Josif  Papagjoni/ “Margarita”, një film i konceptuar ndryshe

531
Sigal

Përsiatje për filmin më të ri dokumentar të regjisorit Kujtim Gjonaj (Mjeshtër i Madh).

Ka kohë që kineastët i kanë drejtuar sytë te emra të shquar të artit. Është diçka e bukur. Një detyrim madje. Artistët janë nga krenaritë dhe lavditë e pakta të këtij kombi. Kemi nevojë për ta, për talentin dhe shkëlqimin e tyre. Sepse shkëlqimi estetik është nga gjësendet e lakmuara e të rralla ku gjithkush ia hap dyert e shpirtit në dorëzani, sepse artistët e teatrit dhe të filmit janë asi njerëzish që bujtin në shtëpitë tona, ku jemi vetëm a me të afërmit e zemrës sonë. Ata hyjnë pa britma dhe urrejtje, por lirisht, si imazh i bukur dhe i mirëpritur nëpërmjet roleve të tyre dhe historive që këta role na rrëfejnë, të cilat janë të ngjashme me historitë tonë. Prandaj artistët janë figura të admiruara publike.

 E kush nuk e njeh Margarita Xhepën?!

 Sa zyrtarë të lartë të këtij vendi kanë ikur nga jeta e vëmendja jonë? Sa ministra e njerëz me fytyra plot autoritet, që na kallnin frikën dikur me prepotencën e tyre ose sot na bëjnë t’i neveritim me hajnitë e tyre dhe grindjen e pareshur deri në marrëzi dhe idiotësi. Mirëpo ne menjëherë reshtim kur në ekran na del një artiste e nderuar si Margarita Xhepa. Ja që arti e ka këtë pushtet të jashtëzakonshëm: robërimin e zemrave tona përmes historive të personazheve, këndelljen përmes imazhit si një nga fuqitë më të mëdha, kapilare të ndikimit, formësimit, vetëdijësimit dhe mbushjes sonë shpirtërore.
Afërmendsh shoqëria, populli dhe kombi ynë, paçka se i vogël dhe i vonuar në afirmimin e tij përballë qytetërimit dhe kulturës evropiane si sistem vlerash dhe dimension, gjithsesi ka krijuar në kohë mitet e veta. Ndoshta më shumë se kombet e mëdhenj, ai ka nevojë për mite, por jo për vetëdije mitike. Ka nevojë për “mite artistike” në sensin më të bukur e fisnik të fjalës, pra për paradigma e shëmbëlltyra që sublimojnë gjeniumin e tij të padiskutueshëm. Dhe kur vjen puna në të tilla “mite” ku gjeniumit i artit vetëshprehet, numri kufizohet ndjeshëm, mbeten vetëm pak emra, ata që e meritojnë përnjëmend respektin tonë, dashurinë dhe simpatinë tonë të thellë. Një nga këta emra është Margarita Xhepa, Artiste e Popullit, Nderi i Kombit, andaj dhe filmi i fundit i Kujtim Gjonajt, Mjeshtër i madh, kushtuar jetës dhe krijimtarisë së kësaj artisteje të shquar ishte i mirëpritur nga të gjithë ne.
Për Margaritën janë shkruar edhe dy libra, i pari nga Angjelina Xhara dhe i dyti nga kritiku i njohur Miho Gjini, ky i fundit një libër cilësor me përimtime faktesh e analiza të thella rolesh, me fjalë të ngrohta vlerësuese prej të tjerëve si dhe rrugëtime tërheqëse në jetën, karrierën dhe aktrimin e artistes. Ja ku vjen dhe ky film i hijshëm e me hir artistik nga Kujtim Gjonaj, çka e bën portretin e saj edhe më të plotë.
Janë bërë shumë filma dokumentarë, jo pak syresh me një strukturë të tipit kronikal, aq sa nganjëherë të shkon mendja për keq e thua: Kaq shumë artistë të mëdhenj na paska pasur e na paska kjo Shqipëria jonë? Jam i mendjes se kjo mbresë, që fsheh edhe një spekulacion imazhi apo varfëri strukturash mediatike paraqitëse, shtohet ndjeshëm kur sheh dhjetëra prodhime televizive ku flitet e flitet gjer në mërzi për këtë apo atë artist, gjithfarë këngëtaresh që kanë qejf veçse të duken, që kanë prodhuar këtë apo atë videoklip e kanë kënduar në ca klube e disko-bare në Ballkan, ose për këtë apo atë aktor të skenës e të humorit, dikush aty afër të ‘30-ve e dikush shumë më i ri, që na qenkan bërë të “mirënjohur” te kjo apo ajo skenë e “botës”, e qytet-kryeqytetit (për mos thënë e “katundit”). Dhe kjo ndjenjë për të rrëmbyer famë, emër, lavdi, kur nuk ke realisht famë, emër a lavdi, më ngjan se është shndërruar në një sëmundje, jo vetëm e artistëve por sidomos e medieve që manipulojnë imazhet, që prodhon dhe bëhet pjesë e delirit, e kinse vlerës dhe artificit mediatik.
Shikoni se sa ndryshon kjo që thamë më lart me domosdonë që ne kemi për të dritësuar një nga portretet më brilante, që na ka dhënë të gjithëve dritë e kënaqësi dhe është shndërruar tashmë në mbamendje e kujtesë kulturore. Kjo është pikërisht Margarita Xhepa, prandaj dhe një film kushtuar asaj është kundër gjithë rëndomtësive që gatuajnë jo rrallë nëpër ekrane të rëndomtët.

Imazhi që na sjellë Kujtim Gjonaj

Tjetërfarë është imazhi që na sjellë Kujtim Gjonaj, një nga dokumentaristët më të mirë e më me përvojë që kemi.
Regjisori ka thurur disa linja e ka përvijuar disa hapërime jete e arti që shkojnë e vijnë e së toku ndërtojnë një portret të bukur, mbushur me emocione, sinqeritet. Një linjë është elementi biografik i artistes që vjen më së shumti përmes rrëfimeve të saj. Prekëse është bie fjala koha e fëmijërisë së Margaritës në një qytet të vogël si Lushnja, ku ëndrra vinte si e ndrojtur dhe nuk dinte si të artikulohej veçse në ca recitime të fjalës shqipe, nën një pemë shtëpia apo në një klasë shkollë, gjersa ajo do të pikasej nga syri dhe kujdesi i regjisorit të njohur të Teatrit Popullor Pandi Stillu, për t’i dhënë më në fund krahë kësaj ëndrre të bukur. Një linjë tjetër është ajo e vlerësimit që emra të njohur të artit i kanë bërë personalitetit të Margaritës, filluar nga Maks Velo, Mihal Luarasi, Reshat Arbana, Tinka Kurti, Saimir Kumbaro, Piro Milkani, Miho Gjini etj.. Por linja më e bukur, sipas meje, është prania e admirimit të njerëzve të thjeshtë ndaj saj. Kudo ka një dashuri spontane, e atypëratyshme, që derdhet dhe e mbulon aktoren në takime me të reja e të rinj, me njerëz të niveleve të ndryshme, me spektatorë të shumtë. Ideja e mbulimit me dashuri, respekt, simpati dhe admirim nga njerëz të shumtë që i afrohen dhe e rrethojnë artisten, e përqafojnë dhe e puthin, është diçka vërtet prekëse dhe me domethënie, pa “bërtitur” përkundrazi ashtu e thjeshtë, e natyrshme, me një dëlirësi që mua më ka lënë mbresë të thellë. Një linjë tjetër plotësuese janë incizimet e disa prej fragmenteve të shumtë nga rolet e saj në teatër e në film, ku do të veçoja Ofelinë te tragjedia “Hamleti” e Shekspirit, Klea te “Dhelpra dhe rrushtë” e Figueredos, pastaj roli i artistes te “Kënga e mjellmës” e Çehovit dhe më e bukura, Hekuba, te “Trojanet” e Euripidit, në skenë
dhe në muret e Akropolit në Greqi. Po kështu edhe në kinematografi janë dhënë episode të shkurtra përfaqësuese të roleve të njohura të saj si në filmat “Vitet e para” (Zyraka), “Dimri i fundit” (Shanua), “Dora e ngrohtë” (nëna). Episodi nga filmi “Vitet e para” ka edhe humor brenda duke rrëfyer për fuqinë e bukurisë fizike të saj, sharmin femëror si rrallë gjetkë nga aktorët-femra shqiptare, ndërsa filmat “Shokët” dhe “I dashur armik” regjisori ka nxjerrë një pamje gjer mallëngjyese të marrëdhënies nënë-bir, Margarita-Ndriçim si artistë filmash që luajnë së toku. Kjo plotësohet nga një rrëfim prekës i artistit të shquar të teatrit dhe filmit tonë Ndriçim Xhepa. Nga episodet më të realizuar në këtë kontekst është historia mbi rolin e gruas së Mitit në filmin “Tokë e përgjakur”, krijimi i gjendjes emocionale me vajtimin me ligje të Margaritës për të shoqin e vrarë
pabesisht, lotin që rrjedh çurk nga sytë e saj, të vërtetën e dhimbjes së shpirtit gjer në bulb e lot dhe, nga ana tjetër, mbarimi i shiritit të filmit dhe vendosja e shiritit të ri në kamer nga operatori Ilia Terpini. Aktorja duke e ruajtur dhe mbushur këtë ndërkohë me një tension të lartë e të plotë psikologjik, pa e ulur aspak gjendjen tragjike të vajtimit me ligje, arriti ta fillonte nga e para xhirimin e skenës duke na dhënë një episod vërtet të rrallë.

Kur flasim për detajet
Detaje të tilla e kanë bërë filmin kushtuar Margarita Xhepës joshës, duke i dhënë spektatorit jo thjesht vlerësimin, mendimin dhe fjalën, por edhe rrëfime të llojeve të ndryshe, nga të tjerët dhe nga ajo vetë, çka rritin komunikimin, sidomos domethënien, pasi ato janë të përzgjedhura nga një shumësi episodesh të llojllojshme. Mjaft të kujtojmë, bie fjala, ndryshueshmërinë e gjendjes psikike të aktores vetëm nga veshja, si në filmin “Pylli i lirisë”, kur ajo huan një fustan të rëndomtë prej një banoreje, një shall dhe kaq shumë arrin të transformohet sa dikush nuk e njohu atypari, ani pse qe fare pranë saj.
Filmi nxjerr para syve tanë një Margarita Xhepa, siç edhe e titullon, lule “margaritë”, ose “margaritar”. Pra bukurinë. Doemos bukurinë prej femre dhe aktoreje, sharmin e saj, por më kryesorja, bukurinë e shpirtit të saj, mirësinë, thjeshtësinë, mirëshkuarjen, respektin për të tjerët. Pastaj na vjen një Margaritë në rolet më të bukura që nuk shlyhen nga kujtesa e spektatorëve dhe përfaqësojnë nivelet e epërme të teatrit dhe filmit shqiptar. Është dhe një Margaritë grua, që gëzon respektin, ndihmën dhe mirëkuptimin e të shoqit, një Margaritë nënë e sidomos një Margaritë personalitet i artit, njeriu që të gjithë e duam, e nderojmë dhe kërkojmë t’i puthim dorën, si dikur dijetari i shquar Eqerem Çabej kur ajo dilet nga teatri pas një roli…
Edhe ky shkrim nga ana ime, ani pse kam folur shpesh për të sa herë më është dhënë rasti, s’është veçse një dashuri e respekt i thellë për këtë artiste e grua fisnike, është një “puthje dore”…