Japonia proteston kundër projektit rus për vendosjen e fibrave optike

690
Sigal

Japonia nuk e priti aspak mirë projektin e Rusisë për vendosjen e kabllove me fibra optike midis ishullit rus të Sahalinit dhe ishujve të pretenduar nga të dy shtetet.

“Është vërtetë për të ardhur keq që një projet i tillë të nisë në kuadër të një ‘pushtimi’ rus që nuk ka bazë ligjore”, u shpreh në një komunikatë për shtyp zëdhënësi i qeverisë, Yoshihide Suga.

E përditshmja japoneze “Sankei Shimbun” raportoi këtë fundjavë se Rusia planifikonte të instalonte kabllo midis Sahalinit dhe katër ishujve.

Ishujt Kurile të Jugut (të quajtura “Territoret e Veriut” nga ana e Japonisë) u aneksuan nga BRSS-ja në fund të Luftës së Dytë Botërore dhe janë zyrtarisht pjesë përberëse e rajonit rus të Sahalinit, por të pretenduara gjithashtu nga Japonia. Kjo mosmarrëveshje pengon nënshkrimin e Traktatit të Paqes që prej 70 vjetësh mes dy shteteve.

Sankei sqaroi se Moska e paralajmëroi Tokion për këtë projekt që pritet të vihet në zbatim nga kompania kineze “Huawei Technologies”.

“Kemi protestuar në rrugë diplomatike pranë Rusisë dhe Kinës”, njoftoi Suga, duke shtuar se Japonia do të negocionte hap pas hapi me durim me Rusinë.

Mosmarrëveshja vijon të jetë e pazgjidhur pavarësisht intensifikimit të kontakteve mes presidentit rus Vladimir Putin dhe kryeministrit japonez, Shinzo Abe këto vitet e fundit, gjatë të cilave është hedhur ideja e shfrytëzimit të përbashkët ekonomik të këtyre ishujve të vegjël.