veten dhe shoqërinë, është ai që mund të ndihmojë procesin e vështirë të bërjes së shoqërisë tonë jo moralisht degraduese por etikisht ndërtuese. Në se kemi nevojë që të rindërtojmë platformën e një debati të gjerë social, me natyrë etike për të përmirësuar moralin personal dhe publik në shoqërinë tonë, atëherë thelbi i tij është reagimi ndaj problemit dhe shqetësimit aktual të shoqërisë tonë. Kjo do të thotë që duhet të mendojmë seriozisht, se në cilën rrugë duhet të ecim, çfarë drejtimi etik duhet të zgjedhim. Do bëjmë shoqërinë tonë moralisht të vendosur në “Shkallën e Njeriut” apo do e zbresim në “nivelin e kafshërisë”? Natyrisht thelbi i asaj që kërkohet në kohën e sotme, është adoptimi i jetës dhe sjelljes së njeriut me normat e moralit realist dhe jo me rregullat e stisura e pa forcë veprimi të moralit doktrinarist. Sepse është fjala për ekzistencën dhe veprimin e moralit në kushtet e shoqërisë së liberalizuar dhe të sjelljes së individualizuar të njeriut.  Fjala është për të rindërtuar në përputhje me kërkesat e kohës, një tjetër lloj morali i cili mund të veprojë, të jetë efektiv dhe të ketë efektivitet social, vetëm duke vendosur individualisht njeriun e veçantë në qendër të vëmendjes morale. Kanë kaluar shumë kohë që nga koha kur Makiaveli dhe Luteri me mprehtësi kuptuan se vendi i jetës morale nuk është komuniteti, por individi dhe jeta e tij e veçantë. Kjo do të thotë se ka ndryshuar përfundimisht “ekuacioni”, mënyra si lidhet moralisht individi me komunitetin, duke e bërë qytetarin njeri akoma më të lirë moralisht por jo pa përgjegjësi shoqërore etike. Veçse kudo në mendimin e sotëm etik, në praktikën e sjelljes morale është rritur shqetësimi social që buron nga fakti se duke i dhënë rëndësi mënyrës individualiste të jetës, detyrimit të shpëtimit personal përballë rreziqeve të modernitetit dhe moralit privat të njeriut, është duke u shfaqur fenomeni i degradimit dhe braktisjes së moralit shoqëror. Padyshim, në kohën e sotme është arritje e madhe e qytetërimit që ka bërë të mundur të pranohet koncepti, sipas të cilit morali është së pari çështje e jetës private të njeriut. Por kjo nuk do të thotë se në shoqërinë e sotme moralisht liberale duhet hequr dorë, duhet braktisur nevoja e ekzistencës së dimensioni social të kritikës morale kundër akteve dhe veprimeve anormale morale. Koha e sotme është e prirur drejt mbivlerësimit të relativizmit moral dhe mungesës së parimeve morale me vlerë sociale. Në të vërtetë teprimi me këtë lloj qëndrimi dhe filozofie morale relativiste është bërë shkak që në jetën e përditshme jo vetëm që nuk bëhet fjalë më për parime morale, por për fat të keq është duke humbur kufiri ndarës midis të mirës dhe të keqes morale. Natyrisht po jetojmë në kohën postmoderne, kur më në fund edhe në shoqërinë tonë kanë ndryshuar “çelësat e ekzistencës”, të cilat duhet t’i shërbejnë jetës qytetare që ka ndryshuar moralisht. Kjo do të thotë se “portat morale” të jetës së sotme edhe në shoqërinë tonë nuk mund të hapen më duke përdorur kyçe të ndryshkur. Në kohën tonë gjërat kanë ndryshuar thelbësisht. Në mënyrë po thelbësore kanë ndryshuar edhe raportet dhe marrëdhëniet e qytetarit me moralin personal dhe nevojën e kristalizimit të identitetit substancial personal…