Frank SHKRELI * / 50-vjetori i krizës kubane të raketave

618
Sigal

16 tetori shënoi ditën e parë të 13 ditëve të 50-vjetorit  të Krizës Kubane të Raketave, krizë kjo, që solli botën në prag të luftës bërthamore dhe shënon një prej momenteve më të rrezikshëm jo vetëm në historinë e Shteteve të Bashkuara, por edhe në historinë botërore.   Për pothuaj dy javë, në tetor të vitit 1962, plani i Bashkimit Sovjetik për të dislokuar në Kubë raketa bërthamore, shkaktoi  konfrontimin e shekullit midis Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Sovjetik.  Ishte ky një moment  kur bota, si asnjëherë më parë ose më vonë, ishte shumë afër shpërthimit të një lufte të përgjithshme bërthamore.  Shtetet e Bashkuara kishin zbuluar nga fotografitë e marra nga aeroplani i spiunazhit U-2, se Bashkimi Sovjetik po përgatiste poligonet për vendosjen e raketave bërthamore në Kubë.

Më 22 tetor, në një fjalim drejtuar kombit dhe botës, Presidenti Kennedi njoftoi se, qeveria amerikane kishte ”zbuluar prova të padiskutueshme se një numër poligonesh për dislokimin e raketave bërthamore  po ndërtohen në ishullin-si-burg të Kubës,” me qëllim të vetëm, shtoi presidenti amerikan, ”për të mundësuar një sulm bërthamor kundër vendeve të Hemisferës Perëndimore.” Në atë fjalim, Presidenti Kennedi nënvizoi, qartë dhe pa asnjë dyshim politikën mbrojtëse amerikane duke paralajmëruar udhëheqjen komuniste sovjetike se, ”Politika e këtij vendi është që të konsideroj çdo hedhje të ndonjë rakete bërthamore nga Kuba kundër cilit do vend në Hemisferën perëndimore, si një sulm i Bashkimit Sovjetik kundër Shteteve të Bashkuara, dhe si i tillë do të nevojit ndërmarrjen e një kundër-sulmi të gjithanshëm (amerikan) ndaj Bashkimit Sovjetik.

Pas këshillimeve të fshehta me këshilltarët e tij, Presidenti Kennedi vendosë bllokadën detare ndaj Kubës, me qëllim për të ndaluar anijet sovjetike që të sillnin në atë ishull furnizime të tjera ushtarake. Presidenti Kennedi kërkoi me këmbëngulje largimin e raketave sovjetike që ishin vendosur në Kubë si edhe shkatërrimin e poligoneve. Askush nuk dinte se si mund të reagonte Krushçovi ndaj bllokadës së Kubës dhe ndaj kërkesave të Uashingtonit për largimin e raketave sovjetike nga Kuba. Rreziku ishte tepër i madh se gjendja mund të dilte jashtë kontrollit nga kalkulimet e gabuara të njërës ose palës tjetër.

Ndërsa Amerika dhe bota prisnin dhe shpresonin për një zgjidhje paqësore, Presidenti i ri amerikan Xhon Kennedi dhe këshilltarët e tij, përfshirë vëllain e tij Robert Kennedi, zhvilluan bisedime dhe negociata me udhëheqësin e atëhershëm sovjetik Nikita Hrushçov për një zgjidhje diplomatike dhe paqësore për zhvendosjen e raketave ndërkontinentale sovjetike nga ishulli i Kubës. Kriza u lehtësua dhe bota mori frymë më lirisht, kur  anijet detare ushtarake  sovjetike të ngarkuara me raketa të tjera bërthamore u kthyen mbrapsht dhe Moska pranoi të tërhiqte raketat bërthamore që kishte dislokuar në Kubë.

Të dy palët ishin tepër të vetëdijshme se sa e rrezikshme ishte situata e krijuar, dhe mundësia e një katastrofe bërthamore ishte aq reale sa që të dy udhëheqësit, Kennedi dhe Hrushçov – pas negociatave të vështira dhe komunikimeve diplomatike – arritën marrëveshjen, sipas së cilës sovjetikët do të tërhiqnin raketat e tyre bërthamore nga Kuba dhe siç u mësua më vonë nga dokumentet  sekrete të deklasifikuara, Shtetet e Bashkuara kishin pranuar, në të njëjtën kohë, të tërhiqnin raketat bërthamore amerikane nga Turqia.

Ironia e 50-përvjetorit  të Krizës kubane të raketave bërthamore  është se bie gjatë një fushate presidenciale këtu në Shtetet e Bashkuara dhe të dy kandidatët po debatojnë  në lidhje me çështje të politikës së jashtme, veçanërisht  kërcënimin që përbëjnë përpjekjet e Iranit për të prodhuar armë bërthamore,  masë kjo që shikohet si një hap që do të destabilizonte jo vetëm Lindjen e Mesme por edhe më gjerë.  Cili nga dy kandidatët për president të Shteteve të Bashkuara, Presidenti Obama apo Guvernatori Romni -do të këtë vendosmërinë politike dhe imagjinatën diplomatike të  Presidentit Xhon Kennedi, për të bindur Iranin që të ndalojë programin për prodhimin e armëve bërthamore, me qëllim që të mënjanohet lufta, dhe të arrihet një kompromis i pranueshëm për të gjitha palët.  Sepse, siç ka thënë Presidenti  Kennedi në një fjalim drejtuar kombit amerikan më 1963, “më në fund, lidhja bazë e përbashkët dhe më e fortë  midis njerëzve është fakti  se duam e s’duam, ne të gjithë jemi banorë të këtij planeti të vogël.  Ne të gjithë marrim frymë nga i njëjti ajër.  Të gjithë ne dëshirojmë një të ardhme më të mirë për fëmijët tanë. Dhe të gjithë jemi bijtë e vdekjes”.

*Ish-Drejtor i VOA-s për Euroazinë