Artur Roshi/ E drejta për të jetuar e bën informalitetin legjitim

594
Qeveria ka dy javë që ka filluar “luftën”ndaj informalitetit të biznesit. Zerimi i informalitetit është një parim që i jep moral qeverisë për ta bërë atë, por jo jashtë arsyetimit se si do të ndikojë tek jeta e qytetarit.Kjo është ajo që përcakton diferencat e mendimit rreth aksionit kunder informalitetit. Ekonomia e vendit tonë është një ekonomi e brishtë që nuk ka krijuar një strukturë stabile, e cila duket përnjëherësh në një nga parametrat kryesorë të saj, në diferencën e madhe midis importeve dhe eksporteve. Në këtë kontekst lind pyetja deri në ç’fare mase duhet goditur informaliteti tek bizneset e vogla? Kë duhet të quajmë informalitet të lejuar dhe kë jo? Thelbi i informalitetit konsiston në masën që fiton individi, sa paguan për interesin shoqëror shtetin (investime publike, gjykata, arsimim,etj)? Kjo është kontrata shoqërore e shtetit me individin dhe qeveria sipas platformës së saj që ka fituar zgjedhjet, vendos indeksin e kontratës për masën e pagesës ndaj shtetit. Pra fare thjeshtë kur fiton “X”, paguan “y”që ka caktuar shteti mbi fitimin. Motivi i biznesit është fitimi ashtu si motivi i punës së punëtorit që është paga mujore. Nisur nga ky postulat qeveria mendon vetëm fitimin,por ky postulat vlen për ekonomi të konsoliduara. Vendin e fitimit në postulatin e sipërcituar e zë egzistenca jetësore (sakrifica e njeriut për të jetuar nëpërmjet biznesit) në kushtet e ekonomisë sonë. Aty ku nuk kemi fitim nuk duhet të kemi taksim,sepse ky njeri që bën biznes për të jetuar jo për të fituar, përndryshe ai kthehet në njeri që do trajtuar me asistencë. Unë them se qeveria duhet të ndalet tek vetsigurimi shoqëror i bizneseve me xhiro vjetore deri në 1.500.000 lekë të reja në vit të cilat funksionojnë mbi të drejtën për të jetuar. Në një farë mënyre qeveria po humbet konceptin e detyrimit që ka ndaj qytetarit për t’i rritur atij mirëqenien nën parimin pa kufinj të goditjes së informalitetit. E thënë në zhargon “Qeveria me kotheren e qytetarit po bën muzeume (gjethja, bunkeri)”. Mënyra agresive e trajtimit të biznesit dhe fushatat me çdo lloj emri ndaj tij, japin konotacione negative deri në përçmuese mbi biznesmenët, njerëzit që prodhojnë produkt dhe vlerë për shoqërinë. Qeveria po godet egzistencën e shoqërisë kapitaliste biznesin dhe qëllimin e saj mirëqenien. Rezultati i këtij aksioni do të jetë rritja e çmimeve sepse informaliteti nuk përfitohej i gjithë nga biznsesi por edhe nga qytetaret që merrnin ofertën më të ulët. Rrjedhimisht me rritjen e çmimeve do të bjerë konsumi i cili shkon në përpjestim të drejtë me rënien e ekonomisë. Rezultati i këtij aksioni thjesht për të treguar se këtu ka shtet nuk është në momentin e duhur dhe e zhyt më tej në mjerim qytetarin shqiptar. Armiqësia ndaj biznesit në frymën e qeverisjes bën që përcaktues mbi vazhdimësinë e biznesit të jetë punonjësi tatimor, (abuziv apo jo këtë e dimë mirë të gjithë se janë simbol i abuzivitetit), bën që biznesi i madh të humbasi intersin dhe të behet i mesëm,bën që biznesi të anullojë investimet për zgjerimin e tij, bën që biznesi i mesëm të humbasi interesin dhe të bëhet i vogël, bën që nivelimi i të ardhurave të bëhet në rënie. Të gjitha këto janë rezultat i fushatave zgjedhore pa platforma ekonomike të partive politike dhe i votimit që shqiptarët bëjnë jashtë ullinjve ekonomikë sepse varfëria i ka shoqëruar gjithë jetën dhe u ka zbehur arsyen dhe besimin për t’u përmirësuar. Qeveria po kthen në gjykatës të heshtur tatimorët për taksat, elektriçistët për korentin, ndoshta ne vazhdim dhe hidraulikët për ujin. Ajo që një qeveri duhet të bëjë është autokontrolli ndaj fuqisë së saj vendimmarrëse përballë qytetarit të vet dhe jo tregimi i muskujve se bëjmë shtet duke privuar lirinë e biznesit. Në konceptin e qeverisë shteti,është forca e fuqisë që vepron mbi qytetarin por e palimituar kjo forcë fuqie kthehet në terror dhe dhunë. Këtë qeveria e bën me krenari dhe kjo gjë tregon se qeveria është një hap para largimit të saj.
Sigal