Frank SHKRELI/Një gur drejtë zbardhjes së Masakrës së Tivarit

76

Fundin e javës që kaloi, me iniciativë të Këshillit Nacional të Shqiptarëve në Mal të Zi u organizua në Ulqin, Konferenca Shkencore, “Masakra e Tivarit, 1945”.  Në këtë konferencë prej dy ditësh, sipas njoftimeve të këtij Këshilli, morën pjesë studiues të njohur nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia dhe Mali i Zi. (- Mehmet Bardhi – Uran Butka- Muhamet Shatri- Lendita Ahmetaj -Tahir Tahiri-Beqir Meta- Jusuf Bajraktari- Muhamet Pirraku– Ramë Manaj– Romeo Gurakuqi– Ismail Doda etj.,) Pas përfundimit të konferencës së parë mbi këtë tragjedi kombëtare, organizatorët dhe ligjëruesit nga të gjitha trevat shqiptare u nisën drejtë Tivarit, për të bërë homazhe dhe për të vendosur kurora lulesh në vendin ku strukturat ushtarake dhe komuniste të ish-Jugosllavisë në bashkëpunim të plotë me udhëheqësit e Partisë Komuniste Shqiptare të Tiranës, të cilët në vend që të kundërshtonin masakrimin e mijëra bashkëkombësve të tyre, fatkeqësisht lehtësuan dhe ndihmuan në realizimin e këtij krimi kundër njerëzimit.

Sipas të ndjerit Prof. Dr. Zekeria Canës dhe historianëve të tjerë, numri i shqiptarëve të ekzekutuar në Tivar dhe gjatë rrugës nëpër veriun e Shqipërisë, është vetëm një pjesë e numrit më të madh të shqiptarëve që janë vrarë duke kaluar nga Tivari e përgjatë bregdetit të Kroacisë deri në Trogir. Masakra e shqiptarëve në Tivar, ishte pjesë e një e një terrori të organizuar mirë dhe të një likuidimi në masë të shqiptarëve, përfshirë edhe gra e fëmijë, përpiluar me kujdes nga autoritetet komuniste jugosllave, të cilat, ndër të tjera, donin që me çdo kusht të mos lejonin zbatimin e vendimeve të mbledhjes së Bujanit për vetëqeverisjen dhe bashkimin e Kosovës me Shqipëri. Në këtë përpjekje, sipas shumë të dhënave zyrtare dhe të dëshmitarëve, autoritetet komuniste jugosllave kishin përkrahjen e plotë të Partisë Komuniste Shqiptare, në krye me Enver Hoxhën. Me pretendimin se mijëra rekrutë të rinj shqiptarë nga Kosova do të dërgoheshin për të luftuar, të çarmatosur, në frontin e luftës në Trieste, i detyrojnë ata të largohen nga Prizreni e nëpërmjet territorit të Shqipërisë së Veriut për në Tivar, ku sipas historianëve gjetën vdekjen duke u masakruar rreth katër mija të rinj shqiptarë, megjithëse ka mundësi që numri i vërtetë i të vrarëve të mos dihet kurrë. Por, ajo që dihet tani dhe që po del në dritë dal nga dalë nga studime të ndryshme, përfshirë edhe konferencën e Ulqinit, është se mijëra të rinj shqiptarë të pafajshëm u tradhtuan, u vranë e u masakruan nga kriminelë të policisë dhe ushtrisë jugosllave, nën urdhrat dhe mbikëqyrjen e partisë komuniste serbo-malezeze, por fatkeqësisht, edhe me dijeninë dhe bashkëpunimin e plotë të shokëve të tyre në udhëheqjen e partisë komuniste shqiptare.

Para tre vjetëve, pata shkruar një artikull për Masakrën e Tivarit, ku në atë kohë shpreha shpresën për zhvillimin e një debati që do të çonte në, “hulumtime shkencore nga historianë të të gjitha trevave shqiptare për të hedhur poshtë pretendimet e historiografisë komuniste për këtë dhe tragjedi të tjera të kombit tonë, të kryera dhe të fshehura nga regjimi komunist shqiptar dhe bashkëpunëtorët e tyre serbo-malalzez.”

Konferenca e Ulqinit mbi Masakrën e Tivarit është fillimi, është konferenca e parë e këtij lloji për këtë krim lufte që mund të radhitet me krimet më të mëdha të Luftës së Dytë Botërore, por për shqiptarët është një ndër pikat më të zeza të historisë kombëtare, për nga numri i të masakruarve shqiptarë me një rast dhe në një vend, por edhe për nga tradhtia e udhëheqësve komunistë shqiptarë, të cilët miratuan dhe bashkëpunuan në ekzekutimin e kësaj vepre makabër dhe pastaj heshtën duke mohuar se madje kishte ndodhur një gjë e tillë. Kjo konferencë, që pritet të botojë të gjitha referatet në një botim të vetëm, duhet të shërbejë gjithashtu si një formë presioni e opinionit publik dhe në këtë rast, edhe nga studiuesit dhe ekspertët, ndaj autoriteteve shqiptare në Tiranë dhe në Prishtinë që  krime dhe masakra si kjo, kudo në trojet shqiptare, të mos trajtohen më si tabu dhe që njëherazi ata të mos kenë frikë nga e vërteta për zbardhjen e këtyre krimeve.

Para më shumë se dy vitesh, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë miratoi, “Ngritjen e Komisionit Hetimor për Hetimin e Fakteve, Rrethanave dhe Përgjegjësive të Masakrës së Tivarit, 1945”.   Nuk jam në dijeni nëse ky komision ka bërë ndonjë përparim ose nëse anëtarët e tij kanë pasur ndonjë takim në lidhje me përgjegjësitë që i ka caktuar Kuvendi shqiptar, në lidhje me këtë çështje. Shekulli i kaluar do të mbetet si një prej shekujve më tragjik për njerëzimin, kur të merret parasysh numri i njerëzve të pafajshëm që janë vrarë, në emër të ideologjisë komuniste.  Konferenca e Ulqinit për Masakrën e Tivarit, në një mënyrë po të konsiderohet heshtja zyrtare mbi këtë dhe krime të tjera të komunizmit, na sjell në mend se fatkeqësisht lufta e ftohtë, të pakën në trojet shqiptare ende nuk ka marrë fund. Por na kujton gjithashtu se si komb i lirë tani, shqiptarët e kanë për detyrë të kujtojnë, jo vetëm ata të cilët 68-vjet më parë kanë humbur jetën në Masakrën e Tivarit, por edhe viktimat e tjera të pafajshme të komunizmit, anë e mbanë trojeve shqiptare.

Mijëra të rinj shqiptarë nga Kosova që u mobilizuan për të “luftuar” në frontin e luftës në veri të ish-Jugosllavisë, u masakruan në Tivar, për të mos u kthyer kurrë më pranë familjeve të tyre në Kosovë. Këta ndoshta ishin të parët ndër shqiptarët që përjetuan natyrën e vërtetë ç’njerëzore të komunizmit. Komunizmi ka vdekur, por trashëgimia e këtij sistemi dhe përjetësimi i gënjeshtrave të atij sistemi vazhdon, me pasoja të rënda për shoqërinë dhe kombin shqiptar, por edhe për vendet e tjera të Europës që kanë përjetuar të njëjtin fat.

Çka është kombi pa kujtesë? “Ata të cilët e harrojnë të kaluarën, ka thënë filozofi Xhorxh Santajana, janë të dënuar t’a përsërisin atë”. Organizuesit dhe pjesëmarrësit, studiues dhe historianë nga të gjitha trojet shqiptare në Konferencën e Ulqinit mbi Masakrën e Tivarit, meritojnë falënderimet dhe mirënjohjen mbarëkombëtare për nismën dhe kontributin e tyre të çmuar për të kujtuar, duke hedhur sado pak dritë mbi atë krim, duke na kujtuar rishtas atë periudhë të errët të historisë shqiptare. Por njëkohësisht Konferenca mbi Masakrën e Tivarit,     nënvizoi edhe rëndësinë e përgjegjësisë që intelektualët dhe akademikët shqiptarë kanë në zhvillimin e debatit të lirë, në një shoqëri të lirë, duke na kujtuar ato që janë harruar, qëllimisht.

Ish- Drejtor i VOA-s për Euro-Azinë