Xhixho: Kuvendi i Shqipërisë po u heq qytetarëve të drejtën e tubimit, duan t’i arrestojnë në protesta

117
Sigal

Kuvendi i Shqipërisë në gjendje antikushtetueshmërie për të drejtën e tubimit. Kështu shkruan deputetja e Partisë së Lirisë Erisa Xhixho. Reagimi i deputetes, Erisa Xhixho: “Sot në diskutimin tim në Komisionin e Ligjeve prezantova projektligjin, që kemi depozituar që më 18 mars 2021, kur kemi propozuar zbatimin nga Kuvendi i Shqipërisë të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila ka shfuqizuar si antikushtetues togfjalëshin “pa marrë më pare leje nga organi kompetent sipas dispozitave të veçanta”, në paragrafin e parë të nenit 262 të Kodit Penal, që lidhet me organizimin dhe pjesëmarrjen në grumbullime të paligjshme.

Ndryshimi ka të bëjë me nenin 262 të Kodit Penal, me vendimin nr.24 ,më datë 4.05.2021 të Gjykata Kushtetuese, e cila e ka shpallur antikushtetues dhe ka urdhëruar Kuvendin të plotësojë normën ligjore brenda 6 muajve nga botimi në Fletoren Zyrtare. Pra, Kuvendi është në shkelje të Kushtetutës që nga 2.12.2021, kur ishte afati i lënë nga Gjykata Kushtetuese për plotësimin e normës ligjore, pra jemi 1 vit e 2 muaj në shkelje të vendimit të Kushtetueses.

Zbatimi i vendimit jo vetëm nuk ka ndodhur, duke bërë që Kuvendi të jetë në gjendje antikushtetueshmërie, por që atëherë, në shkelje të hapur të vendimit të Kushtetueses, janë favorizuar në mënyrë indirekte organet e policisë që të kryejnë arrestime në masë, duke u justifikuar se po zbatojmë nenin 262 (edhe pse i shpallur si i papajtushëm me nenin 47 të Kushtetutës), sipas të cilit, se kush organizon manifestime, ndëshkohet.

Ndër rastet më flagrante ka qenë ai i mbi 700 procedimeve ndaj protestuesve të Unazës së Re, me akuzën për protestë të paligjshme! E drejta për protestë është një e drejtë themelore dhe kjo qeveri nuk mund të përdorë vakumin ligjor për arrestime të paligjshme. Ne jemi të vendosur t’i shkojmë deri në fund nismës për përmbushjen e detyrimit me të cilin Gjykata Kushtetuese ngarkon organin ligjvënës.