Fatmir Xhafaj: Do kemi prokurorë të huaj, që do hetojnë dosjet e korrupsionit

459
Kryetari i komisionit parlamentar për reformën në Drejtësi, Fatmir Xhafaj në një intervistë në Ora News ka folur për procesin e hartimit të reformës ku ka nënvizuar faktin se ndërkombëtarët dhe veçanërisht ambasada e BE dhe ajo e SHBA kanë një rol bashkëhartuesi për këtë reformë. Në Shqipëri do të ketë çështje të cilat do të hetohen nga prokurorë të huaj, duke marrë edhe pëlqimin e Brukselit për këtë. Gjithashtu kjo reformë do të detyrojë prokurorët dhe gjyqtarët të kalojnë në një sistem vlerësimi për dijet dhe pasurinë e tyre. Përsa i përket deklaratës së Presidentit për ekspertët, ku i cilësonte si militantë politik, Xhafaj tha se i vjen keq që dëgjon këto fjalë nga goja e Presidentit për njerëzit më të vlerësuar të vendit. Një tjetër veçanti e reformës do të jetë edhe mënyra e zgjedhje së Prokurorit të Përgjithshëm, i cili do të zgjidhet brenda propozimeve të prokurorëve. Fatmir Xhafaj ka folur edhe për marrëdhëniet e PS me LSI ku nuk e mohon që ka patur një konflikt verën e shkuar,por që shpreson se do të kalojë dhe kritikoi qeverinë për emërimin e disa drejtorëve në poste të cilët nuk meritojnë të jenë. 
Zoti Xhafa, çfarë roli do të kenë ndërkombëtarët në reformimin e drejtësisë?

Ka një përfshirje aktive të faktorit ndërkombëtar në këtë proces, për të mos thënë që është një rast i pazakontë se si janë përfshirë në një proces reformues ndërkombëtarët në nivel vendimmarrës politik, por për më tepër në nivelin e ekspertizës. Kjo është një gjë që duhet bërë. Në këtë reformë janë aktivë dhe të përfshirë ambasadorja e BE, Vlahutin dhe ambasadori i SHBA, Donald Lu. E ndjekin procesin në mënyrë të përditshme. Takohemi rregullisht dhe duam të dimë me detaje ecurinë e procesit. Ekspertët e tyre nuk janë në rolin e konsulentit, por janë në rolin e hartuesit. Ndryshe nga herët e tjera, misioni Euralius nuk harton vetëm një raport por është bashkëhartues në këtë proces.
Do të ketë prokurorë të huaj të përfshirë në hetime?

“Ka një çështje që ka të bëjë me përfshirjen e Brukselit në procesin e zbatimit të vendimmarrjes. Do të jetë në proces vendimmarrës, pra pjesë e institucioneve vendimmarrëse shqiptare. Do të ketë prokurorë të huaj që do të jenë pjesë e hetimit dhe ka një diskutim deri në ç’masë do të përfshihen. Në parim Brukseli është shprehur plotësisht dakord për produktin e ekspertëve ndërkombëtarë dhe shqiptarë.”
Si do përzgjidhen prokurorët dhe gjyqtarët?

Po diskutohet që të ndërtohen disa instrumentë që do të kalojnë në sitë gjithë gjyqtarët dhe prokurorët e këtij vendi, për të parë se cili është raporti i tij me korrupsionin, që do të thotë përgatitja profesionale, deklarimi i pasurisë. Ky projekt do t’i paraqitet komisionit për debat dhe e rëndësishme është që kanë kuptuar të gjithë se ka nevojë për një proces pastrimi. Do të bëhet sistem vlerësimi për pasurinë e tyre. Do detyrohet të ketë një kontroll krejt ndryshe për gjyqtarët dhe prokurorët,fillimisht për sistemin e deklarimit të tyre, për të dhënat që grumbullohen për ta.
Si do jetë formula e zgjedhjes së Prokurorit të Përgjithshëm?

Janë fokusuar të gjithë tek Prokurori i Përgjithshëm, por unë mendoj që Këshilli do të ketë një rol shumë të rëndësishëm. Që do ta zbehë rolin e prokurorit, që do të thotë se nuk do të jetë pushtet i një individi, sepse ka peshë të madhe sot, me thënë të drejtën Prokurori i Përgjithshëm. Sot me këtë sistem që kemi ne, ka një peshë të madhe dhe duhet të kesh këllqe të forta që ta mbash këtë peshë, kështu që kjo peshë kalon në një organ më kolegjial dhe shpërndahet në disa struktura që kontrollojnë njëra-tjetrën. Në mënyrë që të ruhet edhe përgjegjshmëria edhe mungesa e një koorporatizmi brenda tyre dhe janë struktura të përcaktuara, janë modele që funksionojnë, nuk është se i kemi shpikur ne. Prokurori i Përgjithshëm nuk do zgjidhet më nga politika, por do zgjidhet nga radhët e prokurorëve. Vetë prokurorët do të votojnë për disa kandidatë dhe Parlamenti ose Presidenti në varësi të modelit të Presidentit që do të kemi, do të zgjedhë një nga kandidatët, pra nuk do të ndikojë me emrin konkret por do jetë i detyruar të zgjedhë njërin prej tyre.
Presidenti Nishani ka thënë se: “Ekspertët e reformës janë individë, propozime që vijnë nga ndërgjegje prej njerëzve militantë politik”. Si i përgjigjeni?

Kjo është një deklaratë e pahijshme e Presidentit të Republikës. E para, nuk është etike që të përdorë një gjuhë të tillë. Së dyti, nuk është në përputhje me mandatin e tij kushtetues ky lloj pozicionimi, por nuk jam aspak i çuditur. Presidenti në detyrë është një president me qasje të hapur politike. Është për të ardhur keq, por ky është një realitet. Së pari, minimalisht, kjo nuk është në gjuhën e një presidenti. Së dyti, Presidenti duhet ta trajtonte këtë me institucionet përkatëse që i kanë nominuar këta njerëz. Së treti, duhet ta adresonte këtë tek kryetari i Kuvendit apo te komisioni, sepse për të artikuluar gjëra të tilla në publik, është e rëndë kur dalin nga goja e një Presidenti. Presidenti ka qenë i informuar për këtë proces. Presidenti erdhi tek reforma atëherë kur erdhi opozita. Lidhja është e qartë. Nuk dëshiroj të bëj polemika me presidentin për shkak të funksionit që ai ka. Më vjen keq që Presidenti i Republikës thotë ca gjëra edhe atje ku s’duhet t’i thotë. Ai ka vendosur të mbajë këtë pozicion dhe është çështje e tij. Presidenti duhet të ishte mbi palët, por fatkeqësisht është bërë pjesë e palëve. Përsa i përket ekspertëve, Presidenti është një politikan, vjen nga radhët e politikës dhe ne jemi mësuar të hedhim baltë mbi çdo gjë, jemi mësuar t’i bëjmë të gjithë pis. Jam ndjerë keq, ku ai iu drejtua ekspertëve. Cilët janë ata ekspertë? Janë përfaqësues të institucioneve. 70% e tyre janë profesorë dhe doktorë. Ata janë nga pedagogët nga më të mirë që ka ky vend, janë ekspertë nga më të njohur në fushat e tyre. Mund të kishte të tjerë, por këto nominuan institucionet e drejtësisë, nuk i caktuam ne. Është e rëndë që të sulmosh mendjet e mira në këtë vend, njerëzit e mirë të këtij vendi, njerëzit punëtorë të këtij vendi, njerëzit ekspertë të këtij vendi., është e pafalshme për ne, por ne jemi mësuar të hedhim baltë nga të gjitha anët për të bërë pis të gjithë për të thënë që jemi të gjithë njësoj dhe kështu sulmojmë edhe kapacitetet që kemi. Ne duhet të jemi të lumtur që kemi disa njerëz të tillë që kanë kapacitetin e nevojshëm të shkruajnë, të hartojnë vetë. Unë mendoj që ishte e qëllimshme ajo që ndodhi me ekspertët. Ajo në fakt ishte për të goditur thelbin e procesit, për të goditur procesin, duke ditur që gjithçka përqëndrohet tek ekspertët, edhe për t’i intimiduar, për t’u bërë presion atyre për qëndrimet që kanë. Unë besoj që ekspertët nuk varen as nga PS, as nga LSI, as nga PD, as nga Presidenti, as nga Kryeministri dhe as nga Kryetari i Kuvendit, por në bindjen dhe në integritetin e tyre dhe në vlerësimin tim, ata janë njerëz me shumë integritet profesional, moral dhe meritojnë vlerësim, përgëzim dhe mirënjohje për këtë punë dhe për këtë shërbim që janë duke i bërë vendit.
Jeni të kënaqur me cilësinë e stafeve të ministrive?

Jo, nuk jam i kënaqur. Mendoj që ka disa struktura të ekzekutivit që janë emëruar disa individë që nuk besoj që do të duhej të ishin në ato vende dhe për shkak të asaj çfarë kanë përfaqësuar, edhe të background-it të tyre, s’ka ndonjë gjë që kanë shkëlqyer më parë për të merituar për të drejtuar pozicione të tilla të rëndësishme por edhe për shkak të performimit të dobët në vlerësimin tim. Kjo do ishte një nga kritikat që do t’ia adresoja pa asnjë mëdyshje qeverisë. Disa nga drejtuesit apo drejtueset nuk i bëjnë nder qeverisë, përkundrazi me sjelljen e tyre, me paaftësinë edhe me arrogancën shpesh herë e cënojnë imazhin dhe vullnetin e mirë të kësaj qeverie.
Marrëdhënia me LSI?

PS dhe LSI jo vetëm që janë të një krahu për efekt gjeneze të njerëzve, por janë të detyruara të bashkëjetojnë. Nuk ka qenë dhe nuk është një bashkëjetesë e lehtë, duhet pranuar, por ka qenë e suksesshme deri tani. Është e vërtetë që ka patur një diskutim të madh dhe dua ta anashkaloj këtë fakt gjatë kësaj vere të nxehtë. U mundua të trajtohej si një simptomë e temperaturave të larta, nuk mendoj se ishte kështu, por është një gjë e kalueshme. Në çdo bashkëjetesë ka tronditje dhe kjo është nga ato bashkëjetesa që mund të ketë patur ndonjë dhe ka diçka që nuk shkon. Fakti që u bënë shumë deklarata, punë deti, punë facebook-u, dashurie etj. Nuk ishte shumë pozitive, por janë periudha që unë mendoj, me pak vullnet të mirë, duhet të kalojnë, sepse qytetarët në këtë vend kanë halle shumë më të mëdha, sesa plazhi ku lahet Rama, apo Meta. Ata kanë treguar që në këto dy vjet kanë ditur të mirëkuptohen dhe të bashkëqeverisin dhe do duhet që të jenë më të drejtpërdrejtë për shumë gjëra për t’i qëndruar besnikë atyre për të cilat janë votuar. Njerëzit i kanë votuar që të qeverisin, pavarësisht ku lahen, por për atë që ata shpresojnë të marrin nga kjo qeverisje dhe unë besoj se ata dhe ne të tjerët që jemi pjesë e stafeve politike të tyre të tregojmë maturinë dhe gjithë përgjegjësinë që çlirojmë këtë marrëdhënie nga emocionet apo edhe diçka tjetër që i bën dëm një qeverisjeje të mirë në interes të qytetarëve të këtij vendi, sepse qytetarët kanë edhe sy edhe veshë.
Sigal