Papa Benedikti XVI / “Kur feja bëhet vepruese nëpërmjet dashurisë”

598
Sigal

Letra Apostolike, në formë Motu Proprio, “Dera e fesë”, e Papës Benedikti XVI, me të cilën shpallet Viti i Fesë, i cili zgjat nga 11 tetor 2012- 24 nëntor 2013

Dera e fesë” (krh Vap 14,27) që çon tek jeta bashkimi me Hyun dhe lejon hyrjen në Kishën e tij është gjithmonë e hapur për ne. Është e mundur të tejkalohet ky prag kur Fjala e Hyjit kumtohet dhe zemra lihet të plazmohet nga hiri që shndërron. Të kapërcesh atë derë sjell hyrjen në një ecje që zgjat për të gjithë jetën. Ajo nis me Pagëzimin (krh Rom 6, 4), përmes të cilit mund ta thërrasim Hyjin me emrin Atë dhe përmbyllet me kalimin nëpërmjet vdekjes në jetën e pasosur, fryti i ringjalljes së Zotit Jezus, që me dhuratën e Shpirtit të Shenjtë, ka dashur të përfshijë në vetë lavdinë e Tij ata sa besojnë në Të (krh Gjn 17,22). Të shpallesh besimin në Trininë – Ati, Biri e Shpirti i Shenjtë – është e barazvlefshme me besimin në një Hyj të vetëm që është Dashuri (krh 1Gv 4,8): në Atin, që në plotësinë e kohës ka dërguar Birin e Tij për shpëtimin tonë; në Jezu Krishtin, i cili në misterin e vdekjes dhe ringjalljes së vet ka shpërblyer botën; në Shpirtin e Shenjtë, që e drejton Kishën nëpër shekuj në pritjen e rikthimit të lavdishëm të Zotit.

Qysh nga fillimi i mbarështimit tim si Pasardhës i Pjetrit kam kujtuar ekzigjencën e rizbulimit të ecjes së fesë për ta vënë në dritë me gjithnjë e më tepër evidentim gëzimin dhe entuziazmin e ripërtërirë të takimit me Krishtin. Në Homelinë e Meshës së Shenjtë lidhur me nismën e pontifikatit thoja: “Kisha në tërësinë e saj, dhe barinjtë në të, sikurse Krishti duhen të vihen në ecje, për t’i udhëhequr njerëzit jashtë nga shkretëtira, drejt vendit të jetës, drejt miqësisë me Birin e Hyjit, drejt Atij që na jep jetën, jetën në plotësi”. Ndodh tashmë jo rrallë, që të krishterët të preokupohen më shumë për rrjedhojat sociale, kulturore dhe politike të zotimit të tyre, duke vazhduar të mendojnë për fenë si një premisë afërmendsh e të jetuarit të përgjithshëm. Efektivisht, kjo premisë jo vetëm që nuk është më e tillë, por shpesh arrin deri sa të mohohet. Ndërsa në të kaluarën ishte e mundur të njihje një rrjetë kulturore unitare, gjerësisht të mirëpritur në thirrjen e saj ndaj brendisë së fesë dhe vlerave të frymëzuara prej saj, sot nuk duket më të jetë kështu në fusha të mëdha të shoqërisë, për shkak të një krize të thellë të besimit që ka prekur shumë njerëz.

Në dritën e gjithë kësaj vendosa të shpall një Vit feje. Ai do të nisë më 11 tetor 2012, në pesëdhjetë vjetorin e hapjes së Koncilit të Vatikanit II, e do të mbyllet në të kremten e Zotit Jezu Krisht Mbret të Gjithësisë, më 24 nëntor 2013. Më datë 11 tetor 2012, qëllon edhe njëzet-vjetori i publikimit të Katekizmit të Kishës Katolike, tekst i shpallur nga Paraardhësi im, i Lumi Papë Gjon Pali II, me qëllimin t’ua ilustroj të gjithë besimtarëve forcën dhe bukurinë e fesë. Ky dokument, fryt autentik i Koncilit të Vatikanit II, qe dëshiruar nga Sinodi i Jashtëzakonshëm i Ipeshkvijve të 1985 si një mjet në shërbim të katekezës dhe u realizua përmes bashkëpunimit të gjithë Episkopatit të Kishës Katolike. E pikërisht Asambleja e Përgjithshme e Sinodit të Ipeshkvijve ka qenë thirrur nga unë, në tetorin e 2012, mbi temën e Ungjillëzimit të ri për transmetimin e fesë së krishterë. Do të jetë ky një rast i përshtatshëm për të çuar mbarë kompaktësinë kishtare në një kohë të veçantë reflektimi e rizbulimi të besimit. Nuk është hera e parë që Kisha është e thirrur të kremtojë një Vit Feje. I përnderuari Paraardhësi im, Shërbëtori i Hyjit Pali VI shpalli një vit të tillë më 1967-ën, për të kujtuar martirizimin e Apostujve Pjetër e Pal në të tetëmbëdhjetin qindvjeçar të dëshmisë së tyre supreme. E mendoi si një moment solemn, në mënyrë që në të gjithë Kishën të kishte “një ushtrim autentik dhe i sinqertë i së njëjtës fe”; gjithashtu, ai deshi që kjo të përvetësohej në mënyrë “individuale e kolektive, të lirë dhe të ndërgjegjshme, të brendshme dhe të jashtme, të përvuajtur dhe të sinqertë”. Mendonte që në këtë mënyrë mbarë Kisha të rimerrte “ndërgjegjen e përpiktë të besimit të saj, për ta gjallëruar, për ta pastruar, për ta përforcuar dhe për ta shpallur”. Pështjellimet e mëdha që do të verifikoheshin në këtë Vit, do ta bënin edhe më evidente nevojën e një kremtimi të tillë. Ai u përfundua me Shpalljen e fesë së Popullit të Hyjit, për të dëshmuar sesa përbërësit themelorë, që nga shekujt formojnë trashëgiminë e të gjithë besimtarëve, kanë nevojë për të qenë të përforcuar, të kuptuar e të përthelluar në mënyrë gjithmonë të re me qëllimin e dhënies së dëshmisë koherente në kushtet historike të ndryshme nga e kaluara.

Për disa aspekte, i përnderuari Paraardhësi im e pa këtë Vit si një “rrjedhojë dhe ekzigjencë paskonciliare”, i ndërgjegjësuar për vështirësitë e mëdha të kohës, mbi të gjitha në drejtim të ushtrimit të fesë së vërtetë dhe interpretimit të drejtë të saj. Kam menduar se të nisë Viti i Fesë me rastin e pesëdhjetë vjetorin e hapjes së Koncilit Vatikani II, mund të jetë një rast i përshtatshëm për të kuptuar se tekstet e lëna në trashëgimi prej Etërve konciliarë, sipas fjalëve të të Lumit Gjon Pali II, “nuk e humbasin vlerën e tyre e as smaltin e tyre. Është e nevojshme që ata të lexohen në mënyrë të përvetësueshme, që të njihen dhe asimilohen si tekste të kualifikuara e të normuara prej Magjisterit, në brendësi të Traditës së Kishës… E ndiej më shumë se kurrë detyrën për të treguar Koncilin, si hirin e madh prej të cilit Kisha ka përfituar në shekullin XX: në të na është ofruar një busull e sigurtë për t’u orientuar në ecjen e shekullit që po hapet”. Unë gjithashtu kam ndër mend të përsëris me forcë përsa pata për të pohuar në aspektin e Koncilit pak muaj pas zgjedhjes sime si Pasardhësi i Pjetrit: “nëse e lexojmë dhe e përvetësojmë të udhëhequr nga një hermeneutikë e drejtë, ajo mund të jetë dhe të bëhet gjithnjë e më tepër një forcë e madhe për ripërtëritjen përherë të nevojshme të Kishës”.

Viti i fesë, në këtë perspektivë, është një ftesë për një kthim autentik e ripërtëritës në Zotin, të vetmin Shpëtimtar të botës. Në misterin e vdekjes dhe ringjalljes së tij, Hyji ka zbuluar në plotësi Dashurinë që shpëton dhe thërret njerëzit drejt kthimit të jetës me anën e faljes së mëkateve (krh Vap 5,31). Për apostullin Pal, kjo Dashuri e bën njeriun të hyjë në një jetë të re: “Nëpërmjet pagëzimit kemi qenë varrosur së bashku me Të në vdekje, sepse ashtu si Krishti qe ringjallur prej të vdekurve nëpërmjet lavdisë së Atit, kështu edhe ne të mund të ecim në një jetë te re” (Rom 6,4). Falë besimit, kjo jetë e re plazmon të gjithë ekzistenën njerëzore mbi të renë radikale të ringjalljes. Në përmasën e gatishmërisë së tij të lirë, mendimet dhe dashuritë, mentaliteti dhe sjellja e njeriut vijnë dalëngadalë e pastrohen e transformohen, në një ecje kurrë të përmbushur përfundimisht në këtë jetë. “Feja që bëhet vepruese nëpërmjet dashurisë” (Gal 5,6) bëhet një kriter i zgjuarsisë dhe i veprimit që ndryshon të gjithë jetën e njeriut (krh Rom 12,2; Kol 3,9-10; Ef 4,20-29; 2Kor 5,17).

“Fjala e Zotit të vrapojë e të e nderohet” (2Sel 3,1): ky vit i fesë bëftë gjithnjë e më shumë të qëndrueshme marrëdhënien e Krishtit Zot, pasi vetëm në Të për ju është siguria e shikimit nga e ardhmja dhe garancia e një dashurie autentike e të qëndrueshme. Fjalët e apostullit Pjetër hedhin të çarën e fundit të dritës mbi fenë: “Këndej gëzoheni edhe pse tani për pak kohë duhet të jeni të trishtuar për shkak të provave të ndryshme, që feja juaj e vënë në provë, shumë më e çmueshme se ari – i destinuar të shuhet dhe megjithatë sprovohet në zjarr – të fitojë lëvdatë, nder dhe lavdi në ditën e Zbulesës së Jezu Krishtit. Atë e doni edhe pse nuk e patë, dhe tani, pa e parë, në Atë besoni. Për këtë arsye galdoni me gëzim të patregueshëm dhe të lavdishëm, që ia arritët qëllimit të fesë suaj: shëlbimit të shpirtit” (1Pt 1,6-9). Jeta e të krishterëve njeh përvojën e gëzimit dhe atë të vuajtjes. Sa Shenjtër e kanë jetuar vetminë! Sa besimtarë, edhe në ditët tona, janë vënë në provë prej heshtjes së Hyjit ndërsa do të donin të dëgjonin zërin e tij ngushëllues! Provat e jetës, ndërsa binden të kuptojnë misterin e Kryqit e të marrin pjesë në vuajtjet e Krishtit (krh Kol 1,24), janë prelud ndaj gëzimit dhe shpresës drejt të cilave feja udhëheq: “kur jam i ligshtë   atëherë jam i fortë” (2Kor 12,10). Ne besojmë me siguri të qëndrueshme se Zoti Jezus e ka mundur të keqen dhe vdekjen. Me këtë besim të sigurtë i besohemi Atij: Ai, i pranishëm mes nesh, ngadhënjen mbi pushtetin e të keqit (krh Lk 11,20) e Kisha, bashkësi e dukshme e mëshirës së Tij, mbetet në Të si shenjë e pajtimit përfundimtar me Atin. Le t’ia besojmë Nënës së Hyjit, të shpallur “Të Lume” pasi “ka besuar” (Lk 1,45), këtë kohë hiri.

*Mbajtur në Romë, në Shën Pjetër, më 11 tetor të Vitit 2011, i shtati i Pontifikatit. Benedikti XVI