Dhunim i frikshëm i gjuhës kombëtare

263

Vangjush Saro

Gjuha lyp respekt, jo lëvdata boshe…

Dhunimi i gjuhës shqipe, i gjuhës letrare kombëtare, gjuha standarde siç thuhet, po merr përmasa të frikshme. Rrethanat dhe masa në të cilat po ndodh ky fenomen i turpshëm, janë krejt jashtë vëmendjes së institucioneve kryesore të vendit; të vendeve të tjera ku flitet shqip, gjithashtu. Gjuha kombëtare, në vështrimin tim, është gjuha letrare, ajo standarde, e pasuruar pareshtur me teknika dhe leksik nga të gjitha dialektet dhe të folmet, veças gegërishtja. Në këtë shqetësim që po shfaqim – tema është rrahur edhe më parë, edhe nga kolegë të tjerë – nuk është fjala për ndonjë rrjedhojë të pakënaqësive a pretendimeve në lidhje me jetën dhe të tashmen e variantit zyrtar apo letrar të gjuhës. Ajo vetiu ndryshon dhe pasurohet, duke u konsoliduar falë zhvillimeve të gjithanshme, si dhe përfshirjes në proces të vetë përdoruesve të saj, patjetër edhe të ekspertëve të gjuhës. Nga ana tjetër, mënyra se si shkruajnë dhe flasin njerëzit, ka të bëjë me prirjet, me kulturën dhe jetesën e tyre; dhe këto nuk mund të gjykohen.

Këtu, fjala është, kryesisht, për ndotjen e gjuhës në aspektin zyrtar, gjatë përdorimit në medie dhe në letërsi, çka janë fjalë dhe terma ku sërish duhet të ketë mirëkuptime, sikundër edhe përjashtime. Lehtësia për të publikuar gjithçka, përmes rrjeteve sociale, për të mos folur më tej për blogje kolektive apo aso vetjake, krahas anëve të dobishme, që do të thotë se ka më shumë liri për t’u shprehur, krijoi kushte në të cilat u prekën rëndë, në mos humbën, kujdesi dhe korrektësia ndaj gjuhës shqipe, ndaj gjuhës kombëtare. Jemi përpara një mendjelehtësie e papërgjegjshmërie që të habit. Dhunimi i gjuhës vihet re në të gjitha nën disiplinat e saj: Në Sintaksë; (formimi i fjalive dhe vlerësimi i gjymtyrëve të fjalisë). Në Drejtshkrimin e Gjuhës Shqipe dhe në pikësim, që është pjesë e kësaj disipline. Më së fundi, problemi është po kaq i dukshëm edhe në çështje ngushtësisht teknike.

Ne të gjithë e dimë se vendi ka një sërë halle; çështjet gjuhësore e kulturore nuk janë shqetësimi më i parë për shtetin, për institucionet dhe për vetë qytetarët. (Mjaft të kujtojmë çfarë ndodh në Shqipëri, për shkak të konfliktualitetit fals dhe po ashtu, në Kosovë, për shkak të injorancës në drejtim; ngjarjet në 40-vjetorin e Lidhjes së Prizrenit). Por në të njëjtën kohë, jemi ne që bërtasim me të madhe për patriotizëm e përparim, nuk lëmë temë e komb pa trazuar, për hir të njëlloj “nacionalizmi”, çka nënkupton, duhej të nënkuptonte edhe… respektimin e institucionit shekullor të gjuhës kombëtare. Por realiteti flet për të kundërtën. Atëherë, i bie që britmat nacionaliste janë thjesht njëlloj vaniteti.

Nuk është e vështirë të vihet re që zyrat, politikanët, për fat të keq edhe gazetarë të paformuar nga pikëpamja gjuhësore e kulturore, si edhe një pjesë e letrarëve, aq të shumtë në numër, janë në radhët e para të dhunuesve të gjuhës. Është bërë proverbiale tashmë shkronja e parë e madhe, ajo nistore, kapitale, që përdoret vend e pa vend, madje me një kokëfortësi të skajshme, çka është një përshtatje (!) e panatyrshme nga disa gjuhë ku shkronja e parë e madhe përdoret dendur, sipas traditave përkatëse. Me shkronjë të parë të madhe po shkruhen të gjitha fjalët përbërëse të titujve; (në libra, në gazetë, në faqet zyrtare, në rrjete po se po). Në gjithë këtë ndryshim për keq, nuk ka asgjë nga nderimi për gjuhën kombëtare; përkundrazi, ka shpërthyer njëlloj snobizmi qesharak.

Tejet i gabuar është përdorimi i përemrit pyetës “Kush” shoqëruar nga folje që janë në numrin shumës. Po qëndrojmë pak këtu. Ja një fjali tipike në qasje të gabuar: “Kush politikanë digjen nga Vetingu?” Ose “Kush janë teologët dhe historianët shqiptarë…etj.” Këtu dhe në njëmijë raste të tjera, përemri pyetës është në numrin njëjës dhe duke qenë edhe kryefjalë (nga pikëpamja sintaksore) lipset te shoqërohet po me folje (kallëzues në sintaksë) të numrit njëjës. Nëse përdoruesit i duhet me doemos të flasë për shumë nga këta që do të “digjen”, ai duhet të përdorë përemrin pyetës “Cilët”. Gjuha shqipe, qoftë edhe vetëm për këtë fjali “aktuale”, jep disa mundësi: Cilët politikanë digjen nga Vetingu? Ose: Ç’politikanë digjen nga Vetingu? Ose, për të vazhduar ashtu siç ka filluar përdoruesi: Kush digjet nga Vetingu? Apo: Cili politikan digjet nga Vetingu? Mirëpo përdoruesit shkojnë drejt edhe te forma më e papranueshme.

Po qëndrojmë në faqet e dy prej ministrive më të rëndësishme dhe më pranë detyrimeve ndaj gjuhës. Fragment nga një njoftim i Ministrisë së Arsimit: “Oficerët e Sigurisë do të shërbejnë për të garantuar më shumë siguri në mjediset shkollave, për parandalimin e konflikteve dhe akteve të dhunshme. Brenda komunitetit të nxënësve dhe parandalimin e çdo lloj veprimtarie kriminale në mjedisin rreth territorit të shkollave apo tentativave për të përfshirë të rinjtë në këtë lloj veprimtarie.” Pa u zgjatur në të tjera, lexoni fjalinë e fundit (Brenda komunitetit, etj.) dhe shikoni se është thjesht vazhdim fjalisë së mësipërme, që për shkak të përdorimit të gabuar të shkronjës së parë të madhe, si dhe mungesës së presjes më lart, paraqitet si një fjali më vete, ndërkohë që edhe brenda saj ka paqartësi. Ja edhe një fjali tjetër: “Shqipëria falënderon sekretariatin aktual francez të BFUG për të gjithë punën e bërë deri sot dhe i uron Italisë punë të mbarë në detyrën dhe përgjegjësinë e ngarkuar drejt Rome 2020!” Përveçse e ndërtuar me disa gabime, nuk kuptohet çfarë përfaqëson shenja e pikë çuditëses në fund të fjalisë, ndërkohë që s’kemi të bëjmë me ndonjë qëndrim emocional të llojit habi, thirrje etj.

Ja edhe disa fjali brilante nga faqja e Ministrisë së Kulturës: “Pavijoni shqiptar komisionohet dhe mbikëqyret nga Ministria e Kulturës e Republikës së Shqipërisë dhe kurohet nga një ekip që ka si emërues të përbashkët qasjen e thellë kritike ndaj projektimit, një qasje kjo, që kërkon stimujt jo vetëm në botën vizuale, por gjithashtu inspirohet nga pëlhura sociale, njerëzimi, historia dhe kultura lokale si e tërë.” Një qerre me gabime dhe keqinterpretime, pa marrë në sy një lloj ngurtësie e snobizmi grotesk në thurjen e frazës. Ja edhe një tjetër “xhevahir”: “Rruga drejt Evropës kalon përmes kulturës, kalon përmes rizgjimit dhe rivlerësimit të trashëgimisë kulturore tonën që në veçantinë e vet është vlerë e shtuar për Evropën, e njëkohësisht është pjesë përbërëse e historisë së saj.” Qëndroni vetëm te përdorimi i përemrit pronor “tonën”, që nga pikëpamja gjuhësore është një skandal…

Ani. Duke ikur nga këta shembuj, që në faqet e ministrive dhe institucioneve të tjera janë edhe më zhgënjyes, përsërisim mendimin se jemi përpara një pamjeje aspak të këndshme; koha po i nguros me shpejtësi këto gabime e marrëzi, vitet do të bëjnë të vetën dhe, kur të kujtohemi për tatëpjetën e gjuhës kombëtare, do të jetë shumë vonë, mbase e pamundur për të ndrequr ndonjë gjë… Ky nënvizim bëhet për të gjithë qytetarët shqiptarë, por më së pari për institucionet e sipërcituara, por edhe për gazetarë e shkrues të tjerë, që hë për hë ua ka marrë mendjen “lavdia” dhe e kanë gjuhën në plan të dytë, në mos më pak; po ashtu mund të themi për “qejflinjtë” e etimologjisë, për ata të historisë, etj. Përpara se të lëvdohemi, se cilët jemi e ç’vend kemi në ngjizjen e Botës, le të kujdesemi për të shkruar e folur mirë gjuhën tonë. Ajo lyp respekt, jo lëvdata boshe.

Duke vlerësuar pjesën më solide të përdoruesve të gjuhës kombëtare, medie, institucione apo individë, si dhe veprimtaritë e njohura “Gjuha letrare kombëtare dhe bota shqiptare sot” dhe “Shqipja standarde dhe shoqëria shqiptare sot”, megjithatë, duhet thënë se punët tona të shumta, problemet gjithaq, edhe ato me gjuhën, i kemi përpara syve; duhet t’i shohim me modesti dhe seriozitet dhe të përpiqemi të ndryshojmë, sa pa u bërë vonë…