Frank Shkreli*: Problemet dhe sfidat ndërshqiptare

583
Sigal

 

 

Gazeta Telegraf/

Debatet, komentet, analizat, deklaratat dhe intervistat e shumta të
nxitura dhe të nxituara nga vizita e fundit në Serbi e Kryeministrit të
Republikës së Shqipërisë Edi Rama, ende vazhdojnë në të gjitha mediat
shqiptare, në ato vizive dhe të shkruara, anë e mbanë trojeve shqiptare dhe
duken sikur nuk kanë të ndalur, madje edhe pothuaj dy javë pas vizitës. Ato
kanë humbur jo vetëm fokusin por shpeshherë edhe arsyen. Është e dhimbshme që
shumica e komenteve dhe e debateve në lidhje me këtë fenomen është përqendruar
në ndryshimet që gjoja mund të ekzistojnë midis shqiptarëve dhe jo në të
përbashkëtat midis tyre, përfshirë problemet dhe sfidat me të cilat ata
përballen çdo ditë, anë e mbanë trojeve shqiptare. Ato që kisha për të thënë
për vizitën e Kryeministrit Rama dhe komentet në lidhje me të — nga të dy anët
e kufirit – i kam shprehur në mënyrë modeste — në një shkrim para vizitës së
udhëheqësit shqiptar në Beograd dhe me një artikull tjetër pas vizitës së tij.
Si përfundim, këtë radhe refuzoj të kontribuoj në vazhdimin e kësaj sagë të
këtyre debateve të dhimbshme ndër-shqiptare. Por mendova me veten, merre me
mend në qoftë se gjithë kjo energji dhe i gjithë ky debat të merrte një qasje
pozitive dhe të drejtohej për zgjidhjen e problemeve të përbashkëta që janë
unike për të gjithë shqiptarët, si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri, por edhe
në trojet e tjera të banuara nga shqiptarët në Ballkan. Sepse dihet që
problemet dhe sfidat janë të shumta dhe të përbashkëta me të cilat përballen të
gjithë shqiptarët pa marrë parasysh se në cilin shtet jetojnë. Këtu mund të
përfshihen problemet që kryesojnë listën e gjatë — të shkaktuara, kryesisht
nga partitë politike dhe udhëheqësit e tyre, probleme të cilat me të drejtë i
bëjnë shqiptarët ndjehen cinikë dhe të zemëruar me udhëheqësit e tyre, pikësëpari,
për mungesën e integritetit në qeverisje, korrupsionit dhe mos zbatimit të
ligjit. Shqiptarët janë gjithashtu të zemëruar dhe të zhgënjyer, se thjeshtë si
individë ose si pjesëtarë të shoqërisë së gjerë shqiptare që e quan veten
demokratike, nuk ka asnjë zë për të vendosur të tashmen ose për të ardhmen e
vet dhe të familjes. Shqiptarët në përgjithësi përballen jo vetëm me realitetin
e varfërisë materiale por edhe me realitetin e varfërisë shpirtërore. Mbretëron
ndjenja se shpresat që ekzistonin para 25 viteve se demokracia në Shqipëri dhe
më vonë pavarësia e Kosovës dhe demokracia që pasoi, kanë dështuar ose në qoftë
se punët vazhdojnë kështu, ëndrrat për një jetë më të mirë, janë në proces të
dështimit. Hendeku mbetet gjithnjë i madh midis realitetit dhe ëndrrave.
Fatkeqësisht, ëndrrat e shqiptarëve për një jetë më të mirë janë zhdukur në
realitetin e sotëm shoqëror dhe politik në të cilin ata jetojnë sot. Në të
vërtetë, shumica e shqiptarëve e konsiderojnë “eksperimentin politik” të çerek
shekullit të kaluar si një dështim dhe si rrjedhim vazhdojnë të shprehin
zhgënjimin e tyre me realitetin. Të zemëruar janë duke u larguar në masë nga
trojet e veta. Emigracion do të ketë gjithmonë, por një fenomen i tillë në këto
përmasa që po ndodhë me largimin e shqiptarëve nga trojet e veta nuk mund të
justifikohet sot. Shqiptarët si komb, pa marrë parasysh nëse jetojnë në
Shqipëri në Kosovë ose gjetkë, presin dhe meritojnë më shumë nga udhëheqësit e
tyre politikë. Ata presin që të aktualizohen premtimet dhe parimet e lirisë dhe
të demokracisë, të fituar me gjak e mundime. Ata presin nga partitë politike
dhe udhëheqësit e tyre jo debate — në nivele zyrtare dhe jo zyrtare – mbi
ndryshimet që mund të ekzistojnë midis tyre ose, ruajna Zot, mbi identitetin e
shqiptarëve, por presin nga udhëheqësit e tyre politikë që, natyrisht, të
zgjidhin së bashku problemet dhe sfidat me të cilat përballen shqiptarët, e që
janë pothuaj identike anë e mbanë trojeve shqiptare. Ata presin nga udhëheqësit
e vet, që të përcaktojnë dhe pastaj të përmbushin qëllimet dhe objektivat
kombëtare, jo të përçajnë, por të përpiqen të mbështesin krijimin e një
shoqërie ku të gjithë ta ndjejnë veten pak  a shumë të barabartë para institucioneve
qeveritare dhe shtetërore si dhe para organeve të drejtësisë. Janë shqiptarët,
shtetas të Shqipërisë dhe të Kosovës pa dallim, ata që përbëjnë burimin nga i
cili rrjedhë pushteti i qeveritarëve shqiptarë për të qeverisur, dhe jo
anasjelltas. Kjo e drejtë e shqiptarit, po të ishte e mbara, duhej të zgjerohej
dhe jo të kufizohej ose të keqpërdoret nga pushtetarët. Kjo është mënyra më e
mirë për të krijuar një komunitet kombëtar të shqiptarëve, duke krijuar dy
shtete funksionale, të lira dhe demokratike, me të njëjtin identitet, gjuhë e
kulturë dhe me të njëjtat interesa në trojet e veta si dhe në fushën
ndërkombëtare, përfshirë marrëdhëniet me fqinjët. Vetëm kështu mund të zhduket
eventualisht ose të pakën të ngushtohet hendeku midis ëndrrës së djeshme dhe
realitetit të sotëm politik dhe ekonomik në radhët e shqiptarëve kudo. Debatet
e kohëve të fundit në Prishtinë dhe në Tiranë janë një devijim nga qëllimet dhe
objektivat e përbashkëta që duhet të ketë një komb. Parimet kombëtare nuk duhet
të bien viktimë e interesave afatgjata ose afat shkurtra për qëllime politike,
nga kushdo qoftë. Udhëheqësit politikë shqiptarë kudo, duhet të shikojnë drejtë
së ardhmes duke dëgjuar zërin e popullit që ata përfaqësojnë. Njëkohësisht të
mos lënë pas dore të përbashkëtat që ekzistojnë midis shqiptarëve, por t’i
ruajnë dhe t’i kultivojnë ato. Për ndryshe interesat e huaja, sidomos ato që
ende ruajnë armiqësitë e vjetra ndaj shqiptarëve dhe që gjithnjë po punojnë
drejtë përçarjes dhe mohimit të identitetit kombëtar të shqiptarëve si një komb
i vetëm – do t’ia dalin në të ardhmen që të përçajnë shqiptarët në grupe të
ndryshme gjeografike dhe interesi. Ky është një rrezik real dhe i pranishëm. I
takon këtij brezi politikanësh që jo vetëm të ruaj dhe të mbroj identitetin
kombëtar të shqiptarëve, përball ndasive të mundshme të brendshme dhe të
ndërhyrjeve nga jashtë duke venë në dyshim historinë dhe identitetin kombëtar
të shqiptarëve. I takon këtij brezi të politikanëve, por edhe individëve nga
sektorë të ndryshëm të shoqërisë, siç është media — para se të jetë vonë — që
me fjalët dhe sjelljet e tyre të rivendosin besimin dhe parimin e Besës së
Lezhës dhe të Lidhjes së Prizrenit, se kombi shqiptar është një dhe se pa marrë
parasysh në cilin shtet jetojnë shqiptarët, ata kanë të njëjtin identitet dhe
ndajnë të njëjtin fat. Kjo nuk është diçka e pa-arritshme. Një komb ekziston
bazuar në gatishmërinë, pikësëpari të atyre që u është besuar pushteti por edhe
të sektorëve të tjerë të komunitetit kombëtar, që me përgjegjësi të punojnë për
të mirën e përbashkët të kombit. Por, është kryesisht në dorë të udhëheqësve
politikë të shqiptarëve, në të dy shtetet dhe më gjerë, që të përcaktojnë tonin
e debatit dhe të shprehin vizionin për të ardhmen e kombit, në harmoni dhe
bashkëpunim me njëri tjetrin pa dallim feje a krahine, me besimin e vendosur në
fatin e përbashkët të të gjithë shqiptarëve si komb me identitet, gjuhë dhe
kulturë të përbashkët në trojet e veta anë e mbanë Ballkanit Perëndimor.

 Ish- Drejtor i Voa-s për Euroazinë